ANALIZA/ Rusi-Ukrainë: Rreziqet që u lanë pas, dhe çfarë pritet të ndodhë tani

12 Maj 2021, 10:53Bota TEMA

Nga Dmitri Trenin, Modern Diplomacy

Trupat nuk janë rikthyer ende në bazat e tyre, por gatishmëria për luftë përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë, mund të konsiderohet për momentin e kapërcyer. Në fakt, një luftë nuk ka qenë asnjëherë në plan. E megjithatë për aq sa zgjati, gatishmëria e trupave ruse ishte thellësisht shqetësuese.

Për Perëndimin, ajo nxori në pah rreziqet e një përplasje të drejtpërdrejtë dhe në shkallë të gjerë midis Rusisë dhe Ukrainës. Për Rusinë, që deri më tani e ka cilësuar konfliktin në Donbas si një luftë civile brenda Ukrainës, ajo çeli perspektivën e zhvillimit të një lufte të vërtetë kundër një vendi të madh fqinj.

Edhe për Ukrainën, një luftë e tillë mund të ketë qenë ekzistenciale. Me kërcënimin e luftës që është zbehur për momentin, është e rëndësishme që të mos shpërdorohet kjo përvojë të rrezikshme, por përkundrazi prej saj duhet të nxirren përfundime.

Për këtë arsye, është thelbësore të kuptohet se çfarë po e nxit sjelljen e palëve të përfshira, të shpjegohen lëvizjet që ata bënë, dhe në fund të merren në konsideratë rezultatet afatshkurtra dhe afatmesme të përballjes.

Shtatë vjet pas revolucionit të saj në Maidan, Ukraina është një vend që po përjeton vështirësi të konsiderueshme. Në aspektin ekonomik, PBB-ja e saj është ende 20 për qind nën nivelin e saj para-Maidanit. Në rrafshin politik, Kievi nuk ka vendosur ende një ekuilibër të qëndrueshëm midis interesave të veta.

Ndërkohë në aspektin ideologjikisht, por edhe në shumë aspekte kulturore, ky vend po vazhdon të shpërbëhet. Ukraina është bërë shumë e afërt me Perëndimin vitet e fundit, por perspektivat e saj për t’u anëtarësuar në NATO, për të mos përmendur BE-në, janë shumë të largëta.

Madje në thelb janë joekzistente për një të ardhme të parashikueshme. Që kur u zgjodh president në vitin 2019, Volodymyr Zelensky dhe partia e tij kanë humbur shumë nga popullariteti i tyre dikur befasues. Partia Shërbëtorja e Popullit, ka qenë nën një presion të fortë nga opozita rusofone e vendosur në lindje të vendit, dhe nga nacionalistët e pozicionuar kryesisht në Ukrainën Perëndimore.

Shtatë vjet pas fillimit të konfrontimit të saj me Shtetet e Bashkuara, Rusia po përgatitet për të përballuar një presion edhe më të madh nga Uashingtoni. Për presidentin amerikan Joe Biden, Rusia përbën një prioritet më të ulët në politikën e jashtme, sesa ka qenë për çdo administratë të SHBA-së që nga koha e Roosevelt.

Biden flet ashpër, vendos sanksione, dhe po godet interesat ruse, si ato në gazsjellësin “Nord Stream II”. Marrëdhëniet e Rusisë me Evropën, janë sot më të këqija sesa kanë qenë ndonjëherë që nga koha e Mikhail Gorbachev. Marrëdhënia e veçantë me Gjermaninë nuk ekziston më.

Dialogu me Francën, gjithmonë sipërfaqësor, tani ka ngecur fare. Njëherazi, koordinimi midis politikave amerikane dhe evropiane mbi Rusinë, është rritur ndjeshëm nën presidentin Joe Biden. Republikat e vetëshpallura popullore në Donbas, janë lënë në harresë përgjatë këtyre viteve.

Ato po distancohen gjithnjë e më shumë nga Ukraina, dhe po integrohen gjithnjë e më ngushtë me Rusinë. Monedha e tyre është rubla; rusishtja është e vetmja gjuhë zyrtare; dhe 10 për qind ose më shumë e popullsisë prej 3.6 milionë banorësh, kanë fituar tashmë shtetësinë ruse.

E megjithatë e ardhmja e tyre është e paqartë. Ende pjesë e procesit të paqes në Minsk, por edhe e gatshme që të ndërpresë lidhjet e saj të mbetura me Evropën, Moska nuk do t’i njohë zyrtarisht republikat separatiste dhe as t’i lejojë ato t’i bashkohen Rusisë. Frustrimi po rritet.

Goditja e Kievit dhe reagimi i Moskës

Ishte Zelensky ai që lëvizi i pari. Ai i dha një goditje serioze opozitës rusofone, duke ia mbyllur stacionet e saj televizive, dhe duke akuzuar udhëheqësit e saj me akuzën e

tradhtisë ë lartë. Nga një qasje e vendosur nacionaliste, ai përparoi në territorin politik të ish-presidentit Petro Poroshenko.

Kohët e fundit, ai shfaqi gatishmërinë e tij për ta sfiduar ballazi Rusinë. Në shkurt të këtij viti, Zelensky urdhëroi trupat ukrainase dhe armët e rënda që të shkonin afër zonës së konfliktit në Donbas. Edhe nëse Ukraina nuk mund të shpresojë seriozisht që të fitojë luftën në Donbas, ajo mund të provokojë me sukses reagimin Rusinë.

Dhje kjo nga ana tjetër, do të shkaktonte një reagim të ashpër nga mbështetësit perëndimorë të Ukrainës, dhe do të përkeqësonte më tej marrëdhëniet e Moskës, veçanërisht me Evropën. Edhe pse lëvizjet e Kievit në atë kohë nuk ishin përgatitje për një ofensivë ushtarake, Dmitry Kozak, zyrtari i lartë rus përgjegjës për marrëdhëniet me Ukrainën, tha se i pa ato si një manovër propagandistike të Kievit

Ndaj Kremlini vendosi të kundërpërgjigjet. Duke pasur parasysh gjendjen aktuale të marrëdhënieve ruso-amerikane, Moska ndjeu se nuk kishte asgjë për të humbur, madjemund të fitonte diçka duke vepruar me guxim dhe në një shkallë më të gjerë.

Ushtria ruse grumbulloi trupa përgjatë gjithë kufirit ruso-ukrainas, nga veriu në jug. Me këtë lëvizjen e saj, Moska po ndiqte disa objektiva. Së pari të frikësonte dhe pengonte udhëheqësit e Ukrainës, të cilët Kremlini i konsideron si të papërvojë dhe të papërgjegjshëm.

Së dyti t’i përçonte një mesazh SHBA-së, që të kujdeset më mirë për aleatet e saj, në mënyrë që të mos zhytet vetë në telashe. Së treti t’i bindte gjermanët dhe francezët, se mbështetja e gjithçkaje që thotë apo bën Ukraina, ka një kosto për Evropën. Dhe së fundmi t’i siguronte njerëzit në Donbas, se Rusia nuk do t’i braktiste nëse ushtria ukrainase do të sulmonte të dyja enklavat.

Çfarë pritet të ndodhë tani

Kalimi i frikës së luftës, nuk është e njëjta gjë me de-përshkallëzimin. Niveli i lartë i tensionit në rajon, është tanimë është normaliteti i ri. Fatkeqësisht, në horizont nuk ka zgjidhje një politike. Marrëveshja e vitit 2015, Minsk II, që u cilësua si baza e procesit diplomatik për t’i dhënë fund konfliktit në Donbas, krijoi një lloj shprese.

Por zbatimi në praktikë i marrëveshjes, kërcënoi të minonte punën e revolucionit të Maidanit duke i dhënë terren Rusisë, gjë që u gjykua si tërësisht e papranueshme. Por as tërheqja nga marrëveshja e Minskut nuk është një opsion për Kievin, sepse marrëveshja u ndërmjetësua nga Berlini dhe Parisi.

Misioni i Zelenskit për të bindur Rusinë të pranojë një rishikim të madh të kushteve të Minskut në favor të Ukrainës, ka rezultuar i pamundur. Me progresin e munguar në marrëveshjen e Minskut dhe Bisedimet e Normandisë, diplomacia do të praktikohet gjithnjë e më shumë jo në mënyrën e zakonshme të negociatave konfidenciale. Pra në këto kushte, e vetmja rrugë shpëtimi e mbetur për arritjen e paqen atëherë, do të jetë kontakti i drejtpërdrejtë midis shefave ushtarakë të Rusisë dhe Amerikës. /Përktheu: Alket Goce-abc

1 komente në “ANALIZA/ Rusi-Ukrainë: Rreziqet që u lanë pas, dhe çfarë pritet të ndodhë tani”

  1. Ari says:

    Ju mendoni se, duke qene agresive nga Rusise, kjo do te sjelle bashkepunim dhe “demokratizim” te Rusise?Asgje ska per tu ndodhur: Rusia do te behet dhe me diktatoriale , duke justifikuar ne popull (Qeveria) rritjen e shpenzimeve per armatime qe….dikur, diku do te perdoren…sic ka ndodhur ne histori…Pranda,, ndyshoni politike ndaj Rusise. Si, sa , cfare, prandaj keni 100 apo 1000 Institute te politikes se jashtme,…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje