Rinisja e dialogut Kosovë-Serbi, në qershor

29 Prill 2021, 15:53Rajoni TEMA

Rinisja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë para fundit të qershorit, tha Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kurti konfirmoi se Kosova do të marrë pjesë në rifillimin e dialogut në muajin qershor. Ai tha se dialogu nuk do të neglizhohet nga ana e Prishtinës, mirëpo siç tha ai, ky proces duhet të zhvillohet mbi bazën e parimeve.

“Javën tjetër në Prishtinë ne do të miratojmë programin qeverisës dhe planin e punës, dhe pastaj ai do të dërgohet në kuvend. Në anën tjetër, neve na duhen më shumë dokumente për dialogun e kaluar, që të përgatitemi. Në maj do të takohemi me opozitën, për të pasur qëndrimet e tyre. Së pari do të kemi darkën e liderëve të Ballkanit Perëndimor në maj dhe pastaj dhe në qershor do të fillojmë me kapitullin e ri të dialogut”, tha Kurti.

Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Borrell, tha se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut me Serbinë dhe se rruga e saj evropiane kalon përmes këtij dialogu.

“Rruga evropiane e Kosovës kalon përmes dialogut Kosovë-Serbi, nuk ka rrugë tjetër dhe nuk ka alternativë. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë është thelbësore për të lëvizur në perspektivën evropiane. Në të kundërtën, rruga do të jetë e bllokuar”, tha Borrell pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk do të jetë e lehtë, por për përfitimin e njerëzve në Kosovë dhe Serbi dhe në rajon duhet që ky proces të vazhdojë shumë shpejt”, tha Borrell.

Kurti po qëndron në Bruksel në një vizitë dyditore, ku po zhvillon takime me drejtuesit e institucioneve kryesore të BE-së.

Një ditë më parë, ai u tha gazetarëve në Bruksel se nuk do të merrte pjesë në takimin më 11 maj si pjesë e vazhdimit të dialogut me Serbinë. Takimi u njoftua fillimisht nga Borrel, gjatë vizitës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel këtë javë.

Më parë, Kurti u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se NATO mbështet përpjekjet për të rifilluar dialogun midis Serbisë dhe Kosovës.

Një deklaratë e NATO-s tha se Stoltenberg theksoi se dialogu mbetet “mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike në Ballkanin Perëndimor”.

Gjatë ditës, në Bashkimin Evropian, Kurti do të do të takohet me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe me komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi.

Kurti në vizitën e tij të parë në Bruksel, që prej se është zgjedhur kryeministër i Kosovës, po ashtu do të marrë pjesë në një seancë të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Të mërkurën, delegacioni i Kosovës, që përbëhet nga Kurti dhe dy zëvendësit e tij, Donika Gërvalla dhe Besnik Bislimi, kanë takuar komisionarë të BE-së për çështje ekonomike, energji, bujqësi, zhvillim rural dhe financa, ndërkaq gjatë ditës së sotme, takimet do të jenë më shumë të karakterit politik.

Mbrëmjen e së mërkurës, Kurti u takua edhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe siç njoftoi Qeveria e Kosovës, në këtë takim, Kurti ka thënë se dialogu do të jetë parimor dhe i përgatitur mirë.

“Bisedime konstruktive me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak. E kam ripohuar se dialogu duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë. Duhet të pranojë realitetin e të vërtetën, të jetë i barabartë dhe t’u adresohet çështjeve të pazgjidhura, e jo të krijojë çështje të reja”, ka shkruar Kurti në Twitter pas atij takimi.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

Gjatë dhjetë vjetëve të dialogut Kosovë-Serbi, besohet se janë arritur mbi 30 marrëveshje, ndonëse autoritetet në Prishtinë dhe në Beogradi, flasin me shifra të ndryshme për këto marrëveshje.

Në mesin e marrëveshjeve të arritura është edhe ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për formimin e së cilës, tashmë ekziston kontesti ndërmjet vetë palëve që e kanë arritur atë.

Bashkimi Evropian synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse në të cilën do të zgjidheshin të gjitha çështjet mes dy vendeve.

Pas një pezullimi gati 2 vjeçar, bisedimet ndërmjet dy vendeve gjatë vitit 2020 patën rifilluar, por ato sërish u ndërprenë për shkak të zgjedhjeve në Kosovë që u mbajtën më 14 shkurt.

Njohësit e zhvillimeve politike, në Prishtinë dhe në Beograd, Jehona Lushaku-Sadriu dhe Dushan Janjiq, kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me vazhdimin eventual të dialogut dhe nëse do të ketë qasje serioze të të gjitha palëve dhe faktorëve të përfshirë në këtë proces.

Jehona Lushaku-Sadriu, profesoreshë në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se bashkësia ndërkombëtare, në krye me BE-në dhe SHBA-në, është duke kërkuar në mënyrë të qartë nga Kosova dhe Serbia që të vazhdojnë dialogun dhe që ai të thellohet në kuptimin politik.

“Mesazhi është i qartë, ikje nuk mund të ketë. Mund të ketë vetëm përgatitje nga të dyja palët për këtë dialog, që të adresojnë kërkesat e tyre se çka të diskutohet dhe cilat janë versionet më të pranueshme. Në anën tjetër, ajo çka po qarkullon si ‘non-paper’ është një lloj hapjeje e mundësive të diskutimit përtej asaj që është diskutuar deri më tani, me qëllim që të krijohet një atmosferë për atë se cila do të jetë zgjidhja finale dhe të jetë pak a shumë e pranueshme për qytetarët”, theksoi Lushaku-Sadriu.

Por, Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, e sheh ndryshe situatën.

Siç thotë ai për Radion Evropa e Lirë, pas vitit 2014, dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar me ritëm të çuditshëm, ku ka pasur ndërprerje dhe rinisje të vazhdueshme.

Sipas tij, është mjaft legjitime të shtrohet pyetja se a duhet ringjallur dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve apo duhet nisur një proces të një forme tjetër. Por, zgjidhja e dytë sipas tij do të paraqiste humbje për Bashkimin Evropian. Aktualisht, siç thotë ai, ekziston faza kur po krijohet një lloj iluzioni se po punohet diçka lidhur me dialogun dhe një marrëveshje përfundimtare. Në funksion të kësaj, siç thekson Janjiq, janë edhe të dy dokumentet e pretenduara si “non-paper”, të cilat, siç vlerëson ai, vijnë nga qarqe tepër të kontrolluara dhe fundja, të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe që shërbejnë që të tregohet se kinse po punohet diçka. Por, sipas tij, dialog serioz nuk pritet të ketë së shpejti.

Që nga mesi i muajit prill e deri më tash, në media janë publikuar dy të ashtuquajtur “non-paper”, si dokumente të pretenduara, në të cilat flitet për qasje të ndryshme për zgjidhjen e kontestit Kosovë-Serbi. “Non-paperi” i parë, i publikuar më 15 prill, pretendohet të jetë i kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, i dërguar për Këshillin e Evropës. Ai përmban propozimin e supozuar për ricaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të zgjidhur problemin kronik ndërmjet gjashtë vendeve në rajon.

Këto pretendime janë hedhur poshtë nga Jansha, por edhe nga zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Më 27 prill, në disa media në Kosovë është publikuar një “non-paper” tjetër, i cili është pretenduar të jetë hartuar nga Gjermania dhe Franca dhe i cili flet për themelimin e të ashtuquajturit “distriktit autonom të Kosovës së Veriut” dhe për njohjen e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjermania e ka hedhur poshtë vërtetësinë e “non-paperit” që u tha se është hartuar nga ajo dhe Franca.

I pyetur lidhur me këto dokumente, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se ai nuk punoj me ‘non paper’ dhe i quajti dokumente fantazmë.

6 komente në “Rinisja e dialogut Kosovë-Serbi, në qershor”

  1. Visi says:

    Oo Merro Tema,je bërë më keq se Zëri i Popullit është dita e tretë e qëndrimit të Kurtit në Bruksel ku pati takime të përditshme me Kryeministrin e Belgjikës,Komisionerë Evropian ,Lajçakun ,Borellin me ç rast dha delarata të përdishme por Tema asgjë nga këto nuk botoi
    thuase jeni Organi PPSH së.
    Kur vjen për kritika qoftë edhe një pordhë të lëshojë Albini Mero do të shkruaj me urgjencë qoftë edhe në gjysmë të natës.
    Rroftë PKSH,RRoftë Edi Hoxha…….

  2. Fantazia analitike says:

    Albin mavrise i jane vene kembet ne nje kepuce nga Evropa njelloj si dhe Vuciqit.
    Vuciqit i eshte thene hapur se pa “njohjen e Kosoves”, rruga evropiane e Serbise mbyllet dhe Serbine e prete nje izlolim i plote.
    Po e njejta gje i eshte thene dhe Albinit. Atij i thuhet se bisedimet nuk kane alternative. Ne rast se Albini nuk merr pjese ne bisedime, Kosoves i mbyllet rruga per ne Evrope. Kjo shprehje eshte e para here qe perdoret kunder Kosoves…
    Ketu e pruri Albinin teoria e “reciprocitetit”, qe kerkonte “barazi” me Serbine pa biseduar.
    Ketu e pruri edhe Vuciqin teoria e tij qe Evropa duhet ta fusi Serbine ne Evrope edhe pa njohur Kosoven, sepse Albini nuk do te bisedoje.
    Evropa ja ka shtrenguar litarin Vuciqit dhe ai ja ka liruar litarin Kurtit. Me ne fund Kurti pranon te bisedoje, qe eshte nje lajm i mire per te arthmen e Kosoves.
    Do ishte mire qe Albini ta kish arritur vet konkluzionin, se bisedimet me Serbine nuk kane alternative. Bisedimen nuk do kene kushte apo parakushte dhe do jene vazhdim i bisedimeve te meparshme. Ne kete kuptim kemi nje thyerje te idjotesise albiniane qe mendonte se do ish me i forte se “Amerika” apo “Evropa”dhe nepermjet “reciprocitetit” do ndihmonte Vuciqin te sabotonte bisedimet…
    Sot ai si nje qen i rrahur ben sikur nuk ka hequr dore nga “reciprociteti” dhe flet per pergatitjen e bisedimeve. Fjalite e tij jane konfjuze dhe kontraditore. Nuk kuptohet se kujt I drejtohen shprehjet se bisedimet duhet te “pergatiten”. A i drejtohet ai Perendimit apo mundohet tu mbush koken “reciprocisteve” te tij qe Albini perseri do i realizoje qellimet e Kosoves ne fillim te bisedimeve dhe jo ne fund. Keto fjale te tij nuk kane kuptim sot, sepse duheshin thene qe diten qe ai mori pushtetin. Ai duhej me kohe te pergatitej per bisedime dhe jo te priste sa Vuciqi “ti liroje litarin”.
    Sidoqofte, lajmi qe ai pranoi te bisedoje eshte lajm i mire.
    Fakti qe do jete Albini qe do I kerkohet te perfundoje “marreveshjen gjitheperfshirese me njohje reciproke” me Serbine eshte lajmi me i keq ne kete vorbull ngjarjesh. Duket sikur Albini eshte i papargatitur dhe e ben kete pune “nga zori”. Atij i mungon entuziasti dhe prespektiva.
    Une per vete lus qe plani amerikano- evropian te pranohet nga Vuciqi. Po qe se Vuciqi do e pranoje kete plan, Kurti do e nenshkruaje, duke shitur fjale te medha “patriotike”. Po qe se Vuciqi nuk do e pranoje, fundi i Kurtit do jete tragjik. Vuciqit e vetmja zgjidhje qe i mbetet eshte te “djegi” perfundimisht Kurtin dhe ta udhezoje te beje rolin e “te fortit” ku ai te dale nga bisedimet….
    E sigurte eshte qe Vuciqi nuk do ptranoje dokumentin. Te shohim manovrat e tij qe do pasqyrohen ne hapat e Kurtit.
    Enderoj qe Albini ka qene nje gjenial qe ne fillim dhe mashtroi si Ameriken ashtu dhe Evropen. Ai hiqej sikur nuk do bisedonte sepse keshtu mendonte se Perendimi do ja shtronte Kosoves sofren me mish e raki…Haronte Albini se shkopin dhe karroten e ka Amerika dhe jo Albini….
    Nje moment jo premtues i vizites se Albinit dhe Vuciqit ne Bruksel qe bene kohet e fundit, eshte fakti qe Albini nuk pranoi te takohej ne Maj me Vuciqin. Une thjeshte mund te spekulloj dhe te them qe me mire do jete qe Albini nuk eshte I pergatitur per takimin me Vuciqin dhe ka frike ta takoje ate, se sa ai thjeshte pret qe mesoje se cmendon Vuciqi per te arthmen ne kete situate te komplikuar…

    1. Visi says:

      Fantazist..
      Vuçiçit ia mundësoi të mashtronte BE në
      Hashim Thaqi me këshilltarët e tij fshatarak që.mezi se prisnin thirrjet për shkuarje në Bruksel thuase atje po shkonin për pushime.
      Shih pamjet e takimeve të Thaqit e Daçiçit apo Thaçit e Vuçiçit dhe do ta kuptosh se çka bënin ata në Bruksel.
      Për dallim nga serbët që vinin në takime me LapTop e dosje të.përgaditura Thaqi me këshilltarët e tij rrinin me duar në xhepa thuase kishin shkuar për kafe në Bruksel.
      Pra ishte vet Thaqi ai që pranonte lojën e Vuçiçit pa kushte dhe i ndihmoi atij të paraqitej si politikan me mentalitet Evropian
      dhe Serbia në këtë mënyrë arriti pranë derës së BE së për dallim prej Kosovës që.nuk përfitoi asgjë.Thaqi arriti dero aty sa e barazoi veten në Vjenë.me zëdhënësin e Milosheviçit
      A. Vuçiç kur deklaroi se ata nuk ishin djem të
      këqinj (Thaçi dhe Vuçiçi).
      Pas Thaçit rehabilitimin përfundimtar të Vuçiçit do ta bënte Edi .Rama me mikëpritjen madhështore që do ti bënte Vuçiçit duke ia mundësuar atij të paraqitej i dhimbshëm për fëmijët e mbetur pa shtëpi nga tërmeti.
      Pra ishte po ai Vuçiç (anëtar i Partisë Radikale të kriminelit Vojisllav Sheshel) kishte deklaruar se për çdo serb të vrarë do të vriteshin 100 boshnjakë.

      Për dallim nga serbët që në takime kishin me vete Laptop e dosje shënimesh Hashimi me shokë rrinin me duar në xhepa thuase kishin shkuar për kafe.
      Është hera e parë që një kryeministër nga Kosova refuzon takimin me Vuçiçin pa u koordinuar me kryeministrin e Kosovës dhe me plotë të drejtë.

      1. fantazia analitike says:

        @ Visi
        Ke bere nje hartim per Thacin dhe Edin, kur fjala eshte per Kurtin.
        Te vetmen fjali brenda temes qe po diskutojme, eshte fjalia e fundit. Prere dhe shkoqur ti i jep te drejte Kurtit qe refuzoi takimin me Vuciqin, qe do mbahej ne 18 Maj. Une nuk e di ku e ke gjetur ti qe Kurti nuk eshte konsultuar me pare per kete gje. Une di qe objekti i bisedimeve te Vuciqit dhe Kurtit ne Bruksel, do finalizoheshin me nje takim ne Maj….Nejse…
        Ti thua se Kurti beri mire qe refuzon takimin me Vuciqin ne 18 Maj, por nuk spjegon se ku e sheh ti te miren. Ti nuk spjegon se pse eshte mire te mos takohen ne Maj, por eshte mire te takohen ne Qershor. Ti nuk spjegon se pse eshte gabim te mos takoheshin para se te bisedonin per marreveshjen. Nuk kuptoj se pse eshte mire te takohen njehere dhe jo dy here…
        Per mendimin tim ky refuzim i Kurtit ne momentin e fundit ka te beje me komleksin e ndryshimit te situates me shpejtesi. Kurtit as i kish vajtur ne mendje qe do ishte dakort me bisedimet pa kushte…Me siguri ai eshte kercenuar, qe nqs nuk pranon bisedimet, e pret prape shkarkimi. Evropa e ka kercenuar kete here konkretisht dhe me dokumenta. Kurti eshte i detyruar qe te pranoje nga zori, por nuk di se cmendon serbi. Pasi te konsultohet me Vuciqin, pa pranine e te tjereve…. ai do shkoje ne bisedime, po qe se Vuciqi do jete dakort. Ne rast se Vuciqi nuk eshte dakort me vazhdimin e bisedimeve, ne do shohim Kurtin qe do filloje prape nga vicklat per te ndihmuar Vuciqin te dale “pa lagur”, deri sa te shkarkohet perseri nga parlamenti i Kosoves…
        Ti Visi me mire eshte te mendosh me koken tende dhe per te miren e Kosoves dhe jo per te mbrojtur Kurtin. Kosova ne rradhe te pare! Kurti dhe Rama vene e vijne, por jo Kosova apo Shqiperia….

  3. Visi says:

    Fantazist… me hartimin e sipërm ke arsyetuar plotësisht emrin që i ke vënë vetit Fantazist.
    T’i nuk flet me argumente e as me kokën tënde por me patagjykime.
    Nëse ti kujton se Kurti do të shkarkohet je krejtësisht gabim.Kurtin mund ta shkarkpjë dikush po aç sa mund ta shkarkojnë Edi Rama.
    Kurti tani më shumë se 50%të votave dhe nuk ka asnjë paralele me qeverinë e kaluar kur VV ishte në koalicion me LDK.
    Nga e nxjerr përfundimin ti se Kurti do ta ndihmojë Vuçiçin apo mendon se Kurti është mik me Vuçiçin siç është Edi mik i Vuçiçit.
    Fantazitë e tua qartazi janë të indukuara nga inatet ndaj Albinit për llogari të Edi Ramës
    dhe normalisht interesave tuaja përsonale të lidhura me PS ashtu siç bën Mero që nga një
    gazetar i mirë është shndërruar në prapagandues të nivelit të Zërit të Popullit.

  4. Visi says:

    Fantazist… me hartimin e sipërm ke arsyetuar plotësisht emrin që i ke vënë vetit Fantazist.
    T’i nuk flet me argumente e as me kokën tënde por me paragjykime.
    Nëse ti kujton se Kurti do të shkarkohet je krejtësisht gabim.Kurtin mund ta shkarkpjë dikush po aç sa mund ta shkarkojnë Edi Ramën.
    Kurti tani më shumë se 50%të votave dhe nuk ka asnjë paralele me qeverinë e kaluar kur VV ishte në koalicion me LDK.
    Nga e nxjerr përfundimin ti se Kurti do ta ndihmojë Vuçiçin apo mendon se Kurti është mik me Vuçiçin siç është Edi mik i Vuçiçit.
    Fantazitë e tua qartazi janë të indukuara nga inatet ndaj Albinit për llogari të Edi Ramës
    dhe normalisht interesave tuaja përsonale të lidhura me PS ashtu siç bën Mero që nga një
    gazetar i mirë është shndërruar në prapagandues të nivelit të Zërit të Popullit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje