Pse kur vjen në pushtet e Majta, shtohen të varfrit?!

21 Nëntor 2021, 20:45Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Aq shumë e kanë trallisur publikun shqiptar zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike saqë sot pothuaj nuk dihet asgjë se çfarë bëhet me kundërshtarin e saj kryesor në pushtet, Partinë Socialiste.

Kjo e fundit jo vetëm po drejton e qetë, e jo thjesht di të mbrojë dhe të quajë pozitive çdo hap të vetin, si në rastin e patronazhistëve, por nuk gjen moment pa e qesëndisur këtë gjendje, qoftë në veprime por edhe me të gjithë shfaqjen e vet publike.

Po Shqipëria tjetër ajo e gjendjes reale?! Gjendja  e periferisë së kryeqytetit dhe jashtë Tiranës është e dhimbshme. Ikje masive e të rinjve, shtrenjtime të pandalshme çmimesh dhe kudo një administratë e lodhshme dhe e paaftë. Gazetari Montanelli, dekani historik i gazetarëve italianë, e thoshte me një lloj eufemizmi këtë stad të ri, ku dikur arriti e Majta e vendit të tij: “Si ka mundësi që sa herë vinë të Majtët në pushtet, shtohen të varfrit?!”

Ka një element që e dallon skajshmërisht drejtimin e vendit tonë kur në fuqi janë të Majtët, ku përveç problematikave, publiku has shumë më tepër sens për rregull por edhe vizion.

E megjithatë, përveç kësaj, për shkak të mungesës së demokracisë së brendshme të partisë dhe masave jo pak herë mirëfilli të Djathta, por edhe një administrate lokale të përgjumur, kjo nuk është përkthyer asfare si duhet me zhvillimin e mirë të Shqipërisë.

Vetë kryeministri i vendit, Edi Rama, duke e ditur mirë këtë handikap nuk lë moment pa kritikuar ashpër dhe ka arritur deri në pasqyrimin grotesk të njerëzve dhe stereotipave të tyre, teksa duket i shurdhët për natyrën e masave që ai po merr për vendin. Por kjo nuk ndihmon, paçka ringritjes që i bëri vendit ekipi i tij, sidomos pas tërmetit të fundit dhe pandemisë.

Nëse do t’i referoheshim rastit italian, kjo do t’i shkonte pak viteve, kur e Majta shkoi shumë më tepër sesa këllqet e saj. “Në kulturën italiane, autorizimi i së Majtës është akti që garanton natyrën demokratike të një veprimi të ashpër, legjitimitetin dhe ligjshmërinë e tij. Jo-ja e së majtës do të sillte të njëjtin akt represiv nën shenjën e dhunës së patolerueshme borgjeze. Edhe nëse Al Qaeda do ishte në anën tjetër”.

Fjalët janë të një personazhi aspak të parëndësi. Francesco Cossiga, presidenti italian i viteve 1985-1992, ishte shumë i qartë se vendit të tij i nisnin dhe i mbaronin problemet vetëm nga politika dhe koha do t’ia provonte idenë se: sistemi politik sklerotik italian, i mbështetur kaq gjatë nga Lufta e Ftohtë, do të duhej të ndryshonte në mënyrë drastike pas rënies së Murit të Berlinit.

Dhe Cossiga nuk e bëri këtë duke u përpjekur të bashkëpunonte direkt me politikanët italianë dhe duke mëtuar të bëheshin komisione boshe, siç ndodh rëndom, por vendosi të dilte publikisht pa gjuhën e dikurshme të stërholluar, derisa në një moment kur u lodh, të gjithë luftën ia la shtypit: “Ju kam dhënë shumë për të shkruar!”, e mbylli ai asokohe.

Po a mundi e Majta shqiptare pas këtyre 30 viteve të ndryshonte?! Kuptohet se ka ndryshuar plotësisht dhe tashmë edhe faktet tregojnë se ashtu si ajo edhe shumë nga partitë shqiptare ndryshuan edhe pse u ngjizën në ish-Komitetin Qendror. Veçse, ajo nuk u reformua asnjëherë aq sa duhej për t’i paraprirë shqiptarëve dhe për ta nisur me një marsh tjetër zhvillimin e vendit. Qoftë edhe tashmë, kur mori mandatin e tretë qeverisës. Sot, ideologjia e saj i ka lënë vend pragmatizmit të momentit ndaj PS-ja ashtu si kundërshtarët e saj pjellin kriza dhe ato ia implementojnë keqazi vendit me strukturat që mbartin pastaj me vete drejt e në pushtet.

Dhe, të vijmë në ditët tona. Pse e Majta nuk duhet t’i gëzohet shumë kaosit të PD-së?! Kjo e fundit po na mëson dhe na vërteton për të disatën herë argumentin, sesa demokratike është situata e brendshme e partive në vend dhe si na e përcjellin ata këtë shembull kur vinë në pushtet.

Ose e thënë më thjeshtë në rastin tonë: E Majta shqiptare është ende shumë larg Të Majtës Evropiane, paçka se koncepti menaxherial “Rilindje” ishte një gjetje e jashtëzakonshme forme. Sot, në këtë parti, ashtu si në të gjithë të tjerat, dëgjon vetëm zërin e kryetarit aktual Rama, që megjithë meritën që e ka mbajtur duke e ringritur në pushtet këtë parti, pothuaj nuk ka lënë as edhe hapësirën më të vogël për kundërshti ose zërin e kundërt dhe alternativ të sjell ide ndryshe.

Në të gjithë zhvillimet e fundit të partisë më shumë ka mbizotëruar forma, por aspak përcjellja e problematikave me të cilën hasen njerëzit e vendit, përfshirë dhe militantët e PS-së, që tashmë e kanë pothuaj të gjithë pushtetin lokal me ngjyrat e tyre.

Pak muaj më parë specialistët i bënin të qarta disa nga elementët, që e kishin trandur jo pak Shqipërinë: Amnistia Fiskale, mu në vitin e fundit të qeverisjes; rritja e rrogave, që është premtuar sërish nga Rama por pa një studim të përcaktuar mirë; ashtu si politikat e paqarta të P.P.P.-ve, të gjitha bashkë një tollovi, që e kanë çakorduar jo pak vendin.

Në fakt po ta orientonim PS-në drejt Liberalizimit Social, ku zyrtarët e saj tentojnë ta përcjellin të gjithë ideologjinë e tyre, që në fakt s’është më aq e Majtë, publiku kupton se disa nga veprimet e socialistëve nuk është se po i marrin shumë në konsideratë interesat e njerëzve.

A mund të jepni një shembull, do thoshin me të drejtë cinikët? Problemet me studentët, kritikat e vetë socialistëve për sistemin shëndetësor si në rastin e fundit me Erion Braçen; problemi i naftëtarëve dhe sjellja ndaj tyre, që kanë treguar realisht se protestat e tyre tek e fundit i bashkojnë honet e mëdha sociale dhe një varfëri që nuk ndalet, e ku shteti, i drejtuar nga të Majtët ka treguar atë formën cinike, përcjellë vite më parë nga Cosigga kur thoshte: që e Majta garanton natyrën demokratike të një veprimi represiv, legjitimitetin dhe ligjshmërinë e tij…

Nëse eufemizmi i Montanellit ishte pak cinik dhe qesëndisës nuk mund të thuash kështu me një përfaqësues tjetër të madh të botës së letrave, i cili e shikonte ndryshe të Majtën. “E Majta ka pasur gjithmonë aftësinë për të shtyrë reformat anti-sociale të cilat, nëse do të vinin nga e djathta, do të ishin refuzuar me forcë”, shprehet Michel Houellebecq.

E Majta, jo thjesht duhet me respektu rregullat e një tregu të lirë, duke ndërhyrë nga sipër me anë të pushtetit por duhet t’i gjendet komuniteteve më vulnerabil ngado në vend, të cilat sot përballen nga fuqi ekonomike që duan të krijojnë monopole ngado dhe për më tepër nuk duan t’ia dinë për autoritetin e shtetit.

Zhgënjimi vjen edhe më ballë për ballë nga masat e thjeshta me ikjen masive të njerëzve, krizën e shqiptarit të zakonshëm, pasigurinë totale ngado në vend, favorizimet e stërmëdha dhe të padrejta në biznes, përkrahjen e monopoleve…dhe P.P.P.-të.

Më këndshëm e shkroi edhe më qartë, pak vite më parë një kërkues italian, Emiliano Brancaccio: “E Majta është në krizë sepse pasi hyri në qeveri, filloi të zbatonte politikat e të Djathtës. Dhe me goxha zell, mund të shtojmë. E konsiderojmë ne të tillë mënyrën e tregut të punës, një pjesë e majme e reformave që kanë kontribuar në rritjen e pasigurisë në Europë ka ardhur si pasojë e qeverive me frymëzim socialist”.

A është ky rasti i Shqipërisë? Edi Rama sapo e kristalizoi pushtetin e tij në krye e zhvendosi Partinë Socialiste nga kanonet bazë të së Majtës, duke e përcjellë te e ashtuquajtura “Rruga e tretë apo Social-liberalizmi”, një variant i socializmit i ideuar nga Tony Blair. Ish-kryeministri britanik ishte shumë familjar në Shqipëri në fillimet e PS-së nën Ramën.

Kjo bëri që politika socialiste nën këtë sens të forconte shumë privatin pa e futur shtetin, apo t’i jepte gjithnjë e më pak hapësirë pjesës sociale vulnerabël në vend, që reagimin normal e ka përmes largimit nga vendi dhe humbjes totale të sigurisë.

Ndaj të varfrit shtohen shpesh me ardhjen e socialistëve, sepse pas fasadës së bukur fshihen honet e padrejtësisë, që t’i i has ngado në vend.

Kjo mund t’i ngushëllojë pak Demokratët, që kanë dalë nga një mitër bashkë me PS-në, por që tashmë nuk po e gjejnë dot identitetin e tyre, ashtu si Socialistët e thjeshtë, që në këto vjet provuan shumë nga eksperimentet alla-Rama…duke soditur varfërinë e tyre.

7 komente në “Pse kur vjen në pushtet e Majta, shtohen të varfrit?!”

  1. E verteta dhemb.... says:

    E mer corapekuq bithgrrisuri,te knoqet shpirti kur shikon se kto sunita t’mjere pas kazoneve te plenave do te hypin m’airalbania me pi turkish coffee m’istambul……
    Ene ti i krekosun do te postosh foto nga aerodhromi i Avlonas……!!!!

  2. Nje qytetar objektiv. says:

    Zoti Andoni, e ke qare, po e ke qare fare fare, koncentrati i te gjithe kesaj qe thua zotrote eshte: “Fajin e kane te gjithe shqiptaret qe nuk e kuptojne Kryeministrin gjenial me gjithe ekipin e tij te mrekullueshem”, Ma do mendja qe ti paguhesh me dicka me shume se nje dore sufllaqe dhe nje kanë dhallë.

    Ah, dhe meqe ra llafi, mjaft me kete spekullimin qesharak e majta – e djathta. Te pakten ne Shqiperi e gjitha kjo eshte pa kuptom. Ne Shqiperi ka vetem banda hajdutesh me emra maskues Partish qe vjedhin kete milet me rradhe. Keta hajdutet qe jane tashti ne pushtet e prishen rradhen prandaj edhe ajo banda tjeter eshte bere lemsh se nuk po kupton perse u prishen rregullat e lojes qe kishin vendosur me pare kryebanditet.

  3. Epirioti II says:

    O Beno, e ke tjerrur shume gjate.
    Ku ka konkurrence ka pabarazi, ku ka pabarazi ka zhvillim (te fortet shfrytezojne punen e te dobtve), ku ka zhvillim fillon lakmija per para dhe pushtetin e marrin koorporatat (oligarket sic i quajme ne menyre banale).
    Kur koorporatat marrin ne kontroll pushtetin nuk i ndal dot kurre ne dy gjera:
    1. Shkaterrimin Ekologjik dhe Urban
    2. Korruptimin e thelle te politikes.
    Kjo eshte filozofia qe ka pushtuar planetin dhe derisa bota ta gjeje nje te re, shkrimet si kjo e jotja thjeshte na gudulisin.
    Edi Rama nuk mund te veproje jashte ligjeve te shoqerise planetare. Tani ai eshte vete peng i fuqise se bizneseve qe ai vet promovoi dhe rriti nen filozofine e Tony Blair.
    Pushteti i vetem qe ka fuqi ta korigjoje nje qeveri eshte MEDIA. Nje maskara si Steve Bannon ka thene qe “as me plas fare per opoziten apo kundershtaret ne parti. Vetem cfare thote media ka sot rendesi”.
    Mediat shqiptare 20 vite me pare ishin avangard te shoqerise. Sot jane pjesa me e mjeruar e shoqerise shqiptare. Jane te neverritshme ne cilesine e permbajtjes qe ofrojne.

  4. Jeronim Baze says:

    PS nuk eshte parti e majte . elektoratin mbase e ka te majte por vete eshte parti kurve

  5. Ms says:

    Tirr lesh per triko, me mire!

  6. koli says:

    e majte PS-ja me keto lloj profili taksues ndaj klases puntore?? dhe ul taksimin per bizneset?!!!
    23% paguan nje individ qe punon shum dhe 15% tatim fitimi i bizneseve apo dhe 8% ai i dividenteve.
    PS-ja eshte kthyer parti rrumpalle, pa ide majtiste dhe pa busull ideologjike ekonomike majtiste.
    gjith hallkat e shtetit ja kalon privatit (sikurse flitet do kaloje dhe rimbursimet e TVSH, rimbursimet e Ilaceve apo dhe plot sherbime qe tashme i ka dhene dhe do i jape) shteti i majte duhet te jete i forte dhe jo te jete vetem kryeministri si institucion pa ekonomi nga mbrapa.
    thjesht te kapur

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje