Komedisë "Berisha" i mungon një akt

30 Shtator 2021, 12:37Blog TEMA

Nga Ilir Yzeiri

Megjithëse në pamje të parë lëvizja që ka ndërmarrë Berisha për të sjellë « demokracinë e brendshme » në parti, sipas modelit të tij, duket si një aksion dramatik sepse ligjërimi që përdor ai në takimet me kënetën e mbështetësve është i mbushur me tone patetike dhe me thirrje për të rrëmbyer armët, në fund, pasi mbarojnë takimet, të krijohet përshtypja se të gjithë po shohim një komedi së cilës i mungon një akt.

Të vetmit që e kanë marrë seriozisht Berishën janë një shqiptare e emigruar në SHBA që në Shqipëri shfaqet si e dërguara e Departamentit të Shtetit paralel të «Vatrës» dhe në disa raste «Zëri i Amerikës» që mbledh informacione nga specialistët e komunikimit në vend për ministrinë e informacionit të Edi Ramës për të arritur në përfundimet se korrupsioni sipas « Transparent International » që ka një zyrë në anë të Lanës është galopant dhe se qeveria po synon të monopolizojë të vërtetën. Në këtë atmosferë lëviz Teatri i Komedisë së Berishës nga Vlora në Durrës dhe aktori i saj kryesor reciton një tekst të huazuar nga opozitarët e Bashës dje.

Po çfarë thuhet në tesktin e Aristotelit « Poetika » për komedinë. « Komedia, siç e kemi thënë tashmë, është imitimi i asaj që është më e keqe se realiteti dhe jo imitimi i çdo lloj vesi, por më tej akoma, imitimi i asaj që është e keqe, një pjesë e së cilës është edhe qesharake. Në fakt, qesharakja ka si shkak një defekt dhe një ligësi që nuk bashkëshoqërohen me vuajtje të helmëta : psh ne qeshim me pamjen e një fytyre të deformuar e të keqe, pa u menduar se çfarë ndien ai që e ka atë portret.»(https://www.documentacatholicaomnia.eu/03d/-384_-322,_Aristoteles,_Poetique,_FR.pdf).

Natyrisht, Aristoteli e ka fjalën për komedinë si vepër artistike dhe jo për komedinë si shfaqje e jetës politike në një periudhë të caktuar. Megjithatë, siç thonë specialistët e komunikimit dhe filozofët e ligjërimit, në demokraci dhe veçanërisht sot në demokracinë e mediatizuar deri në skaj, çdo shfaqje e aktorëve publikë merr formën e spektaklit, formën e teatrit. Aktorët që recitojnë aty para publikut kanë vetëm një qëllim : ta bindin atë për vërtetësinë e aksioneve të tyre dhe ta shtyjnë atë që t’i ndjekë ata deri në fund.

Pas shpalljes « non grata » të Berishës nga SHBA-ja, publiku shqiptar rikonfirmoi edhe njëherë atë që pjesa më e madhe e opinionit dhe e medias kishte shpallur me kohë për Berishën si i korruptuar familjarisht bashkë me aleatët, si dhunues i demokracisë dhe si shantazhues i drejtësisë. Këtë personazh politik, pjesa më e madhe e shqiptarëve e njihte dhe pjesa më e madhe e medies po ashtu ia kishte dokumentuar më se njëherë të trija ato akuza që Departamenti i Shtetit i bënte atij.

Në fillim u duk sikur kjo situatë dramatike do të sillte refleksion të thellë në PD dhe të gjithë do të gjenin kurajon ta përballonin këtë dramë me dinjitetin e duhur politik. Mirëpo nuk ndodhi kështu. Aktorët kryesorë brenda PD-së, pas këtij teksti të ri, nxituan të marrin role të tjerë. Për çudinë e të gjithëve, Lulëzim Basha u detyrua të marrë rolin kryesor dhe ai u bë lajmëtari i tragjedisë. Kundërshtarët e Lulëzim Bashës që e fajësonin atë si « berishist » pse kishte aplikuar metodat e Berishës në spastrimin dhe në drejtimin klientelist të PD-së, iu ngjitën karrocës që tërheq grupin teatral të komedisë së Berishës.

Dhe, pikërisht atëherë kur të gjithë prisnin se si do të zgjidhej nyja tragjike e asaj që u prodhua në PD, në skenë u fut vetë heroi dhe gjithë tragjedinë e ktheu në komedi. Berisha zuri vendin qëndror në skenë dhe ashtu siç thotë Aristoteli, nisi të recitojë apo të na tregojë anën e tij më të keqe, madje më të keqe se vetë realiteti sepse brenda asaj të keqeje është edhe ana qesharake. Po cila është ana qesharake ? Ana komike e këtij personazhi janë thirrjet e tij për luftë dhe retorika e heroit. Kërcënimet e Berishës për përmbysje me luftë, me rrëmbim armësh, herë të kujtojnë « Epopenë… » e Shevqet Musarajt e herë të kujtojnë « Gomarin e e Babatasit » të Fishtës.

Por komedisë së Berishës i mungon akti i fundit. Ajo që është më kryesorja nuk ka të bëjë me veprimin e tij, sepse edhe ai e di shumë mirë se mbledhja e firmave dhe rrëzimi i Bashës me Kuvendin « Berisha » është një aksion ilegjitim që do të prodhojë një strukturë politikë e cila menjëherë do të klasifikohet si regresive nga partenrët tanë dhe jo vetëm që nuk do të njihet prej tyre, por do të klasifikohet me të njëjtën mënyrë siç është klasifikuar heroi komik që po lind së vdekurish.

Ky akt i fundit i komedisë së Berishës do të zgjasë dhe meritë për këtë ka sidomos Basha. Ai ka dalë nga skena dhe, për arsye që ngjanjëherë nuk i kupton as vetë autori i kësaj katrahure, po i jep mundësi Berishës që të bëhet qesharak deri në fund. Në tragjeditë antike konflikti zakonisht shtrihej brenda gjakut dhe në komedi gjendeshin situata anormale që e kapërcenin realitetin. Berisha është pikërisht mishërimi në mes i kësaj që po ndodh. Ai është personazh tragjikomik. 

Si tragjik ai është i detyruar të « vrasë » politikisht djalin e vet. Si personazh komik ai ngjan si « një i vdekur politik » që është vrarë nga djali i adoptuar dhe që tani po ngrihet nga vendi ku ka rënë, po heq kamën e përgjakur që i ka ngulur djali jo biologjik dhe ashtu me kamën që kullon gjak politik vrapon nëpër Shqipëri dhe thotë se do të vrasë jo vetëm djalin e tij, por edhe Edi Ramën edhe etërit e Ramës, pra të gjithë. Besoj nuk ka komedi më të bukur…

9 komente në “Komedisë “Berisha” i mungon një akt”

  1. Dilaveri says:

    Jo kaq hidhur zotni yzeir per Berishen. Ku i ki shkrimet e tu me shume temena per te. E zeza mbi te bardhe. Zyrat e pd i kishe shtepi te dyte ne kohen e berishes Tash mos e zbraz pushken krejt ne fund per njeriun qe ishte idoli yt.
    Miqesisht.

    1. Kulla says:

      Shifeni kriminelin ne foto, osht bo gati me qa, i ka mbush breket.

  2. 19 says:

    Super shkrim bravo ?

  3. Trotski says:

    Per mendimin tim eshte vetem Tragjedi .Si eshte e mundur qe te kete truthare qe i ven pas Ketij Perbindshi te Vuçidolit ??? Bemat e tij jane ashiqare ,nuk ka saç qe ti mbuloje:Vrasje,Grabitje,Shpifje,perçudnime. me nje fjale Te Zeza qe nuk ka hangar qe ti mbaje.Ky Edepsez eshte si pune e Gungaçit ,qe vetem varri do ta drejtoje.Mbarofte ne Ferr .ne rrethin e 9te.

  4. Grupi i Bences says:

    Nuk kane fund aktet groteske ne perendimin e Berishes;
    Mire Basha si kryetar partie i gjendur perballe presionit te tmerrshem amerikan, por kur Berishes ja futi gishtin edhe Gjeka, bythlepiresi i tij tribal me histerik dhe sharlatan, qe i dedikonte gjigantizma pseudoartistike si grupi i Bences, te vjen te dhitesh gazit.
    Le te themi se Grupi artistik i Bences edhe pas 35 vjetesh qe ka vdekur, i eshte akoma besnik Enver Hoxhes, ndersa grupi artistik i shpelles, i futi gishtin ne te gjalle Sali Berishes dhe tani tall k… me “gjigandin”.

  5. Ali Pasha says:

    Hahahah
    Sa ma shumë ta publikoni kete foto te Berishes aq me shume pikë i jepni atij o mjeranë
    Nuk shahet as pleqeria dhe as fotografia e njeriut..
    Shahet karakteri o mjeranë, prandaj mendoni gjerat perpara se ti publikoni..

  6. Kosova says:

    Ky shkrimtari injorant e pranon edhe vete qe ” rikonfirmoi edhe njehere ate qe pjesa me e madhe e OPINIONIT DHE MEDIAT e kishin shpallur me kohe BERISHEN. …..”
    Pa dashje ai po konfirmon qendrimin e Berishes se mediat prane qeverise, ojq-te e Sorrosit dhe raportet ecqeverise jane burimi i informacionit.
    Gazekar I harron si shume tifoze ketu se nuk denohet robi as penalisht as moralisht PA PROVA as duke thene si ne kohen e ENVERIT se provat i kemi ne por nuk I publikojme.

  7. Monitor says:

    Foto: Ka vdek shoku Enver!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje