“Ti e Fiqireti keni bërë faj të rëndë, djali yt ka bërë skandale”, zbardhet ditari sekret i Enverit: Takimi i fshehtë me Mehmet Shehun dhe tri variante për prishjen e fejesës

3 Nëntor 2021, 13:07Dossier TEMA

Gjendja në familjen Shehu ishte më shumë se e tensionuar. Një ditë pas takimit me Enverin, më 12 gusht, Mehmeti merr me vete edhe gruan (Fiqretin), për të shkuar në vilën e Hoxhave. Thirrja urgjente që i bëri Enveri një ditë më parë nga Korça dhe takimi i shpejtë dhe i ashpër me të në datën 11 shtator kishin lënë mesazhe të qarta.

Enveri nuk e donte fejesën Skënderit me Silva Turdiun dhe ishte për prishjen sa më të shpejtë të saj. Këtu nuk kishte asnjë lëshim, për ish-diktatorin fejesa ishte devijim nga morali i partisë dhe këtë, një ditë më parë, Hoxha ia kishte treguar qartë Shehut.

Ditari-dorëshkrim i zbardhur për dy takimet e tjera, të datës 12-13 shtator, tregon qartë brutalitetin e atij sistemi. Enveri në shënimet e tij shkruan për sjelljen e Mehmetit dhe Fiqretit ndaj fëmijëve. Më datë 12, në drekë, në shtëpinë e ish-diktatorit hyjnë Mehmeti me gruan. Ish-kryeministri për rreth 30 minuta kërkon të marrë të gjithë fajin përsipër. Enveri shkruan me “bezdi” se si disa herë me radhë Mehmeti i kishte theksuar se i gjithë faji ishte i tiji dhe se Fiqreti dhe djali nuk kishin asnjë faj.

Pse ish-diktatori nuk pranon vetëfajësimin e Mehmetit dhe akuzat për Fiqretin dhe djalin. Si e pranon Mehmeti që ka bërë gabim të rëndë politik dhe akuza e parë edhe për djalin tjetër, Bashkimin. Takimi i datës 12 mbyllet me një tension akoma më të madh për familjen Shehu. Ata duhet të gjejnë menjëherë një zgjidhje dhe vendimet duhen marrë në presion të madh politik. Dhe familja Shehu kishte qenë dëshmitare në të gjitha finalet e përgjakshme të akuzave politike që ngrinte Enveri. 13 shtator.

Me tri variante të menduara mirë, prindërit e Skënder Shehut hyjnë sërish në vilën e ish-diktatorit. Enveri shkruan se atij i ishin paraqitur tri mënyra për zgjidhjen e fejesës, një ndër të cilat ishte edhe “vetëvrasja e djalit nga dëshpërimi”. Ky variant i ishte propozuar shumë qetë nga Mehmeti.

Pse Enveri propozoi vetëm prishjen e fejesës dhe dëshira e Mehmetit për të “mbrojtur” familjen Turdiu. Si reagoi Enveri pas takimit dhe shënimet e fundit për Mehmetin: “Është në interesin e madh të Partisë, që Mehmeti t’i kuptojë këto gjëra. A mund të bëjë prapë gabime?”

TAKIMI I DYTË (12.09.1981)

Po para dreke më kërkoi takim dhe e prita në zyrë. Ishte shumë i emocionuar. Pastaj më tha: Kam bërë gabim të rëndë politik. Si e bëra unë këtë, etj. Reflektova për këtë çështje dhe vendosëm tok me Fiqretin ta thërrasin djalin nga Athina, që kish shkuar tok me ekipin e Dinamos për të reja, ku bënte pjesë dhe vajza e Turdiut, e fejuara në fjalë e Nerit, i cili bashkë me të do të shkonte në Suedi. Do t’ia shtrojë çështjen dhe t’i likuidojmë”.

I them se këtë zgjidhje do ta këshilloja dhe unë. Djalit që është anëtar partie, i them të mos bëjë më gabime të tilla. Mehmeti i alarmuar dhe me sytë e errësuara nga sentimentalizmi i sëmurë karshi fëmijëve, duke vërtitur bangon me duar thoshte: Jo, shoku Enver, unë kam faj. Vetëm unë kam faj. Unë e bëra këtë, djali erdhi më pyeti etj, etj, të tilla historira. E lashë të mbaronte dhe të pushonte së qari. I them, shiko Mehmet, ti dhe Fiqreti s’ka asnjë dyshim që keni bërë faj të rëndë dhe është mirë që të vret ndërgjegjja. Por ka faj edhe djali. Jo, shoku Enver, nuk ka faj as Fiqreti, as djali.

Gabimin e kam bërë unë, fajin e kam unë, e përsëri e përsëri. Jo, i them nuk mund ta pranoj. E para që Fiqreti që më hiqet aq parimore, që ka bërë gati skandal në Shkollën e Partisë për djalin a çupën që e fejoi me një person që ishte larg që kishte biografine me profesor Sotir Mamushin dhe tani vjen dhe me thua që nuk ka faj Fiqreti.

Ajo është nëna e djalit, shoqja tënde, anëtare e Komitetit Qendror, drejtore e Shkollës së Partisë ku mësohen normat e moralit komunist. Dhe e dyta, djali i asaj duke e ditur kush ishte vajza nuk nguroi të vinte te ty të propozonte dhe ti ia aprovove, siç ia aprovove. Jo, i them Mehmetit, nuk mendon drejt. Është një ndjenjë e sëmurë ndaj fëmijëve të tu dhe në vend që të shërohesh, po i dëmton. Djali yt që është anëtar partie ka bërë dhe skandale të tjera, që i janë vënë në dukje nga partia.

Për veprimet e tij po shfajësohen dhe zbuten në familje nga ju. Duhet të bëni shumë kujdes me fëmijët se flasin jo mirë si për këtë, si për Bashkimin edhe gruan e tij. Armiku i ka në shenjë fëmijët e udhëheqjes. Është mirë që ti t’i njohësh gabimet e tua ndaj shokëve, ndaj partisë dhe ta analizosh mirë. Përpara popullit dhe bazës që po flet nuk do vemi t’i themi që fajin e ka Mehmet Shehu, se kjo është e dëmshme për partinë, në sy të botës fajin e ka djali dhe askush tjetër dhe kjo është një pjesë e së vërtetës. Ty të vret ndërgjegjja, më thua, ndaj djalit.

Nëse ti ia ke imponuar, atëherë të të vrasë ndërgjegjja. Por si më thua ti dhe ai, sigurimi ju vuri në dijeni për gjendjen e familjes Turdiu. Ju as investuat fare për të dhënat dhe vepruat në kundërshtim me vijën e partisë në çështjen e luftës së klasave. Prandaj, i them Mehmetit, kështu gjykoj për këtë problem. Ky gabim u bë dhe duhet të zgjidhet me gjakftohtësi dhe pa dhimbje për partinë.

TAKIMI I TRETË (13.09.81)

Mehmeti me gjithë Fiqretin erdhën përsëri te ne, sigurisht të tronditur dhe të alarmuar për gabimin e madh politik që bënë. Në mes tyre bluanin në kokë shumë variante alarmante, që mund të ndodhnin me Skënderin kur t’i thoshin që duhet të prisheshin marrëdhëniet me Turdijtë. I dëgjova me gjakftohtësi se e merrja me mend çfarë variantesh kishin imagjinuar.

Varianti i parë, Skënderi të kuptonte gabimin e tij dhe të prindërve dhe të pranonte të likuidohej kjo situatë e rrezikshme. Varianti i dytë, të mos e pranonte ndarjen dhe te martohej me të, duke marrë shtëpi jashtë shtëpisë së Mehmetit dhe varianti i tretë, të vriste veten nga dëshpërimi.

I them Mehmetit: Varianti i parë do të ngjasë, pra ai duhet të bëhet. Mos ki merak, i them, se djali yt ka lënë 2-3 vajza, mund të lërë dhe të katërtën pa gjë të keqe fare. Kurse dy variantet e tjera, të siguroj unë, se nuk do të ngjasin. Po të ndodhë varianti i dytë, ai i braktisjes, ai largohet nga rruga e partisë dhe hyn në rrugën e armikut. Për variantin e tretë mos ki merak fare se e vret veten. Skënderi yt ka kaluar shumë herë në këto rrugë dhe as që është turbulluar fare dhe jo të vrasë veten. Mehmeti m’u përgjigj: Ishalla, kështu u bëftë, këto variante më shkuan ndër mend. Pastaj Mehmeti më nxori nga xhepi një top letrash për të treguar përbërjen komplete të Turdive dhe të gruas së tij, Pipajve.

I them, s’është nevoja, ato që duhet të di i thaç dhe ato qëndrojnë. Po, tha Mehmeti, ato janë vetëm disa përcaktime. Arshi Pipa që udhëheq reaksionin shqiptar në Amerikë, nuk është i vëllai i nënës së vajzës, por djali i xhaxhait. I them se njësoj është. Por, vazhdoi Mehmeti, të ta lexojë pak. Ja, tre faqe janë. M’i ka dhëne Sigurimi. Profesor Turdiu, babai i vajzës dy herë është futur në listën e Sigurimit, një herë në luftë, të burgosurit, të arratisurit dhe filloi të numëronte pjesëtarët e familjes Turdiu. Ka kaluar kohë, njëri në një punë atje, tjetri atje. Kjo ishte nga ana e Mehmetit njëfarë shfajësimi për variantin e dytë, në fund të fundit mund të shërbente që të pranohej. Për këtë nuk më erdhi mirë dhe i them:

Asgjë nuk luan, kjo është një familje plot me armiq dhe këta që numëron ti heshtin se kanë frikë, por po t’i bjerë rasti bëhen si të tjerët. Ashtu është, tha Mehmeti. Atëherë u ndamë dhe u përpoqa ta qetësoj derisa t’i vinte djali nga Athina, të cilin e kthen për t’ia shtruar çështjen dhe për të marrë fund. Mendimi im është se Mehmeti realizon se ka bërë gabim politik, por këtë realizim e ka të thelluar. Për mua është e qartë. Nuk ia thashë sot se ai ishte shumë i tronditur, por do t’ia shtroj nesër kur t’i them që të zgjidh këtë lëmsh që bëri. Është në interesin e madh të Partisë, që Mehmeti t’i kuptojë këto gjëra. A mund të bëjë prapë gabime?

Biografia e vajzës së profesor Turdiut 

Avokat i kriminelëve të luftës që gjykuam. U fut në burg dhe u pushkatua.

Vëllai i profesorit: Ballist i poshtër, i deklaruar nga ne kriminel lufte, në listë.

Një vëlla tjetër: S’deshi të kthehej në Atdhe nga Jugosllavia kur u kthyen të gjithë studentët. Braktisi Atdheun për Jugosllavinë.

Nëna e vajzës: Familje e Pipës nga pasanikët e Shkodrës

Një vëlla i saj pushkatuar nga ne si armik politik.

Një vëlla tjetër i arratisur pasi doli nga burgu.

Një motër e arratisur jashtë për çështje politike.

Një motër imorale, metres e një tregtari durrsak i pasur: Manushi.

Vëllai Arshi Pipa, udhëheqës i shquar i emigracionit, tradhtar në Amerikë.

Një ose dy motra të tjera imorale(panorama.al)

3 komente në ““Ti e Fiqireti keni bërë faj të rëndë, djali yt ka bërë skandale”, zbardhet ditari sekret i Enverit: Takimi i fshehtë me Mehmet Shehun dhe tri variante për prishjen e fejesës”

  1. k says:

    Çohu o Enver parimori dhe shiko nipin tënd si eshte bërë trafikant droge dhe burgaxhi.

  2. Labi says:

    Lene nipin e Enverit se e mori tufa me vete,sot eshte veshtire te gjesh nje qe nuk eshte trafikant ne Shqiperi,pytja eshte ku genjen Enveri per sa thuhet me siper?

  3. Heretiku says:

    M. Shehu ishte nder me te egrit, ndoshta me i egri, me brutali ne luften e klasave ne Shqiperine socialiste. Si eshte e mundur te bente nje hap te tille, duke e ditur shume mire, si ishte perberja familjare e vajzes? Diku ne autokritiken e tij, ai ja ve fajin sentimentalizmit te tij, deboleces qe kishte per te birin!! Me nje fjale, ai per te tjeret, kur shihte “qimen” bente gjemen, per “traun” e vet, ishte diçka normale!! Dikush, ne komente te meparshme, avancon idene se M.Shehu ishte burre shteti. Te pakten ne kete rast, per shume persona, eshte nje “legen shteti”. Nuk mund te vere nje burre shteti interesat personale, per te permbysur ato shteterore, per te cilat, ai vete kishte qene nje nga arkitektet kryesore.
    Megjithate nuk eshte i vetmi ne historine e Shqiperise, ka pasur edhe te tjere para tij dhe pas tij. Para tij p.sh. eshte A.Zogu, qe kur u sulmua nga Italia fashiste, “hapi krahet” dhe fluturoi si zog qe ishte, ndonese 2 dite me pare kishte deklaruar solemnisht para shqiptareve, se do te dilte ne mal ( “do te vishte opingat”) per te bere rezistence kunder okupatorit!! Por interesi personal, djali i sapolindur dhe gruaja lehone, e bene te nderronte mendje. Ironia e fatit, ishte numri nje i Shqiperise, mbreti!!!
    Pas vitit 90-te, nje nga “trimat” e demokracise, Saliu, ne shperthimin “nuklear” te Gerdecit, beri ç’eshte e mundur, dhe ja arriti, te bllokoje te gjitha perpjekjet e organeve kompetente, per te zbardhur si duhej ngjarjen tragjike, kur dihej edhe nga guret e sokakut, qe ishte i biri, fajtori kryesor se bashku me ministrin e mbrojtjes. Edhe Saliu, ne kete moment ishte numri nje i shtetit. Nuk u mjaftua me bllokimin e organeve te hetuesise per te kryer normalisht punen e tyre, por detyronte ministra kukulla te qeverise se tij ( A. Bumçi ) te benin deklarata bajate ne organet e medias. Ky i fundit, shume “i indinjuar”, me nje fytyre prej perdellimtari, recitonte tekstin qe i kishin vene perpara, per “shpifjet” e papranueshme ne adrese te familjes se kryeministrit!!!
    Legenat e shtetit ne Shqiperi nuk mbarojne ndonjehere. Ne vende te tjera europiane, per gjera shume me te vogla jepet menjehere doreheqja dhe i hapet rruga hetimeve te rradhes, sepse mentaliteti i hapur dhe demokratik eshte karakteristika kryesore e burrit te shtetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje