Sokol Cikalleshi i ka dhënë fitoren Konyasporit, në javën e parë në kampionatin turk. Sulmuesi i Kombëtares ka gjetur rrugën e rrjetës, në sfidën ndaj Sivasspor, duke shënuar kështu golin e vetëm të takimit.
Në minutën e 88-të, pasi rrëmben një top në afërsi të zonës, Cikalleshi driblon edhe portierin kundërshtar, teksa me portën e boshatisur nuk e ka të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë, duke i dhënë kështu fitoren skuadrës së tij.
Pas ndeshjes, sulmuesi kavajas i habiti të gjithë, pasi para se të fliste në intervistë, tha se nuk dëshironte përkthyes, duke shtuar se do të fliste turqisht.
“Nuk dua përkthyes këtë herë, do flas turqisht. Super Liga është një maratonë shumë e gjatë, por kur e fillojmë me një fitore të tillë është shumë bukur. Këtë sezon do të jetë shumë e vështirë, pasi të gjitha ekipet janë të mira.
Gjithsesi ne duhet të jemi më mirë se sezonin e kaluar dhe po punojmë për këtë. Do të luftojmë dhe shpresojmë të jemi më mirë dhe ta mbyllim sa më lart në renditje”, u shpreh Cikalleshi.