OBSH thirrje shqiptarëve për vaksinim: Është shumë e rëndësishme, mund të infektoni pacientë që mund të kenë imunitet të dobët

4 Nëntor 2021, 15:07Sociale TEMA

Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Shqipëri, Gerald Rockenschaub, ka bërë thirrje që të vaksinohen të gjitha kategoritë e rrezikuara.

Sipas tij, COVID-19 dhe gripi sezonal mund të sjellin një pandemi të dyfishtë.

Rockenschaub-i theksoi se, është shumë e rëndësishëm që punonjësit në sektorin shëndetësor të vaksinohen.

Kjo sepse nëse ata preken, mund të infektojnë pacientë që mund të kenë imunitet të dobët.

“Është shumë e rëndësishme që ne të mbrojmë punonjësit shëndetësorë në mënyrë që ata të mund të mbrojnë pacientët në spital”, tha ai.

Ndërkohë, qeveria e Shqipërisë ka siguruar edhe 200 mijë vaksina të tjera kundër gripit të zakonshëm, të cilat do të shpërndahen proporcionalisht në të gjithë Shqipërinë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, është shprehur se targeti kryesor për këto vaksina, do të jenë të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna.

Për to, vaksinimi do të ofrohet falas. Qëllimi kryesor është ai i mbrojtjes së shëndetit të grupeve më të rrezikuara nga gripi i zakonshëm.

Parë edhe situatën pandemike të krijuar nga COVID-19, më parë, ministrja ka deklaruar se është i mundur kombinimi i dozës kundër coronavirusit me atë të gripit të zakonshëm. Kjo do ta lehtësonte edhe sistemin vetë, duke shmangur radhët e gjata.

Me vaksinën kundër COVID, janë vaksinuar mbi 1 milionë shqiptarë me të dyja dozat e nevojshme.

Vaksinimi kundër gripit nga ana tjetër, ka filluar prej dy javësh dhe të moshuarit janë të parët, të cilët u janë drejtuar qendrave shëndetësore.

Fillim të procesit ka parë edhe vaksinimi me dozën e tretë kundër COVID për disa shtresa.

Edhe në Shqipëri, ashtu si në shumë shtete të Evropës, “do të jetë e detyrueshme të paraqitet certifikata e vaksinimit, për të pasur qasje në lokale apo shërbime të tjera”.

Kështu u shpreh ministrja nga foltorja e Kuvendit, ku nuk munguan akuzat me deputetin demokrat, Tritan Shehu.

“Dikur u shprehet se do të përdorni vetëm vaksina të certifikuar nga OBSH-ja e tani po përdorni dhe ato kineze, të pasigurta”, tha Shehu me tone të ashpra.

Ai mori shembull edhe shtetin e Kosovës, për të cilën tha se “ata përdorin vetëm vaksina të certifikuara”.

Kurse ministrja, nga ana tjetër, solli shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), të cilët, nga data 8 nëntor, do të njihet për udhëtim dhe vaksinimi me dozën e vaksinës kineze Sinovac dhe Coronavac.

“Coronavac e Sinovac është e aprovuar në 41 vende të botes, përfshi Kinën, Turqinë, Gjeorgjinë, Maqedoninë e Veriut etj dhe është e parakualifikuar nga OBSH”, tha ajo.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje