Partia Demokratike 'ka vdekur' apo nuk 'ka lindur'

19 Maj 2021, 11:54Blog TEMA

Nga Pajtim Bello

Zërat që thonë se Partia Demokratike ka vdekur po shtohen dita ditës. Disa e thonë qartë e prerë, të tjerë më nënteks, por e thonë. Këndi i analizës shpesh nuk është i njëjtë por përfundimi i tyre është i njëjtë.

Por të gjithë bashkë gabojnë në një pikë sepse për ata “vdekja” e PD daton në 25 prill 2021. Kjo nuk është e vërtetë. Nëse i referohesh historisë së zhvillimeve demokratikë në Shqipëri mund të thuash se Partia Demokratike “ka vdekur” që kur ose më saktë ajo nuk lindi asnjëherë.

Po, nuk lindi asnjëherë dhe krijesa që u servir si Partia Demokratike nuk ishte e tillë. Asaj krijese iu vesh “këmisha demokratike” që shumë lehtë të merrte flamurin e zhvillimeve demokratike, kështu të “ideonte” e “udhëhiqte” proceset demokratike. Partia Demokratike më së shumti ishte një krijesë juridike pa shpirt dhe ideal demokratik; krijesë uzurpatore e idealeve të demokracisë!..

Në këtë proces nuk kemi të bëjmë me ndonjë gabim njerëzor apo me ndonjë rastësi. Vetë historia dhe akti i themelimit të PD e dëshmojnë këtë konkluzion. Grupi nismëtar u dominua dhe kontrollua nga njerëz pjellë e sistemit që do të rrëzohej prej tyre, nuk kishin asnjë aktivitet anti-sistem qoftë edhe kozmetik; por përkundrazi hynin tek të përkëdhelurit e sistemit dhe mbi të gjitha nuk kishin asnjë prej ardhje disidente.

Kjo larmi interesash ngjizi një front të fuqishëm ku u përjashtuan aktorë nga brenda dhe jashtë Shqipërisë. Interesat e këtyre grupimeve kanë qenë dhe vazhdojnë ende të jenë prioritet I veprimtarisë së PD. Herë prevalojnë interesat e njërit grup, herë të një grupi tjetër dhe jo rrallë ka përputhje vektoriale të interesave sidomos kur janë në dëm të interesave të Shqipërisë dhe të çështjes shqiptare!… Dhe në këtë rrugëtim shtigjet janë çarë përmes flamurit të PD, konvencion e demokracisë që PD e shpalli si të hipotekuar. Pra flamuri i PD është keq përdorur, është shfrytëzuar nga skifterët që kanë drejtuar këtë parti dhe është zhvlerësuar ndjeshëm qysh prej themelimit.

Dhe kështu si pa pritur e pa kujtuar erdhi kjo ditë e kiametit. Shumë kush thotë që PD duhet të rilindë kurse unë them se duhet të lindë. Nëse ka kontigjent demokratësh që mund ta realizojnë këtë proces, le ta marrin përsipër. Mos të hallakaten e të humbin kohën e mendjen nëpër silogjizmat e grupimeve konkurrente për Kryetar të PD në zgjedhjet e 13 qershorit 2021. Këto grupime kurdisen nga dora dhe çelësi i 11 Nëntorit 1990, kështu që do të prodhohet i njëjti rezultat; pra do të kemi një rrugëtim nëpër një spirale horizontale. Në fund të udhëtimit nuk do të ketë ngjitje, nuk do të ketë ndryshim por përsëri zhgënjim.

Nëse duan një Parti Demokratike, të themelojnë një të tillë të vërtetë. Kushtet sociale, politike dhe historike nuk janë të ezauruara. As ideali, përkundrazi është më i ndezur prej tradhtisë që i kanë bërë skifterët e viteve 90-91. Mund të jetë një lindje e vështirë por historikisht është e nevojshme.

Nëse në atë front politik ka idealist guximtarë, kjo realizohet. Në vitin 1990 ishin vështirësi specifike prej shumë rrethanave që i impononte koha, kurse sot gjërat kanë ndryshuar. Guximtarët duhet ta provojnë. Vetëm kështu do të dalin prej spirales ku udhëtojnë nga zhgënjimi në zhgënjim. Në të kundërt nuk do të mbeten as aty ku janë, do të luftojnë me mullinjtë e erës dhe do të zhvlerësohen më shumë përmes një procesi dështimesh.

6 komente në “Partia Demokratike ‘ka vdekur’ apo nuk ‘ka lindur’”

  1. Çika says:

    Mire thua ti mo Bello, por i le Saliu qe te ngrejne koke? E kini pare se si ish te perndjekurit dhe ish pronaret sorrollaten prej vitesh si fuge rreth partise demokrate dhe kane mbetur si shegerte te ish sigurimsave!.. Dashte zoti dhe zgjohen por nuk me duket diell qe ngroh. Çika

  2. Mirëdita says:

    Urime z. Bello per kurajon politike dhe intelektuale per ta ndricuar kete te vertete dhe per te ndihmuar ne LINDJEN e polit te djathte NATYRAL ne Shqiperi.
    Neqoftese nuk ecet ne kete rruge qe natyrshem argumentoni ju, e ashtuquajtura PD e sotme do te vazhdoje te mbetet nje prone private dhe grupim paramilitar.
    Per me teper, do te jete Shqiperia qe do te vuaje, sepse asaj i mungon nje pol NATYRAL i djathte.

  3. Shpellari says:

    Plotesish e drejte. Fatkeqesisht, PD morri nje emer (‘demokratike’) qe nuk i takonte. Nje pjese e konsiderueshme e drejtueseve te kesaj partie perfaqesojne llumin e shoqerise shqiptare – ish komunist te zellshem, karrierist, krimineler, hajduter, pijanecer, injorantet…..

  4. Teli says:

    Me mire te thuhen gjerat shqeto. E verteta eshte se PD e mbyten sigurimsat qe ne themelim e deri sot. Nuk eshte PD qe u enderrua dhe prandaj nuk na shpuri atje ku enderronim. Na shpuri ne nje stacion te gabuar. Teli

  5. sokrat amataj says:

    Nese pyetet, ka lindur nje parti qe aspiron per demokraci te vertete ne Shqiperi, sigurisht qe ka lindur. Nese ajo parti quhet socialiste apo demokratike, kjo pak rendesi ka. E rendesishme eshte rezultati i punes se saj. Te e fundit “demo-” dhe “socio-” i referohen te dyja te njejtes gje: shoqerise njerezore – popullit.
    Eshte puna e permbajtja fytyra e partise, jo dy gishtat perpjete, as emri. Gishtat dhe emri jane guna, po guna nuk eshte veshje ne çdo rast. Mund te jete dhe maske.
    Per mendimin tim, them se do te ishte me e drejte qe kjo pyetje t’u drejtohej gjithe partive qe linden nga i njejti bark – Partia e Punes e Shqiperise, sepse te gjitha vune si objektiv te pare te programit te tyre demokracine. Asnje nga ato s’lindi e vdekur, te traumatizuara – po! Si ne çdo lloj lindje, njerezish, kafshesh, shtetesh, partishe. Nuk lind asgje e persosur, siç e duam e presim ne shqiptaret. Nuk ka, o lind i vdekur o i persosur. Rendesi ka nese i porsalinduri e mbijeton traumen e lindjes, sesi ngrihet ne kembe, ç’rruge do te zgjedhe drejt se ardhmes, nga cilat burime do te pije uje dhe me çfare ushqimi do te ushqehet.
    PD pati shanset me te mira per te mbijetuar e per t’iu futur rruges se duhur drejt nje demokracie te vertete, sepse pati mbeshtetjen e gjithe popullit shqiptar e te gjithe botes demokratike. Per fat te keq te saj, burimet e ushqimet nga ku ajo piu dhe u ushqye nuk ishin te duhurat, e ajo kaloi mga deshtimi ne deshtim, e sot eshte ne agoni.
    E kunderta ndodhi me binjaken e saj, PS-ne. Ndryshe nga PD, ajo nuk e mohoi barkun nga ku lindi. Damka e bijes se nje partie qe ish shpallur non grata nga shqiptaret e gjithe komuniteti nderkombetar nuk ishte aq e lehte te shqitej prej saj. Nese ajo u hoq me ne fund e ajo parti doli ne krye te procesit te demokratizimit, kjo ndodhi sepse PD e braktisi ate proces, madje u rreshtua kunder.
    Fatkeqesia e PD eshte se askush nga te zgjuarit e saj nuk e kupton qe ajo parti sot dergjet ne shtrat te vdekjes e se do duhet te çohet nga ai shtrat e te shendoshet ne çdo qelize para se te shpresoje te ngrihet nga agonia ne lartesite e pushtetit. Ky proces nuk ndodh tak-fak sepse duan mbeshtetesit e saj apo drejtuesit e saj.Do kohe te jape fryte. Kadilli e cilido tjeter qe betohet ta munde Ramen nese vihet ne krye te PD eshte sot per sot nje zombi, asgje tjete, e do t’i duhet ca kohe sa te dale ne boten e te gjalleve.
    Pa thene pastaj qe do t’i duhet te punoje me mire e me shume se Edi Rama dhe Partia Socialiste.

  6. Arben says:

    I dashur miku im i vjeter Pajtim! edhe kete here ke bere nje artikull si ato qe di ti shkruash vetem ti.
    Te uroj shendet dhe mire u takofshim ne viziten time te rradhes ne Tiranen tone.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje