Nikoll Lesi: Kur e nisëm, se njihnim as lekun, as presionin, as pazaret me pushtetin. Tani gjërat kanë ndryshuar

11 Maj 2021, 10:23Blog TEMA

Gazeta “Koha Jonë” mbush sot 30 vjet nga krijimi i saj.

Me këtë rast, botuesi i saj Nikoll Lesi, ka bërë një shkrim, ku ndër të tjera thotë se gazeta mund të mbyllet në print, ndërkohë që tregon betejat që ka bërë.

Shkrimi i Lesit   

Si sot 30 vite më parë doli gazeta e parë e lirë në Shqipëri, KOHA JONË. Pa ligj se nuk kishte ligj shtypi, pa zyra se nuk na jepnin zyra, pa makinë se nuk kishim lekë, mes njerëzve që me shumë bërtisnin LIRI-DEMOKRACI, por që lexonin të ndarë vetëm ZP dhe RD.

Me një makinë shkrimi të kohës së vjetër, ku mungonin gërmat “S”, “B”, “F” dhe “N”, nxorëm shkrimet e para që bënë historinë.

Ashtu të rinj, të panjohur dhe pa asnjë shkollë gazetarie, por me një kurajë dhe natyrisht me një talent të lindur, bëmë histori.

E nisëm nga qyteti i Lezhës, një qytet i kulturës, dhe erdhëm në Tiranë fare të rinj, aventurierë se do bënim një Shqipëri si Zvicra, që nuk e njihnim frikën. As lekun, as presionin, as pazaret me pushtetin.

Asokohe nuk kishte internet, as rrjete sociale, as celularë, asgjë nga kjo botë e sotme digjitale. Por kishte pasion, kurajë, këmbë për të ecur te lajmi dhe mendje e kthjellët për të shkruar të vertetën që fshihej skutave të pushtetit.

Nuk e kuptonim fjalën LEKË! E donim vetëm sa për të paguar shtypshkronjën apo biletën majë skodës me zhavorr nga Lezha drejt Tiranës.

KOHA JONË është një ikonë e medias së lirë.  Gazetarët e bënë atë të madhe, ku secili/a la diçka të mirë brenda,  sikurse edhe mori gjenë më të bukur prej saj; kurajën dhe të qënit njeri i lirë. Morën “ADN” e Kohës që të gjithë, edhe ai (ajo) më i urti.

Nëse shikon sot analistët kryesorë, gazetarët, drejtuesit e mediave të sotme në Shqipëri, mbi 80 përqind e tyre e kanë markën MADE IN KOHA JONE.

Gazeta kaloi në këto 30 vite në kalvare arrestimesh, ndjekje penale, kontrolle nga shteti si hakmarrje për shkrimet, vendosje tritoli nga bandat e shtetit, u dogj redaksia siç bënin nazistët ndaj fjalës së lirë; gazeta ra në gropa financiare, por me shumë vendosmëri ia doli të mos mbyllej.

KOHA JONË, si çdo kala e fortë me gazetarë trima, qëndroi përballë pushteteve, sidomos të PD-së ndër vitet 1992-1997 dhe të PS prej viteve 2003-2005, e rrethuar nga pushteti dhe nga mafia. Edhe me pushtetin e Edi Ramës betejë po bën KOHA JONË, tash sa vite, por për hir të së vertetës ky pushtet nuk u mor me KOHA JONË që ta ndalonte apo arrestonte, siç bënte dikur pushteti i Berishës dhe ai Fatos Nanos. Mundet që Edi Rama e njeh mirë “zjarrin” Koha Jonë, se ka qenë brenda kësaj kështjelle, dikur.

Dhe prapë do merremi me Edi Ramën, se besojmë se më mirë një media jo e pushtetit dhe pa para, se sa me pushtetin duke lëpirë tasin e pushtetit.

KOHA JONË pati ndër vite “hamzakastriotët” e saj, por prapë sot mbushi 30 vite, paçka se pabesitë ndaj saj nuk kanë sosur dhe nuk janë ngopur, ata si “hamza”!

Kemi bërë gabime, por jo faje; jemi nxituar por nuk e kemi nisur me strategji gabimin; kemi qenë në disa momente këto vite të anësuar disi, por duhej se flitej për opozitën.

Nganjëherë edhe gazetaria militante, në pak kohë, kur bëhet me qëllime të mira dhe jo përfituese, ka vlera. Nuk jemi akoma një shoqeri e lirë, siç mendonim në 11 maj 1991, kur u themelua si e pavarur.

30 vite u bënë sot!

Por a do vazhdojë prapë KOHA JONE si print, pra si gazetë që do të dalë në treg? Apo do shikojë një mënyrë tjetër konkurence të kohës digjitale, duke synuar një shoqëri mediatike me portale, me televizion dhe me gazetë PDF online?

Kjo mbetet zgjidhje jo e lehtë për t’u vendosur ditën e 30 vjetorit!

4 komente në “Nikoll Lesi: Kur e nisëm, se njihnim as lekun, as presionin, as pazaret me pushtetin. Tani gjërat kanë ndryshuar”

  1. Viola says:

    Nuk eshte thelbesore si e nis nje pune por si e perfundon. Ti po e mbyll si nje qen rrugac qe germon me kazanet e plehrave per te gjetur ndonje kocke.

  2. Millo says:

    Nuk mund te lexohet shkrimi i nje servili qe e quan veten gazetar!
    Perse ia dogjen Redaksine atehere? Sepse thosh te drejten!
    Po kush ia dogji Redaksine? Sali Berisha!
    Po sot? Sot dhe shume kohe me pare, ky gazetar i eshte servilosur atij qe i dogji zyrat dhe i shkaterroi gjithcka dhe desh i oerdhunuan edhe familjen!
    Servil deri ne peshtirosje! Burre pa karakter dhe pa dinjitet!

  3. Teli says:

    Jo vetem servil por edhe mos mirnjohes. Si mund te krahasoj Fatos nanon me Sali Berishen!.. Saliu e dogji kurse fatosi e beri Deputet ne Kuvendin e Shqiperise per legjislaturen 1997-2001!.. Dhe tashme nikolli e shan!.. Mire ta paskish bere Saliu, por ja qe fara e keqe paska ngelur gjalle. Teli

  4. astrit shba says:

    Lesi urime per 30 vjetorin e themelimit gazetes,ne fillimet e luftes per demokracine e shume pritur nga populli kjo gazete ka ndihmuar shume me botimet e saj deri sa qeverise se athershme emri i saj ju be i padurueshem.Deri sa me ne fund per ta zhdukur nga skena kete gazete e dogji.Fakti qe sot ti je reshtuar me ata qe te shkatrruan gazeten nuk nuk mund te spjegohet .Minimumi duhet te kerkoje qe ats qe e bene kete te denoheshin dhe ti dinte populli se kush jane Lesi beje sa me pare kete te vesh ne vend dinjitetin e gazetes dhe te na shoetosh njehete e mire nga ata qe diten te lavderojne naten te zhdukin nga faqia e dheut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje