Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa deklaron se nuk ka marrë porosi nga SHBA-të që të rrëzojë Qeverinë Kurti 1.
Me anë të një shënimi në “Facebook”, Mustafa shkruan se Grenell ka kërkuar që të hiqet tarifa dhe të mos zëvendësohet me reciprocitet, ndërsa shton se Kurti e ka rrëzuar vetë Qeverinë duke shkarkuar nga pozita ministrin Agim Veliu.
Reagimi i Mustafës vjen pasi Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ditë më parë ka deklaruar se Grenell, u kishte dhënë LDK-së 7 ditë kohë që ta rrëzojnë qeverinë Kurti 1.
“z. Richard Grenell nuk ka kërkuar asnjëherë nga LDK, sa unë kam qenë Kryetar i saj, që të rrëzohet Qeveria Kurti 1. Nga askush nga SHBA, LDK s’ka marrë porosi të tilla dhe afate.
Grenell si përfaqësues i Presidentit të SHBA-ve për Kosovën (jo si emër i përveçëm) ka kërkuar nga ne që të hiqet tarifa e vënë nga Qeveria Haradinaj dhe që kjo tarifë të mos zëvendësohet me reciprocitetin, për ti dhënë shanse bashkëpunimit ekonomik në rajon dhe dialogut.
I kam shkruar z. Kurtit në atë kohë se nëse nuk respektohen kërkesat amerikane për tarifat dhe nuk bashkëpunohet me SHBA-të si partner strategjik atëherë LDK, posa të kalojë faza e COVID-it, do të del nga Qeveria. Jo se do ta rrëzojë Qeverinë por DO TË DEL NGA QEVERIA KURTI. Qëndrimi në një Qeveri të tillë e cila nuk bashkëpunonte me SHBA-të ishte i pakuptimtë dhe degradues për LDK-në.
Kurti e rrëzoi vet Qeverinë me shkeljen e Marrëveshjes së koalicionit , kur e shkarkoi një ministër të LDK-së. Këtë e bëri me të vetmin qëllim për të krijuar shkas që të bie Qeveria.
Po habitem me mendjelehtësinë e interpretimit të 7 ditëve, pesë ditëve, e ditëve të trilluara dhe analizave që po iu bëhen në publik. Këta njerëz ose nuk i njohin SHBA-të ose janë të sëmurë kundër SHBA-ve.
I falem zotit që jam gjallë dhe shëndosh nga mendja, për të mos lejuar spërkatje të tilla ndaj LDK-së dhe partneritetit me SHBA-të derisa unë isha kryetar i saj”, shkruan Mustafa.