Nga Kristaq Xharo*
Para disa ditësh u kremtua përvjetori i akademisë ushtarake, ngjarje, që kudo tjetër do të reflektonte vëmendje, si data në kalendarin e kombit, sepse kudo në botë, këto institucione njihen si simbole unike, që formojnë dhe prezantojnë unitetin e kombit. Samuel Huntington, ndoshta shkencëtari politik më i madh i shekullit të kaluar dhe këshilltar i ‘përhershëm’ në Shtëpinë e Bardhë, në veprën e tij ‘Soldier and State’ shprehej se ‘…kur dëshiroj të shoh dhe të ndjej Amerikën, shkoj në Uest Point…’
Akademitë janë institucionet më prestigjioze në vendet e konsoliduar dhe të atyre që dëshirojnë të renditen me këto vende. Në historinë moderne ato lidhen me ditën e krijimit të shtetit, me zanafillë në vigjilje të ‘sovranitetit vestfalian’. Nuk ishin thjesht institucione, që formësonin idenë e sovranitetit, por edhe gurë të rëndë në themelet e shtetit, e jo më pak simbole të fuqisë dhe unitetit të kombit. Që prej asaj kohë, asgjë nuk ka ndryshuar, të tilla vazhdojnë të jenë për kombet, kudo në botë.
Edhe në vendin tonë zanafillën për këto institucione mund ta kërkojmë që në idenë e ngjizjes së shtetit shqiptar. E plotë dhe të qartë afrohet, nga i madhi Sami Frashëri te Testamenti për kombin ‘Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet’ (1899). Me qartësi dhe vizion, Rilindësi i Madh përcaktonte edhe modelin, por edhe lokacionet më të përshtatshme për ngritjen e tyre. Historia e shtetit, që në ditët e shpalljes së pavarësisë, më pas në periudhën e mbretërisë dhe pas çlirimit të vendit ndjek saktë këtë vizion duke shënuar krijimin, konsolidimin e tyre, fillimisht si embrione, më pas në organizime të brishta për të mbërritur në institucione akademike, e duke zënë vend si gurë të rëndë në themelet e shtetit. Pavarësisht nga modelet politike, në kohë, askush nuk i lëvizi këta ‘gurë’.
‘Çuditërisht’, pas viteve ’90, kur pritej, që së bashku me zgjerimin dhe thellimin e konceptit dhe kontekstit të sigurisë, këto institucione do të ruanin vendin në kolonat e shtetit duke u vlerësuar e reformuar për t’ju përgjigjur sfidave të reja, ndodh edhe paradoksi. Nën ciklin e ‘sindromit plepa’, të gjitha institucionet e arsimit, veçanërisht të sigurisë, ato u goditën, u paralizuan dhe u shuan, dhe ndryshe nga çdo vend tjetër në Perëndim dhe Lindje.
Opinioni publik, në shumicë, me ‘sindromin plepa’ ka ndjesinë e goditjes së sistemit të drejtësisë, pasojat e të cilit ende nuk janë riparuar. Por, në të vërtetë, ‘sindromi plepa’, si virus hamullor, 6-mujor, u mboll në të gjithë institucionet, veçanërisht me objekt sigurinë. Kjo goditje e ‘qëllimshme, mungesë kulture shtetërore, apo tepricë injorance’ pati efekte katastrofike për shtetin, ku viti ’97 ishte një prej gjoleve fundosëse. Këtë periudhë, studiuesi e lektori i mirënjohur i filozofisë dhe sociologjisë K. Mile e shpreh ‘…kur pritej, që objekt për pasojat 50-vjecare, të ishte ideologjia dhe sistemi, goditja ju dha strukturës së shtetit’.
Në të vërtetë, sindromi ‘plepa’ në fazën e parë goditi sistemin e drejtësisë, në fazën e dytë u goditën institucione që kishin objekt sigurinë e brendshme (akademinë e policisë dhe shërbimet inteligjente) dhe në fazën e tretë institucione që lidheshin sigurinë tradicionale (institucionet e mbrojtjes).
Kronologjia është interesante, nga dhjetëra shkolla publike të arsimit të mesëm profesional, cuditërisht u veçua dhe u godit vetëm shkolla ushtarake ‘Skëndërbej’. Nuk ishte fjala për kosto ekonomike. I ndodhur pranë malit të Korabit, ‘gjeniu konstant’ e quajti këtë institucion ‘shkollë jeniçerë’ dhe pa asnjë brerje ndërgjegje, ky institucion pushoi së ekzistuari. Trualli u tjetërsua, emri dhe busti i Skënderbeut u shkulën dhe skëndërbegasit mbetën një kujtim. Disa dhjetëra shkolla të tilla ‘skëndërbegase’ numërohen aktualisht në vendet e NATO-s. Kur studion historinë dhe modelet e tyre, sheh më çfarë kujdesi ruhen dhe mbrohen institucione të tilla.
‘Çdo ndërprerje e programeve, qoftë edhe për një vit kërkon më së paku 15 vjet për tu rihapur’ shprehej këshilltari gjerman kolonel Ernst, një nga njohësit më të mirë të modelit gjerman të akademive ne vitin e largët 1997. Profecia e tij u realizua, u deshën më shumë se 20 vite të rihapeshin akademitë, më parë ajo e rendit e më vonë edhe ajo e mbrojtjes. Dhe ndërsa vazhdonim të endeshim nëpër Egje, Bosfor, Tiren për të gjetur një vend për të përgatitur ushtarakët tanë, ‘sindromi plepa’ mbetej i vetmi model.
Kjo na dha mundësinë të ishim, deri para pak kohësh, shtet ‘gines’, anëtar i NATO-s, me forca të armatosura, por pa institucione arsimore. Edhe pse pranë nesh, aleatët strategjikë dërguan ekspertët më të mirë, tentativat për model të pastër ‘prusian’ në vitin 97-2000 apo të Uestpoint (2004 – 2008) dështuan përpara modelit të dëshiruar ‘plepa’. Në të njëjtën interval u goditën akademia e rendit, akademia ushtarake, por edhe akademia e aviacionit, dhe akademia detare.
Në 2013, në Konferencën Përfundimtare të Integrimit e pyeta zv/komandantin e ACT në Norfolk , se kur mund të ndodhte mbyllja e akademive ushtarake në vendin e tij. Nuk mundi të kuptoj pyetjen dhe pas përsëritjes u përgjigj ‘akademitë nuk mbyllen asnjëherë.. janë gurë të rëndë në themelet e shtetit, por edhe simbole të kombit..’. Një fakt intrigues: gjatë Luftës së Dytë Botërore, pa ndonjë pakt midis palëve ndërluftuese, u shmang goditja e akademive ushtarake.
Akademia e aviacionit, një akademi që kish prodhuar shqiponja të ajrit dhe heronj të lartësive, por që nën ‘kujdesin’ e politikës u zhduk sa hap e mbyll sytë. Me një infrastrukturë të lakmueshme dhe një eksperiencë të shkëlqyer, ajo që mund të zgjerohej dhe transformohej në një bazë edhe për aviacionin civil, i cili tashmë ulërin për njerëz të kualifikuar. Por ‘miopia’ apo lakmia për prona, zhduku çdo gjurmë të këtij institucioni.
Në të njëjtën kohë dhe mënyrë perëndon edhe epoka e artë e akademisë detare, thua se deti ishte larguar përfundimisht nga 340 km që lagte këtë vend. Ajo që prodhoi detarë për nëndetëse, katra silurues, dragamina apo edhe transoqeanikë, sot nuk i gjendet asnjë shenjë e historisë së saj. Askush nuk mund të argumentoj përse u mbyll një akademi e tille e duhur për dje, sot , nesër e përherë as ata që e urdhëruan diçka të tillë.
Është ironike, që për më shumë se 20 vjet drejtuesit më të lartë të mbrojtjes me pompozitet shfaqeshin nëpër akademitë e vendeve fqinje, që na ‘ndihmonin’ të përgatisnin oficerët e rinj ‘për mbrojtjen e vendit tonë’. Ndoshta, drejtuesit civilë nuk dinin apo ‘harronin’ se misioni kryesor i ushtarakut është mbrojtja e sovranitetit (kufirit shtetëror) nga rreziqet që vijnë nga … dhe kjo është arsyeja që ushtarakët janë monopol i vetëm kombëtar. Mjafton të ndjekësh një ceremoni titullimi, kur është e obligueshme që oficerët e rinj, të betohen solemnisht dhe këndojnë himnin kombëtar. Ky është standard unik për çdo shtet dhe kjo u jep pamje unike institucioneve të vendit duke i kthyer në simbole kombëtare.
Më pas ushtarakët shkëmbejnë eksperienca, dije, dhe programe reciproke me vendet partnere, të cilat ndihmojnë në suksesin e angazhimeve dhe objektivave të përbashkëta, në operacione paqeruajtëse, humanitare brenda apo përtej kufijve.
Ringritja e akademisë ushtarake, para pak kohësh, megjithëse shumë e vonuar, mbetet për tu vlerësuar si moment kthese për të pasur pamje dhe kontekste të ngjashme me ato vende që konsiderohen shtete. Në këtë linjë, do të jetë më se e mirëpritur edhe ringritja e Akademisë së Detarisë dhe ajo e Forcave Ajrore, për të rikthyer në normalitet edhe vetë kontekstin e sigurisë. Kooperimi i këtyre institucioneve me institucione të tjera akademike për programe të ciklit të dytë e të tretë do të ndikojë që të rigjejnë vendin që ju takon veçanërisht në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.
Sigurisht pas shkatërrimit famëkeq të institucioneve, tjetërsimit të trojeve të akademive, goditjes së infrastrukturës dhe gjithë logjistikes, ky proces do të kërkoj përpjekje intelektuale dhe buxhetore, por të paktën do të jetë një lëvizje në drejtim të normalitetit, të fundit të tranzicionit të korruptuar e kompromentuar keqas. Por, mos të harrojmë ata që e degdisën në këtë situatë, të çdo ngjyre, por jo kombëtare….
Kristaq Xharo – Kolonel në rezervë, Lektor për Çështjet e Sigurisë në UET (Prof.Dr) /Gazeta Liberale
Dihet,dihet shumë mirë se kush i shkatroi
këto institucione të rëndesishme për sigurinë dhe ardhmërinë e shtetit.Në shumë raste kam kërkuar
dënim për tradhëti kombëtare për KRYETRADHËTA-
RIN E VIÇIDOLLIT dhe ate me VDEKJE NË LITAR.Nuk ka
dënim të përjetshëm për tradhëti kombëtare!
Ky tradhëtari i viçidollit e bëri punën e patron-
ëve të beogradit dhe athinës.
VDEKJE TRADHËTARËVE TË KOMBIT!
Ja tani po.msoj qe paska pas nji shkolle Skenderbe afer Korabit.
Po nuk.mora vesh allahile kush pask qene kh gjeniu kostant
Korabi,
besoj se eshte me ironi per ish- Ministrin e Mbrojtjes Safet Zhulali (ish mesues matematike).
Ishte Zhulali nen kujdesin e Berishes qe shkaterruan ushtrine shqiptare.
Ne kohen e para 90, ishte PPSH qe kontrollonte punen ne ushtri, por duhet nenvizuar qe ne cdo vend (normal) te botes, ushtria mbron sovranitetin, dhe nuk ka rendesi se cila force politike ka qeverisjen.
Tek ne, ushtria dhe policia ishin te paret qe iu nenshtruan depolitizimit.
Nese policia ishte e thjeshte per tu tundur per hunde, (barcaletat me te fota jane per policet, dhe kjo ka nje fije vertetesie), me ushtaraket Zhulali & CO, e kishin me te veshtire. Oficeret jane te kompletuar ne fusha te ndryshme te jetes, dhe nuk eshte e lehte te tallesh menderen me ta. Zgjidhja e “gjeniut konstant” ishte shkaterrimi.
Ka edhe me teper. por kaq per tani.
Ushtria ne ate gjendje, or taj atje, ishte nje dinozaur sakat qe i kishte mbetur ne qafe Shqiperise, e nuk i hynte ne pune askujt. Tjeter gje se si u menaxhuan shkurtimet drastike dhe pislleqet qe e shoqeruan ate proces.