Autoritetet në Singapor kanë miratuar provizorisht një pajisje të ngjashme me atë të testit të alkoolit që synon të tregojë nëse dikush është i infektuar me COVID-19, brenda një minuti.
Breathonix, një kompani e Universitetit Kombëtar të Singaporit (NUS), tha se tani po punon me ministrinë e Shëndetësisë për të vendosur një provë të teknologjisë së re në një nga pikat kufitare me Malajzinë.
Analiza e frymëmarrjes do të kryhet së bashku me provën aktuale të detyrueshme të COVID-19.
Kompania bëri me dije se vitin e kaluar testi i frymëmarrjes arriti më shumë se 90% saktësi në një provë klinike.
Sistemi përdor grykëzat e veçanta dhe është krijuar për të siguruar higjenë maksimale. Pas fryrjes në pajisje, teknologjia vlerëson përbërjet kimike të frymëmarrjes për të përcaktuar nëse një person është i infektuar.
Çdo individ i shfaqur si pozitiv do të duhet t’i nënshtrohet një testi konfirmues të COVID-19.
Breathonix tha se është në diskutim me disa organizata lokale dhe të huaja për të përdorur pajisjen, duke përmendur dhe një interes të fortë tregtar. Vende të tjera, përfshirë Indonezinë dhe Hollandën, kanë kryer teste të ngjashme të frymëmarrjes.