“Tradhëtitë kombëtare” në Shekullin e 21 po bëhen LIVE!

29 Korrik 2021, 20:45Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Opozitarizmi virtual kishte ditën sot, që të linte për ca orë plazhet dhe të harronte temperaturat sahariane, për tu marë me denoncimin e një “tradhëtie të madhe kombëtare”. Edi Rama “e shiti” çështjen kombetare tek serbi Aleksandër Vuçiç dhe tek maqedonasi Zoran Zaev dhe tani që kaluan 20 vjet nga krijimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan, na bëri edhe pjesë të projektit të ri të ringjalljes së “Jugosllavisë”.

Këto e plot broçkulla të tjera si të ardhura nga një botë paralele, që po e jeton sot atë që planeti ynë e jetoi në shekullin 19 dhe 20, mbushën rrjetet sociale dhe mediat online pranë opozitës sonë. Gjakrat u nxehën keq deri në atë pikë, sa “patriotët” tanë të mëdhenj të hi tech-ut, ishin gati që të nxirrnin edhe shpatat e jataganët që mbajnë të fshehura në bodrumet e mendjes, për raste të tilla “in extremis”.

Kryeministri i Shqipërisë, i Maqedonisë së Veriut dhe Presidenti i Serbisë, nga Forumi Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal në Shkup, njoftuan se nisma e “mini-Shengenit” ballkanik, ka marë emrin e ri “Open Balkan” (Ballkani i hapur). E transmetuar live nga të gjitha mediat që dëshironin, ata firmosën marrëveshjet e para dhe shpjeguan hapat që do hidhen për të lënë pas të shkuarën, përmes rrëzimit të barrierave që pengojnë ecjen me shpejtësi përpara të popujve tanë, nga jetësimi i 4 lirive europiane në rajonin tonë.

“Kush thotë se kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për ti dhënë hegjemoninë Serbisë se ajo është më e madhe e se do na marrë gjithë çfarë kemi…, harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi se edhe BE-ja është një Jugosllavi e madhe”- ishte përgjigja që kryeministri shqiptar Edi Rama, kishte për skeptikët dhe opozitarët që shohin prapa këtij akti, një “tradhëti të re kombëtare” tani në vitin e 21 të shekullit të 21.

Duke dashur që ta përdorin këtë kartë, thjeshtë dhe vetëm për konsum të brendshëm në luftën politike të ditës në Tiranë e Prishtinë, janë gati që të shpikin e shpifin gjithçka me shpresën se diçka do të mbetet në fund. E shqiptarët do ti shohin pas kësaj Sali Berishën, Lulzim Bashën, Ilir Metën, Monika Kryemadhim e Albin Kurtin si “baballarët” shpëtimtarë të kombit dhe Edi Ramën si “Esat Pashë Toptanin e ri”.

Ata nuk duan të kujtojnë dhe as të kuptojnë, se Jugosllavia është një projekt artificial i lindur më 1918, që u shpërbë njëherë e përgjithmonë pas rrëzimit të Murit të Berlinit. Për këtë u bënë katër luftra të përgjakshme në Ballkan, u vranë dhe u zhvendosën përmes aktesh genocidale dhe krimesh kundër njerëzimit, qindra e mijëra fëmijëve, grave, burra e pleq.

Sllovenia dhe Krocia janë anëtare të BE, e njëkohësiht edhe anëtare të NATO, sikundër Maqedonia dhe Mali i Zi. Kosova u çlirua më 1999 me ndihmën e NATO, SHBA e BE dhe nga 17 shkurti I vitit 2008 është një shtet i pavarur. Shqipëria prej mbi 12 vjetësh është anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe pasi ka plotësuar të gjitha kushtet, pret datën e mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare, për anëtarësimin në BE.

Jemi plot 3 dekada larg tashmë nga rikthimi i fantazmës së vjetër të ish Jugosllavisë dhe mbi një shekull nga ajo që në histori njihet si Traktati i Fshehtë i Londrës (26 prill 1915). Marrëveshja mes fuqive të Antantës dhe qeverisë italiane, u bë për të shuar edhe lakmitë e fqinjëve të tjerë; Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Dihet sesi rodhi historia pas kësaj për fatin tonë të mirë, në Konferencën e Paqes së Parisit më 1919 nga ndërhyrja shpëtimtare e Presidentit Amerikan Woodrow Willson. Vetëm pak kohë pas kësak, në fillim të vitit 1920, Kongresi i Lushnjes e hodhi poshtë Traktatin famëkeq.

Sot jetojmë në një epokë tjetër, në një realitet ndryshe dhe në një botë të re, që ka të tjera sfida për të përballuar për të sotme dhe të ardhmen. Ndaj të jenë të qetë opozitarët tanë që po u digjet bashkë me shpinën nga dielli, edhe barku për vatanin, nga atje ku po i kalojnë pushimet verore.

E vetmja gjë që u mbetet të sqarojnë, është që të tregojnë se kush është mes tyre Vladimir Iliç Lenini i kësaj epoke, që nën shembullin e “babait të revolucionit të tetorit” dikur po dirigjon sot në mediat e tij virtuale “tradhëtinë e re kombëtare” që Edi Rama sapo bëri, jo në mënyrë të fshehtë si qëmoti skutave të zeza, por LIVE!

8 komente në ““Tradhëtitë kombëtare” në Shekullin e 21 po bëhen LIVE!”

  1. agimk says:

    Ti degjoje sot gjithe kokcepshat e opozites se si kishin hyre ne gare me njeri tjetrin se kush te dilte patrioti me i madh, te perziheshin zorret e barkut!!!

  2. amerikani says:

    Sali Berisha ishte shume i shqetesuar qe Edi Rama nuk po thynte ombargon e OKB… Per luftrat ne ish jugosllavi me firmen Shqiponja dhe nuk po i conte karburant kontraband tankeve te Milloshevicit per te vrare shqiptaret ne Kosove, Mal te zi, Maqedoni e Kroaci!!!!!!!!!!

  3. Qesharake says:

    Vari kkkkkkk se cbehet me politiken apo symfonite mes shtetesh, por nje pyetje kam: a ka ndonje rrobaqepes special qe shikon veshjen e kryeshtetarit (corapekuqit) te shqiperise apo ki loqia vesh ca gjen pas dere apo ne guston e hanemes qe ka ne shtepi!!!???
    Eshte qesharake,rroba te gjera te gjata te pa pershtatshme ne ngjyra etj.
    Me kujton ata te mbaruaret qe vishen neper second hands…..!
    Turp corapekuq,me mire vish citjone…..

  4. i lir says:

    a eshte i sakte njoftimi botuar ne kete gazete para pak ditesh se ministri Vulin ne prezence te Vucicit paraqiti programin politik te partise se tij se te gjithe serbet e rajonit duhet te jetojne ne “boten e madhe serbe ” ????
    Nese po, a eshte ky nje program fashist nacionalist, i rrezikshem per te gjithe shtetet jo-serbe ne rajon, vecanerisht per bosnjen, kosoven dhe malin e zi ?
    pse tani po na shisni “open ballkan ” si mrekulli ?

  5. Qendro says:

    Fitore ja me e madhe poitike e Rusis ne Ballkan eshte “minishengeni” kjo krijese e diplomacise ruse qe e propozoi nepermjet Vucicit.

  6. Zagari KRIETARIT says:

    Foli ky llapaqeni…..

  7. Marku says:

    Tirana zyrtare ka qene dhe mbetet kryeqyteti me antishqipetare I globit tokesore . Si ka mundesi qe nje person normal te besoje ne perrallat e serbise fashiste ne te njejten kohe kur ata I kane duart e lara me gjakun e shqipetareve, ndersa edhe sot e kesaje dite ato po armatosen per gjenocidin e rradhes. A eshte valle e mundur qe
    keta ” strateget ” e Tirones te jene me teper te informuar dhe largpames se sa ato njerezit “primitive” te Slovenise ,Kroacice,
    Kosoves,Malit te zi dhe Bosnjes ??,
    popuj te cilet luftuan per tu cliruar nga cdo gje serbe . Ti japesh serbise fashiste nje mundesi te re per nje hegjemoni ne ballkan eshte nje idjotizem monumental.
    Serbia se bashku me kelyshet e milosheviqit do ta shesin kete marreveshje si nje mundesi per ti bere presjon kosoves ne rrafshin nderkombetare . Sdo te jete shume larg koha kur tanket dhe armatimet ruse do te transpotohen permes territorit shqipetare per te shkuar tek destinacjoni I tyre ne Serbi, ndersa keto paljacot e tiranes zyrtare do ta reklamojne kete si nje akt I fqinjesise se mire . Ptu!!!

  8. Go West says:

    Peza, miqesisht, ç’hyn ketu Lenini?
    Ajo qe i mbajme mend ne, shqiptaret, eshte denoncimi i Traktatit te fshehte te Londres, qe parashikonte coptimin e Shqiperise, sapo mori pushtetin ne Rusi.
    Ca burra te medhenj, ndoshta jo kaq “te shkolluar” si ne, e nderuan me nje minute heshtje ne Janar te 1924, humbjen e hazeretit Lenin ne Parlamentin e Shqiperise.
    Te tjerat, si gjithmone, i ke thene mire.
    Kjo marreveshje, e mbeshtetur nga demokracite e medha mike, eshte e ardhmja. Shpejt krejt Ballkani perendimor do te perfshihet i gjithi. Sine qua non.
    Mund te mirekuptoj çdo qortim nga nenat kosovare te veshura me te zeza, por jo keta “patriotet” tane opozitare qe e kane shitur Shqiperine 100 here.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje