Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, në lidhje me ankimimin e bërë nga FSHF në Gjykatën e Arbitrazhit të Lozanës në CAS për Asamblenë e KOKSH, është shprehur se Armand Duka do të dalë i humbur në këtë gjyq, ashtu siç ndodhi me Bezhanin.
Në emisionin “Skaner”, Ylli tha se Duka dëshiron të prishë imazhin e KOKSH.
“Duke qenë se në Shqipëri nuk është krijuar CAS, FSHF këtu e ka merkaun. Duan që të gjitha çështjet që ankohen atje, e çojnë në Lozanë. Nëse do kishte CAS, FSHF do shkonte te CAS shqiptar. Duka do t’i lodhi njerëzit dhe i çon në Lozanë. Duhen nja 20 mijë dollarë. Kush lojtar i ka kaq për të shkuar atje?! Çështja do të zgjidhet në Shqipëri. Në Lozanë kanë thënë që është hapur gjyqi në Shqipëri. Siç e humbi Bezhani do e humbë edhe Duka. E pranuan të gjithë Asamblenë. Të bëjë ç’të dojë Duka, edhe të kërcejë valle po të dojë. Gjykata e Shkallës së Parë e çertifikoi, Ministri po ashtu. Duka e bën këtë që të prishë imazhin e KOKSH. Ai ka vendosur gardh atje, për tu ndarë nga KOKSH. Në zgjedhje FSHF u vetëpërjashtua.
Ne nuk kemi armiqësi, ai e ka me vetveten. Ai duhej përjashtuar. E shan në çdo moment KOKSH-in. Nuk mund të shpifësh, sepse ka kod etike. Unë dua të kem partner, sepse jemi të gjithë pjesë e sportit.”, tha fillimisht Fidel Ylli.
Më tej ai theksoi se nga informacionet që ka, është mësuar se qeveria do e ulë buxhetin për sportin, teksa tha se priste që kryeministri ta ndante sportin në Ministri më vete.
“Artan Shytin e kam shok dhe e vlerësoj shumë. Na nderon nëse vjen aty dhe është zv/ ministër për sportin. KOKSH është intitucioni më i lartë për sportin. Këtu duan ta ulin, duke filluar nga Duka. Këtu vetëm na sulmojnë, shikojnë dhe flasin për emra.
Të jem i sinqertë, prisja nga kryeministri që ta ndante sportin. Nuk është çështje vetëm për zv/ministrin. Ne ngremë zërin që ky është një problem. Kam informacion që këtë vit buxhetet e sportit janë ulur dhe kjo është e turpshme. Nuk mu ça barku për të qenë në parlament mua. Kushi na respekton, por ajo është më shumë për Arsimin. Zv/ ministri duhet të jetë shumë i lëvizshëm, të jetë zëri i Federatave në qeveri. Këtë punë më parë e bëja unë, por tani kam detyrë tjetër.
Alban Beqiri doli i treti në botë dhe çfarë iu dha?! Mori medalje në mes të Beogradit dhe ne akoma merremi me Foltoren.
Kam bërë thirrje të hapur që të hapen bastet sportive. Ka në Itali dhe në shtetet e tjera të mëdha. Do ishte një ndihmë e madhe për sportin. Nëse jemi bashkë me të gjitha Federatat i bëjmë ballë çdo qeverie.
Do krijojmë CAS shqiptar dhe do të futet në Statut. Tani kanë ndryshuar gjëra. Jam i sigurt që do të futet në statut. E detyron ligji që të futet në statut. CAS do të ketë zyra të saj.”, përfundoi Fidel Ylli.