Kosova dhe Kroacia nuk japin garanci për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK

6 Maj 2021, 15:38Rajoni TEMA

Kosova dhe Kroacia, kanë deklaruar se nuk mund të jenë garantues për lirim me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale në Hagë.

Qeveria e Kosovës e ka argumentuar këtë qëndrim duke thënë se shteti amë nuk mund të japë garanci.

“Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë (Kosova) e as nga kryeministri i shtetit amë (Qeveria e Republikës së Kosovës), nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion.

Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantues, ashtu siç po raportohet”.

Edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviç ka thënë se nuk mund të ofrojë garanci për  ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

“Kjo është e pamundur, nuk mund të jap garanci të tillë sepse kjo nuk është kompetencë e imja,” – tha ai duke iu u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në qytetin kroat, Sisak.

“Unë nuk jam armik i serbëve, as kam qenë, as nuk do të jem kurrë. Thjesht mendoj se kjo është e dëmshme. Thaçi është dashur të ishte akuzuar ose të ishte lënë i qetë, sepse disa njerëz nga Beogradi kalojnë të paprekur,” – tha Millanoviç.

Ai ka shtuar që Kroacia nuk do ta bënte atë që e ka bërë Hungaria, si anëtare e BE-së, që t’i japë azil ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevskit, i cili kishte ikur në Hungari, në mënyrë që t’i shmangej dënimit me burg prej dy vjetësh, për shkak të korrupsionit.

Gjyqtari Kai Ambos, në opinionin e tij të ndarë nga vendimi për refuzimin e kërkesës për lirim me kusht, përmend mundësinë që në të ardhmen ‘shtete të treta’ të mund të shërbejnë si garantues të mundshëm për ndonjë të akuzuar.

Ky qëndrim solli dhe reagimet lidhur me një garanci të mundshme për lirimin e komandantëve të UÇK-së.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje