Nga Charles Edel, The Hill
Sipas presidentit aktual të SHBA-së, Joe Biden, tipari përcaktues i sistemit ndërkombëtar është sot konkurrenca midis demokracisë dhe autoritarizmit. “Ne jemi në një përballje midis atyre që argumentojnë se…autokracia është mënyra më e mirë për të ecur përpara, dhe atyre që e kuptojnë se demokracia është thelbësore”- deklaroi Biden në shkurt.
Takimet e tij të hershme me udhëheqësit e huaj,kanë nënvizuar pikërisht këtë qasje. Kur u takua me udhëheqësit e Japonisë, Australisë dhe Indisë në muajin mars, Biden premtoi se do të angazhohet për të ruajtur një rajon të lirë dhe të hapur në Indo-Paqësor, gjë që sipas tij mund të japë rezultate praktike për problemet më ngutshme.
Gjatë turit të tij në Evropë muajin e kaluar, Biden u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara janë në një garë ku “qeveritë autokratike në të gjithë botën, po vënë në dyshim nëse demokracitë mund të konkurrojnë me ta në shekullin XXI-të që po ndryshon me shpejtësi”.
Pasi bota pa në krye të SHBA-së admirimin e një presidenti amerikan ndaj udhëheqësve autoritarë, fjalët e Biden mbartin një lloj jehone freskuese, e cila tingëllon e njohur. Kjo sepse marrëdhënia me regjimet autoritare nuk është një sfidë e re, por më e vjetra në historinë e Amerikës.
Themelimi i Shteteve të Bashkuara 245 vite më parë, u justifikua si një luftë kundër abuzimit të pakufizuar, arbitrar dhe të papërgjegjshëm të pushtetit nga një mbret i largët. Kjo është arsyeja se përse dokumenti themeltar i Amerikës, Deklarata e Pavarësisë, e bazoi thirrjen e saj revolucionare ndaj kombësisë në pohimin se “çdo princ, karakteri i të cilit prodhon veprime që mund të ndërmerren nga një tiran, është i papërshtatshëm për të qenë sundimtari i një populli të lirë”.
Përveç shërbimit si një justifikim për rebelimin politik, kjo deklaratë artikuloi edhe kundërshtimin e Amerikës ndaj modeleve të mbyllura dhe autoritare të qeverisjes, të cilat amerikanët i njihnin vetëm nga jashtë, dhe që kishin frikë se mund të instaloheshin edhe në vendin e tyre.
Në fakt, konkurrenca midis parimeve demokratike dhe sundimit autokratik, qëndron në zemër të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së. Dokumenti bazohet në premisën, sipas së cilës qeveritë duhet të bazohen në pëlqimin e të qeverisurve të tyre, se qëllimi i një qeverie është të mbrojë të drejtat e qytetarëve të saj dhe t’u sigurojë atyre liritë, dhe se qeveritë që abuzojnë me to e humbin legjitimitetin e tyre.
Liria dhe nënshtrimi, mbahen si sisteme rivale më njëra-tjetrën, dhe megjithëse Deklarata e Pavarësisë mund të mos e kishte përshkruar me hollësi formën e shtetit të ri amerikan, ajo përcaktoi gjithsesi një pozicion të qartë të armiqësisë së shtetit të ri me qeveritë që i konsideronte si jo-liberale.
Që në fillim, një grupim i spikatur politikanësh që e ka dominuar mendimin politik amerikan, e ka kuptuar se vendi është i mbërthyer në një garë për ndikim me rivalët autoritarë. Kjo sfidë ka marrë forma të ndryshme, dhe është thirrur me emra të ndryshëm në kohë të ndryshme.
Gjatë shekujve XVIII-XIX, amerikanët u paralajmëruan mbi rreziqet e monarkisë, tiranisë dhe despotizmit. Në shekullin XX-të, ishin regjimet autokratike, fashizmi dhe totalitarizmi. Sot, debati politik dhe planifikimi strategjik, janë gjithnjë e më të përqendruara në luftën kundër liderëve autoritarë.
Dhe pavarësisht nga ndryshimet midis këtyre sistemeve, udhëheqësit politikë amerikanë i kanë cilësuar vazhdimisht ato si të kundërta me sistemin republikan të kombit amerikan, ideologjisë liberale dhe interesave të tij gjeopolitike.
Një antipati e tillë ka shërbyer si tipari ndoshta më i rëndësishëm, dhe më i qëndrueshëm në marrëdhëniet e SHBA-së me botën, edhe kur ka ndryshuar natyra dhe nomenklatura e kësaj sfide. Por asnjëra nga këto nuk sugjeron se kundërvënia e Amerikës ndaj regjimeve autoritare, ka qenë krejtësisht e qëndrueshme.
Sigurisht, historia na siguron shembuj të Shteteve të Bashkuara, që kanë zgjedhur në disa raste të kenë raporte me regjime autoritare, kur kjo gjë ka qenë politikisht e dobishme, ose sepse vendi ka qenë aq i fortë, qoftë vetë apo bashkë me shtetet e tjera, ose për të ekuilibruar një shtet ekspansionist.
Dhe në disa raste, antagonizmi ndaj shteteve autoritare, i është nënshtruar interesave ekonomike. E megjithatë, tendenca më e qartë në përgjigjen e Amerikës ndaj regjimeve autoritare ka qenë kundërshtimi – ndonjëherë i mjegullt, por përgjithësisht i qartë, dhe shpesh armiqësor – shoqëruar me besimin se sistemet demokratike janë më të mira në promovimin e stabilitetit shoqëror, prosperitetit dhe sigurisë.
Një kundërshtim i tillë prej një kohe të gjatë, nuk është arsyeja e vetme pse presidenti aktual Joe Biden e ka adoptuar një qasje të tillë. Inkuadrimi i sfidës së Amerikës si një sfidë e natyrës ideologjike, dhe parashikimi i përgjigjes së Amerikës bazuar në vlerat që mbron, përbën një përgjigje direkte ndaj qasjes “Amerika e Para” të ish-presidentit Donald Trump, i cili mbajti marrëdhënie shumë të ngrohta me sundimtarë autokratë jashtë vendit, dhe i degradoi normat demokratike në vend.
Kjo qasje, i jep koherencë një strategjie të fokusuar tek mbrojtja e demokracisë, dhe ndihmon në shpjegimin e logjikës që nxit dhe orienton një bashkëpunim më të thellë midis demokracive të Indo-Paqësorit dhe atyre evropiane.
Po kështu, ajo ka më shumë të ngjarë që të rezonojë brenda vendit, dhe të ndihmojë në mobilizimin dhe mbështetjen e vullnetit politik dhe burimeve ekonomike. Një qasje e tillë bart rreziqe të natyrshme, përfshirë edhe prirjen për të reaguar me tepri, dhe tendencën për ta parë një garë ideologjike në çdo ngjarje ndërkombëtare, apo edhe zakonin për të shënjestruar si armiq ideologjikë kundërshtarët vendas dhe grupet më të prekshme.
Deri më tani, Shtëpia e Bardhë duket se është e vetëdijshme për këto rreziqe, dhe po ndërmerr hapa konkretë për t’i reduktuar ato. Ajo do të duhet që të vazhdojë ta bëjë këtë, sidomos teksa Joe Biden po i angazhon Shtetet e Bashkuara në një “garë ekstreme” me rivalët e saj.
E megjithatë, është e vështirë të mendohet për një kornizë më të mirë, më të përmbledhur dhe të fuqishme të kësaj përballjeje, si një garë midis sistemeve rivale. Ajo përputhet jo vetëm plotësisht me traditën e gjatë anti-autoritare të Amerikës, por kupton më së miri rreziqet në përballjen e sotme. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al