Pas konferencës së sotme për shtyp të Doktorit, Bilushi i Metës vendosi t’i bëjë një letër të hapur mbështetësve për të nxitur dhe PD t’i dalë në krah.
I dashur Doktor.
E ndoqa me zemër të dridhur konferencën tuaj për shtyp ku ju i treguat vendin klikës “Biden-Blinken-Rama”. Argumentet tuaja që ju jeni njeri i ndershëm dhe i varfër i beson çdo njeri. Ju jeni i vetmi që keni detyruar fëmijët tuaj të punojnë kur ishit në pushtet dhe jo të rrinin parazitë, të merrnin nga lekët e babait. Ata ishin 24 orë në punë për të zhvilluar Shqipërinë, për të rritur investimet, për të privatizuar tokat në bregdet, për koncesione nafte, për PPP etj. Bile, jo vetëm fëmijët, por dhe partnerët e tyre. Dhëndëri i Juaj, ndryshe nga dhëndurët e kryeministrave që mendojnë se e kanë siguruar jetën, ju përvesh punës, mori tokën në mes të Tiranës dhe e filloi me 5 për qind dhe e përfundoi me 60 për qind pronar. Partnerja e djalit tënd, ndryshe nga të tjerat, është një vajzë punëtore që punon natë e ditë në dyqan, shet të brendshme dhe fiton lek nga instagrami.
Gjithë shqiptarët e dinë mirë se ju jeni familje modeste dhe shembullore, pasi jetoni të gjithë bashkë në një vilë në Lalëz në verë dhe jo si Luli apo të tjerët, që kanë secili nga një vilë.
Dhe shtëpitë në Tiranë i keni të gjitha në një pallat.
Po shikoj me shqetësim se PD nuk po të del siç duhet në krah dhe po heziton të të mbrojë.
Nëse kjo situatë vazhdon dhe më tej kështu, të ftoj të vish në LSI, të bëhesh kryetar i saj, pasi Monika ia ka varur punës dhe së bashku t’i tregojmë vendin kësaj klike të rrezikshme botërore, të “Biden-Blinken-Rama”.
Tek ne je i mirëseardhur pasi siç¸ka thënë dhe Ilir Meta, ai vetëm ty të hap rrugë.