Muli fton Nard Ndokën të nisë foltoren brenda demokristianëve

29 Tetor 2021, 20:39Antena TEMA

Foltorja e Doktorit ka filluar përçan dhe partitë aleate.

Viktima e parë janë demokristianët.

Një grup drejtuesish të partisë duan të shkarkojnë zotin Nard Ndoka, pasi po mbështet vijën anti-amerikane të Doktorit.

Për këtë, Muli i bëri disa sugjerime Nardit:

“I dashur Nardi!

Ata që duan të të bëjnë puç brenda parties, janë si Luli.

Ata duan të heqin udhëheqësin historik të demokristianëve dhe ta zëvendësojnë me një kukull të Edi Ramës.

E vetmja zgjidhje në këtë rast është foltorja.

Ti duhet të nisësh foltoren në çdo qark të Shqipërisë dhe t’u shpjegosh demokristianëve, se ata që kërkojnë largimin tënd, janë të paguar nga një segment i Vatikanit, i lidhur me Sorosin.

Për këtë duhet ta çosh çështjen në Gjykatën e Napolit, ku shqyrtoheshin faljet e atyre që ishin konvertuar në myslimanë.

Pas kësaj, ti duhet të kërkosh prova dhe fakte kundër teje, që nuk ke qenë në lartësi të detyrës.

Fakti që ti je njeriu më popullor në Shqipëri, i hedh poshtë këto akuza.

Nga ana tjetër, duhet të mbledhësh një kuvend rithemelues, ku të thërrasësh Zef Bushatin, Nikoll Lesin dhe gjithë të laurguarit nga demokristianët, dhe ta ribësh partinë, duke larguar grupin armiqësor.

Është e sigurtë se ata që duan të të largojnë janë armiq të tu, ndryshe s’kishin pse të të largonin.

Po ashtu, është e sigurtë se po të shkarkuan nuk je më kryetar.

Ndaj duhet të nisësh foltoren dhe ti vësh përpara.

Më 11 dhjetor te presim më të fortë në Kuvendin tonë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje