Burgu i Zaharisë nuk do të ekzistojë më

9 Nëntor 2021, 14:00Kronika TEMA

Një lajm i mirë vjen për burgun e Zaharisë.

Puna disa vjeçare e ish ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj për ta mbyllur këtë institucion të vuajtjes së dënimit duke siguruar ambjente të tjera, është finalizuar së fundmi nga pasardhësi i saj në detyrë Ulsi Manja.

Ky i fundit ka bërë me dije se ky burg do të mbyllet dhe nuk do të ketë më të burgosur që do të vuajnë dënimin atje.

Ministria e bëri publik vendimin me 5 nëntor, aty ku thuhet shprehimisht se të burgosurit do të zhvendosen në burgun e Shënkollit.

Burgu i Zaharisë ishte cilësuar si “Alkatrazi shqiptar” dhe është bërë një luftë e madhe për mbylljen e tij veçanërisht gjatë mandatit të dytë të qeverisë “Rama” ku u mor seriozisht kjo situatë.

Kushtet ishin skandaloze, nuk respektoheshin të drejtat e njeriut dhe aty vuanin dënimin, personat që kishin probleme mendore.

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani u shpreh se gjithmonë në muajin nëntor ndodh që të hapet tema për këtë burgun.

“Edhe në nëntor të vitit 2016 është bërë e njëjta gurgule, e gjithashtu do të gjeni deklaratën time për ta mbyllur atë. Por që nuk e ekzekutonim dot. Është fjalë goje për ta mbyllur, por një hendek i madh për një plan veprim. Nga fillimi i vitit 2017 do hapej burgu i Reçit në Shkodër, për të dërguar atë të Zaharisë në Shënkollë. Vendimi nuk është marrë sot, por më parë”, tha ish-ministri i Drejtësisë.

Sipas Manjanit, burgu i Zaharisë është “një fatkeqësi shtetërore e shoqërore”. “Është gjë e turpshme, për çdo zyrtar të shtetit, pasi në burgun e Zaharisë mbijetonin në kufijtë e çnjerëzores”, shtoi ai.

Ish-ministri i Shëndetësisë tha se nuk është problemi vetëm si infrastrukturë, por aty mungonte trajtimi për të burgosurit me probleme mendore.

“Aty kishte persona në gjendje të rëndë psikike, trajtimi për ta mungonte. Nuk është e rëndësishme se do i transferojmë, por kush do i trajtojë ata persona. Trajtimi mjekësor është kryesorja. Familjarët akuzonin punonjësit e burgut kur shikonin njolla gjaku në mur. Por imagjinoni një gardian që duhej të jepte edhe ilaçet”, tha Manjani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje