Partizani ka marrë “ok” për të vijuar punimet në stadiumin e ri. Kompleksi i të kuqve do ketë një fushë kryesore dhe dy stërvitore.
Tanimë tribunat dhe dhomat e zhveshjes janë ndërtuar, me fushën që më parë do duhet të kalojë në nivelim.
Bari dhe stolat kanë mbërritur në kompleksin e të kuqve në kryeqytet, ndërsa do duhet disa ditë që të vendosen, kjo edhe për shkak se ende fusha nuk është gati për këtë proces.
Duke parë se do duhet më shumë se një muaj që fusha e re mos shkelet, të kuqtë kanë projektuar që deri në fundin e nëntorit të këtij viti skuadra të ketë më në fund një shtëpi.
Edhe trajneri Ilir Daja në konferencën e sotme për shtyp konfirmoi të njëjtën gjë.
“Mendojmë që të paktën nga mesi i tetorit të fillojmë stërvitjet me ekipin në fushën e kompleksit të ri. Për këtë kemi marrë dhe fjalën e presidentit. Ndërsa për ta bërë komplet stadiumit të gatshëm për të pritur ndeshjet tona, besoj se në muajin nëntor.
Unë jam trajneri i ekipit, nuk jam presidenti, por sipas fjalës së tij besoj që muaji nëntor duhet të na gjejë në stadiumin e ri”, tha Daja.