Gjueti në shtëpinë e shtetit

14 Korrik 2021, 18:50Politika TEMA

Nga Frrok Çupi

Kjo ka ndodhur: ka nisur gjuetia në shtëpinë e shtetit, nuk po ndodh apokalipsi. Zyrtarët që vrisnin që nga kulla e shtetit, tani po gjuhen nëpër labirinte aty brenda. SPAK, si një gjuetar nate, po shtrin duart nëpër skutat e errëta: ‘Ej ti, dil këtej!’.

Është hera e parë në historinë 30 vjeçare të shtetit kur ‘gjuetia’ hyn në shtëpinë e shtetit për të kërkuar krimin.

Deri dje krimi ishte nxjerrë në rrugë dhe mbahej si një ‘tabelë emulacioni’ që dëshmonte sa suksese kishte arritur shteti. Ose ishin varur krimet e rrugës si dëshmi në mure për të treguar si e ka ‘dënuar’ shteti krimin. Të fundit që u dënuan me vdekje (varje) nga presidenti i republikës në vitin 1992, ishin dy- tre vrasës në Fier; dhe që atë ditë shteti brohoriti se ‘e zhduka krimin e vrasjes’!.

Deri më sot, shteti na tregonte me gisht vetëm ‘krimin e tjetrit’; duke na detyruar të mendojmë se ‘shtëpia e shtetit është e pastër’, por atje jashtë ku rron populli…, atje kërkojeni krimin.

Tani gjuetia hyri në shtëpi; ja kjo ka ndodhur.

Drejtësia e Re e ka nisur punën me gjuetinë kundër vjedhjes së pasurisë publike: Janë arrestuar kryetarët e dy qeverive lokale. Janë arrestuar nëntë anëtarë të ekipeve të tenderimit në Ministrinë e Brendshme. Një zyrtar i lartë politik është arrestuar me akuzën e ‘pengimit të zgjedhjeve’ të 30 qershorit. Është shpallur fillimi i gjykimit në SPAK (27 korrik) për tragjedinë e Gërdecit. Është caktuar ‘Non- Grata’ nga qeveria amerikane ish- presidenti dhe ish kryeministri Berisha ‘për korrupsion dhe minim të demokracisë’…

Këto ishin ‘kafshët’ e para që u gjuajtën në shtëpinë e shtetit; egërsira të tjera po dynden nga strofka. Është hera e parë që një shtet (Shqipëria) po zhvillon hapjen e gjyqit të shtetit në këtë epokë: pas Nurenbergut, pas Gjykatës Speciale të Jugosllavisë dhe pas gjyqit ‘Maxi Trial’ Giovanni i Falcones.

Çfarë po ndodh me shtëpinë tonë?

Po zgjohemi që të jetojmë me të shkuarën.

Gjatë tre dekadave shtëpia jonë ‘shtet’ ka pësuar amnezi, sa ka ndodhur gjëja bash aty ka shkrirë vesa; në amnezi nuk ka jetë… Askush nuk tha ‘ndal, çfarë ndodhi deri tash?!’

Ta zëmë ‘çfarë ndodhi me pasurinë e piramidave?’. Disa vranë veten, të tjerë vranë të tjerë, disa u zhdukën dhe vetëm ‘shteti’ mbeti i pasur… Askush nuk mban mend a kishte pas jetuar deri ditën e parë të ‘demokracisë’; apo ku ishin fabrikat, apo ku ishin vreshtat, a ku ishin minierat… U rrënua Drejtësia, askush nuk kishte cilin pyeste, kush kishte punë me drejtësinë e kishte vendin në rrugë, te krimi. U bë luftë e shtetit kundër popullit ku humbën 3000 vetë dhe 2 miliardë dollarë…, po kush e mban mend? U shfaqen filma si vidhte 800 mijë euro nënkryetari i qeverisë në sy të të gjithëve, por askush nuk mbajti mend. Tipi që vodhi me video, u bë më i madh: kryetar shteti…  I mban mend njeri edhe këta?

Po ndodh përplasja mbi kokat tona:

Shtetet e Bashkuara janë përplasur me ‘kafshët’ brenda shtëpisë sonë. Po të mos e kishte goditur Amerika ish kryeministrin Berisha, sa për ne shtëpiakët e këtushëm, ish kryeministri do të kishte zhdukur gjithë ‘fermën’. Sa për ne të shtëpisë, do të na kishte vënë në rresht Ilir Meta në buzë të detit e do të na krekosej: ‘Hë, u hodha drejt!?’. ‘Drejt u hodhe, flori!’, do t’i kishte thërritur gjithë mileti. Kafshët e korruptuara po gjurmojnë çdo qoshe si mund të dalin prej kontrollit të Amerikës. Rreziku që këta të na kthehen përsëri, është para nesh aktual. Këta kanë pasurinë e grumbulluar prej 3 dekada, kanë armët, kanë luftëtarët.., të gjitha të duhurat për të shpëtuar edhe një herë tjetër. Nëse kësaj here shpëton ‘kafsha’ e plagosur në gjueti, atëherë populli do të hidhet në rrugë te krimi, ndërsa shtëpia do të jetë e atyre dhe ‘e pastër’; siç ishte deri dje. Sot për sot lufta bëhet mbi kokat tona, mes Shteteve të Bashkuara dhe ‘kafshëve’ të shtëpisë.

Po ndryshon struktura e krimit:

Nga një gjuetar në pyllin e popullit, krimi po struket në shtëpi. Krimi i rrugës nuk është dominanti, ata janë thuajse të zhveshur nga pasuria e madhe; pasuria e madhe ndodhet brenda shtëpisë.

Gjuetia në shtëpinë e shtetit e kthen drejtimin për nga struktura tjetër: konfiskohen instrumentet e krimit në dorë të bosëve ose familjeve; arrihet identifikimi, mundësohet gjurmimi në çdo vrimë, konfiskohet përfundimisht produkti i veprës kriminale, fuqizohen gjykatat brenda në shtëpinë e shtetit, merren në mbrojtje dëshmitarët dhe viktimat, kthehen viktimat e bosëve të shtetit për në duart e drejtësisë dhe në familjet e tyre. Në shtëpinë e shtetit tonë ka katakombe me viktima; jemi shteti me më shumë vrasje shtetërore në këto tre dekada.

‘Elefantët’ që kanë gjuajtur deri më tani kafshët njerëzore që nga ‘kulla’ e shtetit, me siguri kanë qenë aq të dhunshëm së pari në gjuetinë e kafshëve jo- njerëzore.

7 komente në “Gjueti në shtëpinë e shtetit”

  1. Shqiptari Ilirise says:

    Nëse kjo gjueti mbetet vetëm në nivelin e akuzave dhe arrestimeve me gjyqe shty ta shtyjmë,pa u gjetur kafshëve paratë andej nga i kanë çuar e fshehur…,këto kafshë do dalin të pa fajshëm dhe heronj !
    Populli do ti kthehen paratë e grabitura!
    Nëse jo,asgjë nuk ka vlerë!

    1. ben says:

      sakte, edhe ne te kaluaren ka patur arrestime te ndonje zyrtari, por te gjithe pa perjashtim jane liruar nga gjykatat si te pafajshem. E kujtoni ish guvernatorin e bankes, zotin Fullani? Jo vetem qe doli i pafajshem, por i kerkoi qeverise parate e demshperblimit per humbjen e punes dhe te “reputacionit”.
      Ne kete pike, duhet thene se une nuk e di ne se zoti Fullani ka patur pergjegjesi per ato qe akuzohej dhe per te cilat u arrestua, por nje gje eshte me se e qarte se ne rastin e tij, ose Prokuroria ka bere pune angari duke mos u kujdesur, qe te mbledhe e te paraqise para trupit gjykues fakte te pa mohueshme, ose gjykata ka qene teresisht e kapur dhe e ka ngrene karremin. Sidoqofte, Fullani mori parate qe edhe mundet te mos i takojne. Nese kjo histori perseritet edhe me keta te tjeret, atehere po gezohemi para kohe me demek se shpetuam nga korrupsioni dhe “Shqiptari i Ilirise” ketu me siper e ka thene shume drejt.

  2. zgalem says:

    Shkrim , qe ja vlen te lexohet dhe qe i sherben kultures gazetareske . Zgalem

  3. Ed says:

    I MADH JE FROK. SA PER TY KOMENTUSIN LART DUHET TE KESH ME SHUME.BESIM. KETO QE PO NDODHIN TANI KURE NUK BESOHESHIN 5 VJET PARA OSE DH NJE VIT PARA. KI BESIM SE GARANTUESI JANE UNITED STATES OF AMERICA. GOD BLESS AMERICA

  4. Beso says:

    U kujtohet Fullani? Vjedhja brenda ne banken e shtetit me miljona ne bashkepunim dhe Fullani doli nga gjykatat ton i “pafajshem” bile veç vjedhjes i kthyen dhe nja 700 miljona te tjera gjykata administrative. Kush jane ata gjyqtare qe ne qoftese nuk i ndeshkon SPAK, ti ndeshkojme ne qe na kane robtuar?

  5. Artan says:

    Poeti i gazetarise Frrok Çupi

  6. Duhet më në fund që shtëpia e quejtur shtet të lirohet nga kafshët grabitqare dhe ligji të i tregoj vendin këtyre monstrave shkatërrimtare.Neve si shoqëri nuk kemi qenë në gjendje të krijojm mekanizma veprues që do të ja bënin të pamundur kafshëve të tilla të e shpërfaqin potencialin e tyre shkatërrues,prandaj e mirëpresim ndërhyrjen amerikane dhe europiane drejt fuqizimit të institucioneve ligjzbatuese.Ndoshta jemi shembulli më i vrazhdë ne raport me vendet tjera të lindjes në raport me shkallen e nevojshme të ndërhyrjes ndërkombëtare për forcimin e institucioneve ligjzbatuese, por nuk jemi te vetmit që kemi pasur nevoj për ndërhyrje,kjo u ka ndodhur pothuajse të gjithë popujve të Europës Lindore,ku më shumë e ku më pak, por të gjithë kanë manifestuar nevojën e ndërhyrjes perëndimore drejt etablimit të shtetit të së drejtës.I dëshirojm suksese institucioneve ligjzbatuese dhe urojmë që të e humanizojn shtëpinë e quejtur shtet duke i neutralizuar dhe denuar ato kafshë grabitqare të cilat shtëpinë e të gjithë shwiptarëve e kishin shndërruar në gërmadhë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje