Komiteti Teknik i Ekspertëve, në mbledhjen e kësaj të hëne deklaroi që masat e vendosura në vend të mos ndryshojnë, pavarësisht se një ditë më parë Ministria e Shëndetësisë konfirmoi prezencën e variantit “Delta”.
Zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se personat e infektuar nuk kanë bërë asnjë dozë të vaksinës, e kjo shihet si shkaku kryesor i shtimit të numrit të rasteve.
“Siç u bë i qartë, u vu re që ka një numër në rritje të rasteve. Shtrimi në spital mbetet në nivele të qëndrueshme, ajo çka është më e rëndësishme është që numri i rasteve të shtruara të sëmurëve rëndë, janë persona që s’janë vaksinuar. Rastet po rriten në komunitetin që mbeten të pavaksinuar.
Duke u mbështetur në këtë situatë, KT mendon që edhe pse në Shqipëri është vërtetuar prezenca e variantit Delta mbrojtja është njësoj dhe niveli i masave nuk ndryshojnë. Masat do të jenë po të njëjta”, tha Rakacolli.