“Kam lënë Rumaninë komuniste për Perëndimin dhe tani po luftoj një ideologji të ngjashme”.
Intervistë me Sergiu Klainerman, matematikanin e famshëm e Princeton University.
“Kam mbetur jashtëzakonisht i surprizuar kur kam lënë Rumaninë në moshën 25 vjeçare dhe, pasi kam dalë në Perëndim, kam kuptuar se njerëzit më të arsimuar që kisha takuar qenë armiqësorë ndaj demokracisë perëndimore”. I lindur në Bukuresht në një familje hebreje komuniste në vitin 1950, Sergiu Klainerman njihet sot si një prej matematikanëve më të rëndësishëm amerikanë (është një prej “gjenive” të Çmimit MacArthur). Ka kontribuar në studimin e ekuacioneve të derivateve të pjesshme hiperbolike dhe jep Matematikë në Princeton University. Prej pak kohësh, Klainerman është i impenjuar në një betejë jo me numrat, por në mbrojtje të lirisë së fjalës. Në “Newsweek”, Klainerman ka shkruar një editorial shumë të ashpër kundër Christopher Eisgruber, rektorit të tij, që kishte folur për “racizëm sistemik” në fakultetet e tij.
“E quajnë “diversitet dhe përfshirje”, por nënkupton më pak diversitet opinionesh dhe më shumë ndarje e përjashtim”, shpjegon Klainerman. “Marksizmi ka qenë shumë i aftë në individualizimin e disa difekteve të kapitalizmit, por ka qenë i tmerrshëm në ofrimin e zgjidhjeve. Marksistët qenë të obsesionuar ndaj ndonjë lloj forme të tmerrshme totalitarizmi. Kapitalizmi është treguar shumë më i aftë nga sa e imagjinonin marksistët, pjesërisht për shkak të përshtatshmërisë së tij. Kjo ka çuar në një formë të re kritike që nis me Antonio Gramsci dhe e bazuar mbi idenë se marksistët duhet t’i drejtojnë sulmet ndaj “kulturës hegjemone” me anë të së cilës kapitalizmi mban pushtetin. Kjo vëmendje ndaj kritikës së shoqërive perëndimore me qëllimin final e dobësimit e të shkatërrimit është vazhduar nga Shkolla e Frankfurtit me “Critical Theory”, e sjellë në Shtetet e Bashkuara në vitet ‘30, ku gjeti një hapësirë të vogël nëpër kolegje”.
Një teori që në vitin 1962 në mënyrë sarkastike György Lukács e ka quajtur “Grand Hotel Abgrund” (Abis). Fakti i lindjes në një familje komuniste e ka vendosur Klainerman në një pozicion të privilegjuar nga ku të vëzhgonte sistemin. “Kam lindur i intoksikuar prej miteve heroike sesi komunistët altruistë po ndërtonin shoqërinë më të mirë të mundshme, ndërkohë që shkatërronin rezistencën e kotë e reagimeve të reaksionarëve ngurrues. Më është bërë lavazhi i trurit lidhur me Bashkimin Sovjetik si model i çdo virtyti, deri në pikën sa kam mbetur i shokuar në moshën 8 vjeçare kur kam dëgjuar një djalë më të madh në rrugën time të thoshte gjëra të këqija për Bashkimin Sovjetik. Mund ta zbres në atë moment si fillesën e të gjitha zhvillimeve të mia të mëpasme ideologjike. I vendosur të bindesha se ai djalë e kishte gabim, nisa të dëgjoj me vëmendje çdo lloj kritike ndaj Bashkimit Sovjetik dhe, më në përgjithësi, ndaj komunizmit, me shpresën që mund të dilte gabim. Im vëlla, më i madh se unë, i bombardonte prindërit me pyetje lidhur me budallallëqet e propagandës që i
mësoheshin në shkollë. Im atë, që duhej të kishte filluar të ushqente dyshime lidhur me sistemin nga koha e kaluar në Moskë nën Stalinin kur bënte shkollën për Mjekësi, ishte në qasje mbrojtëse dhe i zemëruar. I preokupuar edhe se bisedat tona mund të përgjigjeshin nga Securitate, KGB rumune. Përgjigja e tij ishte se nuk e kishim ide sesa më i keq kishte qenqë regjimi i mëparshëm. Kjo nuk më ka ndihmuar që t’i largoj dyshimet”.
Një tjetër goditje, më e madhe, ka ndodhur më vonë, në moshën 15 vjeçare. “Kur kam lexuar në frëngjisht “Darkness at noon” të Arthur Koestler. I frymëzuar nga proceset gjatë Spastrimeve të Madhe staliniane, libri më ka tronditur thellësisht. Nga aty, zgjimi ka qenë mjaft i shpejtë. Kam përpirë “1984” dhe “Fermën e kafshëve” të Orwell dhe e kujtoj si sot eksitimin dhe frikën. Kam mundur të lexoj në frëngjisht Solzhenicinin dhe kështu dyshimet janë bërë sfida ndaj ideologjisë komuniste. Një tjetër element i rëndësishëm që ka çuar në zgjimin tim ka qenë Radio Free Europe, një organizatë e financuar nga Shtetet e Bashkuara që transmetonte në Europën Lindore. E dëgjoja me tim atë, që tashmë e kishte realizuar zgjimin e tij. Kjo radio ishte dritarja e jonë për botën. Por, në fund, nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa përvoja e drejtpërdrejtë e jetës në Rumaninë e Çausheskut”.
Rutina e përditshme. “Efekti që kujtoj me saktësi është ndjesia e të jetuarit në një botë skicofrenike me dy realitete të kundërta. Ajo zyrtare, e shpalosur nga mëngjesi në darkë nëpërmjet radios, televizionit, gazetave, filmave dhe librave, në klasa dhe në takimet zyrtare në shkollë. Ishte një festim i rezultateve të mëdha të liderit dhe e njohjes e mirënjohjes unanime, përveçse nga një grup i vogël tradhëtarësh reaksionarë. Realiteti i dytë ka qenë përvoja personale e mungesës së gjithçkaje, e radhave të pambarimta për ushqime, fytyrave të lodhura e të vuajtura nëpër rrugë dhe e elozheve automatike, të çmendura, për partinë dhe politikat e saj në të cilat qemë shtrënguar. Dhe realitetin e punës së detyruar, e ashtuquajtur vullnetare, pasi fabrikat kolektive të regjimit qenë tmerrësisht të papërshtatshme. Dhe realiteti i hipokrizisë së përhapur, i cinizmit, i korrupsionit dhe i dëshpërimit, por edhe i rezistencës së qetë të popullsisë, që manifestohej në batuta dhe shprehje private përçmimi midis miqsh të ngushtë dhe familjarësh”.
Sot forma të ndryshme të teorive kritike pseudomarksiste donimojnë departamentet akademike perëndimore, “Gender Studies”, “African American Studies”, “Ethnic Studies Sociology”…. “Merr një grup të çfarëdoshëm identitar dhe mund të gjesh një teori kritike, nga raca, tek feminizmi, tek pedagogjia kritike, që kritikon raportin midis pedagogut dhe studentit, që sipas Paulo Freire është si ai midis kolonizatorit dhe të kolonizuarit. Këto teori sigurojnë hartat për liberalizimin e strukturës së pushtetit dominues. Janë të lidhura nga “ndërseksionaliteti”, që pretendon se identitetet (gjini, seks, racë, aftësia e kufizuar, pamja fizike, gjatësia, pesha) kombinohen për të krijuar diskriminim apo privilegj. Shtojini një vizion apokaliptik të ndryshimit klimaterik dhe një dozë të madhe absolutizmi moral dhe urrjejtjeje për kapitalizmin dhe do të keni konturet kryesore të fenomenit “woke””.
Është një prej fjalëve kyçe të 2020. “Në ndryshim nga Shkolla e Frankfurtit që ishte e ankoruar pas idealeve të Iluminzimit, këto teori të reja kritike janë të influencuara nga një vizion pasmodern sipas të cilit të vërteta dhe gjykime morale varen nga konteksti historik dhe social. Për pasojë, individualizmi, puna, familje të qëndrueshmë, mendim logjik dhe objektivitet shkencor janë tipare të të “bardhëve” dhe çdo tentativë afirmimi që janë virtyte universale konsiderohet raciste. Deklarime të tilla janë shfaqur kohët e fundit në një grafik në Smithsonian National Museum of African American History and Culture dhe në media, si “New York Times”, ose në programe mbi diversitetin në institucione të ndryshme qeveritare si Departamenti i Shtetit dhe të Thesarit, FBI, forcat e armatosura, laboratorët kombëtare apo kompanitë e mëdha. Pavarësisht difekteve të kaluara dhe të tashme, qytetërimi perëndimor ka një aftësi të konsiderueshme për t’u korrigjuar dhe vetëpërmirësuar, duke gjeneruar njëkohësisht përparime të jashtëzakonshme në dije dhe në gjendjen njerëzore që e kemi parë në shekujt e fundit. Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr miliona emigrantë, përfshirë mua, mbi bazën e reputacionit e të qënit një vend që vlerëson lirinë dhe çmon punën e talentin pa marrë parasysh racën, etninë, gjininë apo besimin fetar. E prirur që t’i ndajë njerëzit në bazë të identitetit, e paaftë që të shikojë diçka pozitive në histori, e obsesionuar nga çgroposja e çdo forme të fshehtë shtypjeje, shpesh imagjinare, dhe e gatshme që dënojë çdo kundërshti ndaj ideologjisë së tij, lëvizja “woke” është një rrezik i rëndë jo vetëm ndaj integritetit të universiteteve tona, por të vendit”.
Ibrahim Kendi, një prej liderëve kryesorë të “woke”, ka thënë se “nuk ekziston ide joraciste”, vetëm “ide raciste dhe ide antiraciste”. “Është analoge më thënien leniniste sipas të cilës ata që nuk janë me ne janë kundër nesh”, na thotë Klainerman. “prej vitesh, të gjithë universitetet kanë investuar shumë në diversitet dhe përfshirje. Ka pasur një ekspansion të madh të një administrate, funksioni i vetëm i së cilës është i shtytjes për një diversitet akoma edhe më të madh. Universitetet krijojnë kuadro mësuesish, gazetarësh dhe administratorësh që vazhdojnë të shtyjnë ideologjinë nëpërmjet shoqërisë. Në qendër të komunizmit ishte barazia radikale dhe drejtësia sociale në shpërfillje të hapur të lirive. Për prindërit e mi, vetëm komunizmi mund ta shpëtonte botën nga shfrytëzimi, racizmi, lufta dhe pabarazia ekonomike. Por, paradoksalisht, komunizmi ka prodhuar shoqëri ku shfrytëzimi dhe pabarazia qenë galopante. Kam mësuar nga historia e trishtë e prindërve të mi, që u ndjenë krejtësisht të tradhëtuar nga sistemi, se shoqëritë që sakrifikojnë lirinë në emër të barazisë i humbasin që të dyja”.
Në Rumani Elena Çaushesku, një grua me vetëm 3 klasë shkollë, por edhe gruaja e diktatorit Nikolae, u nderua në universitete. “Ashtu si vendet e tjera komuniste, Rumania kishte një sistem të dyfishtë vlerësimi, një mbi meritën dhe tjetrin mbi aktivizmin politik. Elena Çaushesku u bë anëtare e Akademisë së Shkencave si kimiste. Një batutë thoshte se po kërkonte akoma diplomën e shkollës së mesme. Më emër të diversitetit dhe të përfshirjes, universitetet amerikanë, ende më të mirat në botë, po ndjekin një rrugëtim të mngjashëm vetëshkatërrimi. Kur pedagogët nuk punësohen më në bazë të meritës, por të barazisë, ekselenca akademike bie. Pas një pikë të caktuar, rënia nuk është më graduale, kolapsi është një përshkrim më i paërshtatshëm”.
Klainerman beson se rezistenca ndaj “woke” është në zhvillim. “Njerëzit që i kundërvihen kanë nisur të organizohen në emër të lirië akademike, të neutralitetit racial, etnik e religjioz. Në Princeton, një grup pedagogësh, përfshirë mua, po ndërtojnë një organizatë për lirinë e fjalës sipas modelit të NATO, domethënë “një sulm ndaj lirisë së njërit është një sulm ndaj të gjithëve”. Të gjithë anëtarët do të ngrihen në mbrojtje të një kolegu”.
“Cancel culture” ka dominuar 2020. “Dëshiron të dobësojë insitucionet kulturore perëndimore. Në këtë ja kanë arritur deri shumë mirë. Kanë krijuar një ideologji mjaft të fortë sa të mund të kalojë në gjendjen e mëpasme, të shkatërrojë atë që mbetet. Ama dyshoj se mund ta bëjnë”.
Mendimi kthehet tek autori i “Arqipelagut Gulag” që foli në Harvard gjatë Luftës së Ftohtë. “E kam rilexuar diskutimin e Solzhenicinit të vitit 1978 të titulluar “Një botë e ndarë”. Më duhet ta pranoj se i kisha humbur një pjesë të madhe të domethënies. Është një fakt tragjik i gjendjes njerëzore që aspirata dhe nevoja të rëndësishme si liria, drejtësia, barazia, siguria personale, spiritualiteti dhe shprehja e vetes, në mos saktësisht në kontradiktë midis tyre, janë në një gjendje konflikti të përhershëm. Siç imagjinohet nga marksizmi dhe nga ideologjia “woke”, barazia radikale është në kontrast me natyrën njerëzore; është e papajtueshme si me lirinë, ashtu edhe më drejtësinë dhe mund të imponohet vetëm me forcë. Nuk është rastësi që pronësia private dhe familjet borgjeze, burimet më të mëdha të pabarazisë në çdo shoqëri, por edhe garantë të mëdhenj të lirive individuale, kanë qenë përshkruar nga Marksi tek “Manifesti i Partisë Komuniste”. Edhe aspiratat spirituale mund të çojnë në anullimin e lirive dhe në konflikte të tmerrshme. Por mungesa e religjionit mund të jetë akoma edhe më problematike, pasi njerëzit tentojnë që ta mbushin boshllëkun me religjione më fanatike dhe jo të kufizuara nga besnikëria ndaj teksteve të lashta. Për shumë, fenomeni “woke” është një religjion i ri pasmodern”.
Arësye dhe besim, thotë Klainerman. “Në mungesë të arësyes, besimi mund të na nxjerrë jashtë rruge, por arësyeja pa besim xhiron në boshllëk, është shterpë. Njerëzit mendojnë se shkenca apo matematika janë të bazuara mbi arësyen, por kjo thjesht është e gabuar. Një teoremë matematikore paraqitet si një sekuencë e gjatë argumentash logjikë, por nuk është mënyra me të cilën matematikanët arrijnë tek e vërteta. Çdo teoremë fillon me një akt besimi. Si mistik, Kepleri ishte i obsesionuar pas faktit që bota fizike mund të shpjegohej nga matematika dhe kështu edhe Koperniku, Galilei, Lajbnici dhe Njutoni. Zoti fliste nëpërmjet numrave. Është besimi ai që jep qëllim e drejtim, është arësyeja ajo që e mban nën kontroll besimin. Është domethënëse që konceptimi filozofik i mendimtarëve racionalistë, duke filluar nga Dekarti, sipas të cilit e vërteta duhet zbuluar nga arësyeja e vetme, ka çuar në konkluzionin e kundërt të mishëruar në relativizmin radikal të pasmodernëve si Fuko e Derrida.
Besoj se sukseset e jashtëzakonshme e qytetërimit perëndimor i detyrohen një ekuilibri shumë fatlum, shpesh jo i përkryer, nganjëherë i copëtuar, midis aspiratave njerëzore, i lehtësuar nga një ekuilibër i brishtë midis arësyes dhe besimit. Siç vërehet nga Solzhenicini, faktorë të ndryshëm, përfshi të drejtat e reja, të shtyrë nga e majta, kanë ndryshuar ekuilibrin midis lirisë dhe përgjegjësisë. Ky proces, i rritur nga daullja konstante e kritikës neomarksiste ndaj vlerave dhe zakoneve kulturore, e përsëritur si papagall nga mediat dhe Hollivudi, ka çuar në një ezaurim të kapitalit njerëzor dhe në kolapsin e besimit. Jo vetëm besimi tek Zoti, siç shkruan Solzhenicini, por në fatin tonë të përbashkët. Projekti woke është i rrezikshëm, por liderët tanë duken ose të vendosur ta ndjekin, ose janë tejet frikacakë sa për t’i rezistuar. Procesi i përkeqësimit është i shpejtë”.
Pyetja që Klainerman bën është një: “A mund të përmbyset ky proces dhe të rivendoset ekuilibri? Solzhenicini nuk duket se besonte që ishte e mundur dhe tregonte një lloj ringjalljeje mistike. Ja sesi përfundon diskutimi i tij: “Në rast se bota nuk ka arritur në fund, i është afruar një kthese të rëndësishme në histori, e barabartë me kalimin nga Mesjeta në Rilindje. Do të kërkojë nga ne një valë shpirtërore, një ngjitje të ngjashme me ngritjen në stadin e ardhshëm antropologjik. Askush në Tokë nuk ka rrugë tjetër për të përshkruar përveçse për lart”.
Shokimi qe i jashtëzakonshëm. Qe Richard Pipes, sovjetologu i Harvard, ai që e shprehu tronditjen duke dëgjuar Solzhenicinin: “Kishim dëgjuar një sulm shkatërrimtar ndaj Perëndimit bashkëkohor. Ishte sikur oratori, një refugjat nga Ferrit, të na kishte dënuar ne, banorëve të Purgatorit, që të mos jetonim në Parajsë”. Por qysh atëhere, në vend të kacavjerrjes së treguar nga shkrimtari i shtypur, kemi zbritur në seri të tjera dhe rrathë të “progresit”.
(nga Il Foglio)
Përgatiti për TemA, ARMIN TIRANA
Fund e krye nje propagande bajate antikomuniste qe perpiqet te justifikoi tmerret qe afron sistemi kapitalist duke i vene perballe “tmerreve” te sistemit socialist.Vetem nje pyetje alegorike do ta rezonte kete ngrehine propagandistike. A jane ne sistem politik kapitalist vendet e Amerikes Latine ku mbreteron injoranca dhe shpesh mjerimi per te siguruar edhe medikamentet me elementare si aspirina dhe paracetomoli?, A jane te tilla vendet e Afrikes ku ende te merr jeten malarja dhe ebola ndersa analfabetizmi pret dhe percjell gjate gjithe jetes me miliona njerez? Apo kapitalizem na qenka vetem Amerika, Kanadaja dhe vendet e Europes perendimore qe mbajne akoma si kolonit e dikureshme dhjetra popuj e shtete te Botes se Trete? Tmerret e kapitalizmit i konfirmon historia gjakatare e tij, kolonializmi dhe neokolonializmi ku shtypen e shfrytezohen barbarisht dhjetra e qindra milon fryme njerzore, jane dy luftrat e tij te perbindeshme jane luftrat e pafund ne vendet e Afrikes dhe Azise qe nuk kane pushuar asnjehere deri sot e kesaj dite duke u marre jeten qindra mijra njerezve te pafajshem ane e kend globit, eshte pasiguria dhe paaftesia qe tregoi ky sistem perball nje virusi, duke lene ne meshire te fatit jeten e miliona njerezve ne territoret e ketyre vendeve ,pa bare fjale per vende te varfra ku pandemia vazhdon te beje kerdine.