Çfarë na mëson 2017-ta, për zgjedhjet për kryetar të PD-së?

18 Maj 2021, 09:29Politika TEMA

Në 2017-ën, Partia Demokratike shënoi rezultatin më të dobët në zgjedhjet parlamentare, që nga themelimi i saj. Zgjedhjet u shtynë nga 18 qershori për më 25 qershor si pjesë e marrëveshjes politike të 17 majit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

Dy ditë pas tyre, kur rezultati pothuajse ishte mësuar, Lulzim Basha doli para mediave ku njoftoi “vetëngrirjen” e të gjitha funksioneve.

“Kam vendosur të ngrij të gjitha funksionet e mia organizative si kryetar i Partisë Demokratike dhe t’ua delegoj ato dy nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm, për të organizuar me fuqi të plotë vendimmarrëse garën për kryetarin e Partisë Demokratike sipas parimit një anëtar një votë”, deklaronte Basha thuajse katër vite më parë.

Kreu i PD fliste për një projekt të vetin, të cilin do ta debatonte me demokratët dhe ata ta vlerësonin atë projekt në një garë “të ndershme dhe të barabartë”. Por, gara nuk ishte as e ndershme, e aq më pak e barabartë.

Vendim i “ngrirjes” së funksioneve nga ana e kreut të PD-së u kritikua nga kundërshtarët e tij brenda partisë. Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Arben Imami, e deri edhe Genc Ruli (që më vonë u rikthye) e cilësuan si shpikje për të shmangur dorëheqjen dhe ikur përgjegjësisë së humbjes.

Sipas urdhrit të Bashës, nënkryetarët e asaj kohe, Edi Paloka, Edmond Spaho, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Arben Ristani ngarkoheshin më drejtimin e partisë drejt zgjedhjeve. Paloka e Spaho nuk humbën kohë dhe shpallën menjëherë vendimin për hapjen e garës për kryetar. Si datë u caktua 22 korriku, as një muaj nga data e zgjedhjeve.

Brenda të njëjtës ditë dy nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm thirrën mbledhjen e Kryesisë së PD për të diskutuar gjendjen politike në parti dhe procesin tashmë të nisur zgjedhor brenda saj. Mbledhja e kryesisë trajtoi kërkesën e disa anëtarëve për dorëheqjen e kryetarit Basha, por në fund, me 14 vota, 11 kundër dhe 20 abstenime, kryesia nuk bëri asnjë ndryshim.

Vendimi që mori Kryesia ishte zyrtarizimi i dy kandidatëve, Lulzim Bashës dhe Eduart Selamit dhe ngritjen e komisionit që do të organizonte zgjedhjet brenda partisë. Gjurma e parë se këto zgjedhje do të ishin sa për “sy e faqe” u la që me caktimin e Jemin Gjanës në krye të këtij Komisioni, i cili sapo kishte kritikuar ashpër ata që kërkonin dorëheqjen e Lulzim Bashës.

“Zgjedhja e tij në krye të komisionit zgjedhor de facto i humbi cdo element besimi paanësisë dhe profesionalizmit të mundshëm të këtij komisioni dhe paralajmëroi proces formal elektoral në zgjedhjet për kryetar në PD”, do të shkruante më vonë në një raport vëzhgues të këtyre zgjedhjeve, Instituti i Studimeve Politike.

ISP gjeti gjithashtu se akti i “ngrirjes” nuk bazohej në statut dhe krijoi paqartësi në procesin zgjedhor brenda PD. “Nga njëra anë zoti Basha nënkuptoi heqjen dorë nga ushtrimi i funksioneve, por tri ditë më pas, ai, me cilësinë e kryetarit të PD priti në takim drejtuesit e misionit ndërkombëtar të ODIHR. Njoftimi zyrtar u dha nga PD dhe faqja e saj zyrtare. Nuk pati reagim kritik as nga nënkryetarët e PD (ata ishin në krah të zotit Basha në takim) dhe as nga zoti Gjana me cilësinë e drejtuesit të komisionit elektoral”, thotë ISP.

Në atë kohë, Basha kishte kundër emra që konsideroheshin me peshë brenda Partisë Demokratike, si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Arben Imami, ish-ministrat Genc Ruli, Besnik Mustafaj e Majlinda Bregu. Por, asnjëri prej trye nuk u përfshi në garën për kryetar, duke e cilësuar atë si farës. Emri i vetëm që i doli përballë Bashës ishte Eduard Selami.

Në vend të zgjedhjeve për kryetar partie, kritikët e Bashës kërkuan dorëheqjen e tij dhe një analizë të humbjes, për të cilën fajësuan direkt atë. Kërkesat i shprehën edhe përmes forumeve të partisë, por ato u injoruan dhe për pasojë, asnjëri prej tyre nuk kandidoi dhe i bënë thirrje anëtarësisë së Partisë Demokratike që të bojkotonin procesin, që e cilësonin farsë.

Me të gjitha këto vendime e veprime u shkua drejt zgjedhjeve për kryetar të PD me fitues të paracaktuar. Ndaj, Basha dhe mbështetësit e tij nuk diskutonin fitoren, por pjesëmarrjen dhe administrimin e procesit zgjedhor. Në komisionet e degëve u emëruan mbështetës të tij. Për të rritur pjesëmarrjen pati udhëtime të organizuara, pagesa, votime familjare e të deleguara dhe për më tepër votime më shumë se një herë. Në fund, Basha fitoi me 91 për qind të votave dhe u rizgjodh në krye të PD për një tjetër mandat.

Ku ndryshojnë zgjedhjet e 2021?

Deri më tani ngjashmëritë se si u thirr Kryesia dhe Këshilli Kombëtar ditën e diel paralajmërojnë një proces pothuajse identik me 2017-ën, me ndryshimin e vetëm se këtë herë Basha nuk do të “vetëngrijë” funksionet si kryetar.

Komisioni i organizimit të zgjedhjeve iu besua sërish Jemin Gjanës, zgjedhjet u thirrën me shpejtësi për më 13 qershor, pa bërë më parë një analizë të humbjes së rezultatit, kritikët u vunë përballë “sikletit” që ose të pohonin se zgjedhjet e 25 prillit nuk u vodhën dhe Basha të dorëhiqej, ose të kundërtën.

Këtë herë, Basha nuk premton projekt, ashtu si në 2017-ën, por premton “luftë” në të gjitha frontet kundër Edi Ramës. Njëri front do të jetë edhe Kuvendi i ri, ku prej shtatorit PD do të rikthehet pas një bojkoti prej një viti e gjysmë.

Nga kritikuesit e 2017-ës kanë mbetur vetëm Arben Imami, ndërsa Arben Ristani, që atëherë e mbronte sot i ka dalë kundër. Ndërsa kandidat përballë deri më tani ka vetëm Fatbardh Kadillin. E në përpjekje për të mos lënë kohë për përforcim radhës nga rivalët brenda partisë, Lulzim Basha bën të njëjtën lëvizje si në 2017-ën, duke thirrur zgjedhjet për kryetar në një periudhë të shkurtër kohore.

Me këto zhvillime Lulzim Basha po shkon drejt marrjes së mandatit të tretë në krye të Partisë, por me në kurriz përgjegjësinë e tri humbjeve radhazi, nëse këtu nuk do të përfshijmë zgjedhjet vendore të 2019-ës që u bojkotuan prej PD.(Shqip)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje