Grupi i tretë i qytetarëve afganë, arriti në Kosovë. Aeroplani i forcave amerikane, i nisur nga Gjermania, aterroi në Aeroportin “Adem Jashari” rreth orës 17:00 me 131 afganë në bord.
Deri më tani, Kosova ka strehuar 355 afganë, të cilët do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë derisa t’iu rregullohet dokumentacioni për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë shtet anëtar të NATO-s.
“Strehimi i tyre është i përkohshëm edhe bazuar në vendimet e qeverisë. Ne kemi marrë zotimin e aleatëve tanë që strehimi i tyre të zgjatë sa më shkurt që është e mundur. Bëhet fjalë për çështje javësh, mos të them muajsh”, është shprehur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Të gjithë afganët në Kosovë do të strehohen në kampin ushtarak amerikan “Bondsteel” që është nën komandën e KFOR-it.