Paqja e brishtë Rama-Kurti

29 Shtator 2021, 09:53Politika TEMA

“Ne aty brenda nuk folëm për Ballkanin, as për Serbinë. Rama ishte me gjysmën e kabinetit qeveritar, po ashtu edhe unë me gjysmën e kabinetit. Ministrat folën vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë dhe se si të lehtësojmë bashkëpunimin. ”. Këto ishin fjalët e Albin Kurtit në konferencën e përbashkët për shtyp me Edi Ramën gjatë vizitës disaorëshe të këtij të fundit në Prishtinë.

Rama e përforcoi këtë pohim të Kurtit dhe sqaroi çdo keqkuptim duke thënë: “Edhe ne folëm, se mos mendoni e thoni nesër që këta të dy nuk flaskan”.

Konferenca u duk më shumë se miqësore; vëllazërore dhe u tha se akujt mes dy kryeministrave i shkriu, pavarësisht se që të dy ata ndajnë ende mendime krejtësisht të ndryshme sa i takon Ballkanit të Hapur.

Megjithatë, një detaj ra në sy nga vizita e Ramës. Kryeministri i Shqipërisë postoi në rrjetet sociale të gjitha takimet e zhvilluara në Prishtinë, duke filluar që nga ceremonia zyrtare e pritjes, deri te vlerësimi me medalje të akademikut Rexhep Qosja. Albin Kurti? Kryeministri i Kosovës dhe kreu i Vetëvendosjes, që gjithmonë ka përdorur rrjetet sociale për të transmetuar drejtpërdretë edhe ngjarje më pak të bujshme se kjo, këtë herë heshti.

Kryeministri i Kosovës nuk postoi asgjë, as video, as foto dhe as një status për këtë takim. Pse? Ndoshta Albin Kurti i druhej reagimit të militantëve të Vetëvendosjes. Rama e ka theksuar shpesh në javët e fundit se në rrjetet sociale ndjekësit e tij nga Kosova e kanë sulmuar, duke e quajtur deri në “tradhtar” për Ballkanin e Hapur.

Kjo mund të jetë njëra arsye se përse Albin Kurti ka zgjedhur që të kalojë në heshtje në rrjetet sociale këtë takim, duke iu trembur ndoshta një “bumerangu” të ndjekësve, që mbase do ta kritikonin edhe atë, ashtu si Ramën.

Por, pas mund të jetë edhe një arsye tjetër. Kur uroi Ramën për mandatin e tretë dhe e ftoi për vizitë zyrtare në Prishtinë, ndoshta Albin Kurti nuk e ka pritur as përgjigjen pozitive të Ramës dhe as realizimin kaq shpejt të vizitës. Kjo mund ta ketë zënë të papërgatitur përballë ndasive që të dy kanë për Ballkanin e Hapur.

Publikisht thanë se nuk e kanë diskutuar fare në takimin me njëri-tjetrin, por po aq e vërtetë është se po publikisht Edi Rama e mbrojti idenë e tij edhe në mes të Prishtinës duke thënë se pas ngjarjeve në veri të Kosovës ishte edhe më i bindur për nevojën e Ballkanit të Hapur.

Albin Kurti me “nënqeshje” duket se i rezistoi tundimit për t’i kthyer përgjigje Kryeministrit të Shqipërisë dhe çështja e Ballkanit të Hapur mbeti e hapur për një herë tjetër. Herë të tjera, Rama e Kurti do të kenë boll. Ato do të fillojnë që me mbledhjen e radhës të përbashkët të dy qeverive, parashikuar për në mes të muajit nëntor në Durrës.

Ndërkohë, me të ardhur në Tiranë në një intervistë për Open në Top Channel, Rama e tha edhe më konkretisht se çfarë mendonte për tensionet në veri të Kosovës. Ai i dha të drejtë Albin Kurtit, por kërkoi tërheqjen e forcave speciale prej andej.

Me këtë deklaratë, Rama iu bashkua korit të ndërkombëtarëve që kërkojnë tërheqjen si të forcave speciale, ashtu edhe të ushtrisë serbe nga kufiri me Kosovën. Përsa kohë, Albin Kurti u ka rezistuar deri më tani këtyre thirrjeve, duke propozuar që si Serbia, ashtu edhe Kosova të heqin targat e përkohshme, kjo deklaratë e Ramës me siguri s’mund të jetë pritur pozitivisht prej tij.

Gjithsesi, tensionet e fundit do të tejkalohen, Rama e Kurti do të takohen sërish, qeveritë do të zhvillojnë mbledhje të përbashkëta sërish dhe sërish mund të ketë marrëveshje të reja të nënshkruara, që do t’u shtohen atrye 80+ marrëveshje që janë nënshkruar deri më tani, por që zbatohen pak, ose aspak në terren.

Edhe këtu, Rama e Kurti në deklarata publike kanë shprehur ndasitë e mëdha. Në deklaratën për Open në Top Channel Rama fajësoi burokracitë, ndërsa Kurti ka deklaruar në më shumë se një rast se marrëveshjet nuk po zbatohen për shkak të mungesës së vullnetit politik.

Megjithatë, ndasia e madhe Rama-Kurti, sado që të dy kryeministrat mundohen që ta fshehin për momentin mbetet Ballkani i Hapur. Të dy e kanë ngrirë për momentin këtë temë. Rama u duk i dorëzuar në Prishtinë, kur tha se “vëllai i vogël nuk e dëgjonte”, por kjo ngrirje nuk mund të qëndrojë gjatë. Nëse Ballkani i Hapur ecën përpara pa Kosovën, atëherë kjo e fundit rrezikon që të izolohet edhe më shumë nga sa është e izoluar aktualisht, si i vetmi vend në Europë që nuk gëzon regjimin e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

Për këtë izolim do të kërkohen fajtorë, do të kërkohen autori, ose autorët. Në Prishtinë me siguri do të fajësojnë Tiranën dhe në Tiranë me siguri do të fajësojnë Prishtinën. E në fund, faji të mbetet jetim, ose aksionet e tij të shpërndahen në të dyja vendet.(Shqip)

3 komente në “Paqja e brishtë Rama-Kurti”

  1. taso kume says:

    Nuk flas dot per dy kryeministrat por nje diçka dihet mire qe shteti kriminal SERBE duhet izoluar dhe jo ndihmuar , kane me shekuj qe nuk ndryshojne konceptin per ne SHQIPTARET dhe as nuk kane per ta ndryshuar me ndihmen e RUSEVE dhe FRANCES duan te vijne deri ne KONISPOLte bashkohen JANULLAT me ARQIPESHKET. GJithmone eshte spekulluar dhe spekullohet nen flamurin EUROPJANE TE FESE,, EUROPA nuk quhet e purifikuar ( e paster) me fe te tjera perveç KAURLLEKUT, dhe per psikozen e shovinizmit ne EUROPE ska vende per BUDISTE ,HEBRAIZEM ,MYSLIMANE E PAGANE.

  2. joel shkodra says:

    Ke shume gabime gramatikore, o gazetar, qe nuk po i permend, por “me i bukuri” eshte: “keta te dy nuk flaskan”! “Shpikje gjuhesore”! Athua nuk je shqiptar?

    1. Roberto says:

      E drejte Joel por nuk besoj se eshte faji i gazetarit por i atij qe pregatit dhe hedh ne portal lajmet (ndoshta eshte edhe gazetar) Dikur neper gazeta kishte persona qe rradhisnin shkronjat ne shtypshkronje. Ndoshta nga lodhja dhe puna naten behen edhe gabime. C’eshte e verteta edhe une kam vene re ditet e fundit shume gabime gramatikore apo fjale te deformuara nga nje shkronje e vendosur gabim gjithsesi ne pune e siper te gjithe bejme gabime.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje