Pas disa konsultimeve me Doktorin, Flamuri vendosi të shpërndajë për demokratët fletërrufenë që e dërguara e presidentit Trump, i ka vënë zotit Alizoti për qëndrim oportunist dhe mikroborgjez, në betejën brenda PD:
“Të dashur demokratë!
Zoti Alizoti ka treguar shumë dobësi gjatë kësaj periudhe.
Këto dobësi burojnë nga karakteri i tij dhe mungesa e formimit ideopolitik, shmangia e leximit të thellë të mesazheve të foltores, si dhe mungesa e vetëdijes për një angazhim më të madh politik.
Zoti Alizoti duhet të ketë turp dhe t’i kërkojë ndjesë demokratëve, që nuk ka marrë pjesë në asnjë foltore, por i shikon ato nga larg.
Energjia që përçojnë foltoret në sallë, emocionet kur njerëzit rrëmbejnë mikrofonin dhe i thonë Doktorit, “ku e ke zonjën Kokalari”, dhe sidomos momenti kur ata qajnë hallet e tyre me Doktorin, janë të papërsëritshme.
Ato janë energjia e vërtetë e kësaj toke, që duhet ta thithë fort çdo demokrat i ndershëm.
Shmangia nga foltorja është shmangie nga vlerat themelore të demokratëve.
Zoti Alizoti është oportunist.
E keni parë si thotë, as me Bashën, as me Berishën.
Ka qenë një parti në Elbasan në vitet tridhjetë me emrin “As me Pashën, as me Beun”, por nuk ka fituar kurrë asnjë votë.
Demokratët e vërtetë ua tregojnë vendin oportunistëve.
Alizoti ka treguar mungesë të vizionit të një udhëheqësi.
Ai ka lejuar që Doktori të fyhet nga Sorosi dhe të shahet nga SHBA, dhe ka heshtur.
Minimumi ai duhet të kishte sulmuar degën e Sorosit në Tiranë, që të fitonte simpatinë e demokratëve.
Nuk e ka bërë dhe s’mund të jetë kurrë udhëheqës i PD.
Në fund dua t’u them se Alizoti është dhe mikroborgjez.
Ai vendos rehatinë personale mbi interesin e përgjithshëm dhe nuk shkon të takojë bazën e demokratëve, pasi thotë është rritur shumë nafta.
Po Edi Rama ndaj i ka rritur çmimet, që të fusë demokratët në krizë.
Por ne nuk do të rrimë duarkryq e të numërojmë lekët që na kanë mbetur.
Ne duhet të vëmë interesin e përgjithshëm mbi interesin personal, dhe interesi i përgjithshëm është Doktori.
Unë e kam vënë para përsipër. Këtë duhet ta bëjnë të gjithë”.
Kur s’ke cfare te shkruash mos shkruaj o antena. Reputacioni vlen me shume se mbushja e rreshtave. Jo per gje por nje gabim dhe i ngel njerezve gjithe jeten ne mendje si shprazes eficent zorre.