Qeveria e Italisë vendosi që të përjashtojë personat e pavaksinuar nga disa aktivitete publike, me arsyetimin për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.
Masat që hyjnë në fuqi nga 6 dhjetori deri në 15 janar, përfshijnë të ashtuquajturën “Super Green Pass”, certifikata e gjelbër që do t’i jepet vetëm personave të vaksinuar apo të shëruar nga koronavirusi, dhe jo atyre që kanë test negativ.
Hyrja në spektakle, evente sportive, bare, restorante e diskoteka do t’iu mundësohet vetëm atyre që kanë Super Green Pass në të tria zonat, të bardhë, të gjelbër e portokalli. Por në zonën e bardhë, ku situata me pandeminë është nën kontroll, do të mund të hyhet edhe me test në restorantet në ambient të hapur, palestra, pishina dhe aktivitete sportive në përgjithësi.
Një dekret i ri qeveritar gjithashtu i ka bërë vaksinat të detyrueshme për stafin e sundimit të ligjit, ushtrinë si dhe të gjithë punonjësit në shkolla.
Më herët, vaksinat kërkoheshin vetëm për stafin mjekësor, si dhe për mësimdhënësit.
Kryeministri Mario Draghi tha se masat ishin të nevojshme për të ndaluar rritjen e rasteve të infektimit. Sipas tij, këto masa ndihmojnë edhe për ta mbajtur rikthimin e ekonomisë italiane si e treta në Bashkimin Evropian, ekonomi kjo që u zvogëlua për 8.9 për qind vitin e kaluar.
“Kemi filluar të kthehemi në normalitet. Ne duam ta mbajmë këtë normalitet”, tha Draghi në një konferencë, pasi kabineti qeveritar vendosi në mënyrë unanime për masat.
Italia, aty ku pandemia nisi të shpërndahet në Evropë për herë të parë gjatë vitit 2020, ka parë një rritje të numrit të të infektuarve, por në një masë më të vogël se shtetet e tjera të BE-së.
Italia ka shënuar rreth 10 mijë raste të reja në ditë dhe më pak se 100 vdekje në ditë.
Gjermania, e cila të enjten kaloi pragun e trishtë të 100 mijë vdekjeve nga koronavirusi shtrëngon më tej masat për të frenuar rritjen e pandalshme të infektimeve. Të ashtuquajturat rregullat 3G kanë hyrë në fuqi në të gjitha trenat, që nënkupton së për të udhëtuar pasagjerët duhet të tregojnë provë për vaksinim, shërim apo test negative të COVID-19.
Autoritetet po mendojnë sakaq, nëse do të shkojnë më tej duke e bërë të detyrueshëm vaksinimin. “Të gjithë ata që nuk vaksinohen e kanë fajin. Mendoj se vaksinat duhet të bëhen të detyrueshme. Pikë”, thotë një pasagjer.
Sakaq, Sllovakia u bë vendi i dytë pas Austrisë që hyri në izolim të plotë për të frenuar pandeminë, pasi mesatarja 7-ditore e infektimeve u rrit në mbi 10 mijë. Autoritet njoftuan gjendje të jashtëzakonshme 90-ditore dhe dy javë izolim. Të gjitha dyqanet jo të domosdoshme, e po ashtu baret e restorantet do të mbyllen.
Turp..! Shkelje e te drejtave njerzore. Hidhini ne kosh te plehrave te gjitha me konventa, me karta e me ligje leshi.. mireseuktheve diktature.. fajin ta mbajne ata qe e hodhen kete virus ne natyre, se ne fiillim na dolen me perralla lakuriqesh, kur po dilte e verteta sheshit, u moren me variantet e virusit qe hodhen. Iu doli jasht kontrolli, kjo ishte arme ushtarake. Historia shenon shume ngjarje te tilla qysh ne lashtesi, tani thjesht jane metoda me moderne… v.k