Një shi i rënë këtë fundjavë tregoi menjëherë gjëndjen skandaloze te terreneve sportive në vendin tonë, ku gjëja e fundit që mund të flitej ishte zhvillimi i një ndeshje normale futbolli.
Edhe pse në Kategorinë Superiore shumica e skuadrave nuk kanë dhe nuk luajnë në stadiumet e tyre, kulmi është në Kategoritë inferiore, ku vetëm për stadiume dhe investime nuk mund të flitet, pavarsisht se në FSHF thuhet se çdo vit ata kryejnë investime.
Rasti më skandaloz ishin dy ndeshjet e Kategorisë së Dytë Përmeti-Labëria dhe Luftëtari-Flamurtari, të cilat u zhvilluan në kushte aspak normale, madje duke shkelur dhe rregulloren.
Në sfidën mes Përmetit dhe Labërisë fusha e stadiumit ngjasonte me një pishinë, ku lojtarët nuk kishte asnjë mundësi që të qarkullonin topin. Dhe pse fusha ishte mbushur plotësisht me ujë, Federata Shqiptare e Futbollit vendosi që ndeshja të luhej, edhe pse bëhet fjalë për një terren skandaloz.
Kjo bëri që ndeshja të kthehej në një arenë humori mes lojtarëve dhe tifozëve.
E njëjta situatë ishte dhe në ndeshjen tjetër mes dy skuadrave të njohura të futbollit shqiptar, që dikur shkëlqenin në Kategorinë Superiore dhe që kanë marrë pjesë në Kupat e Europës.
Luftëtari-Flamurtari ishte një nga ndeshjet e tjera që nuk kishte aspak lidhje me futbollin.
Fusha e stadiumit Gjirokastra i ngjante më shumë një moçali, ku përgjegjësia për këtë fillimisht rëndon te bashkia si pronare e stadiumit, por edhe FSHF nuk ka bërë asnjë investim.
E ngjashme ka qenë situata dhe në shumë sfida të tjera, ku futbolli ka kaluar në plan të dytë fal denigrimit që ka pësuar nga mos investimet e FSHF-së.
Një shi që përmbyti propagandën e FSHF-së që flet për investime imagjinare. (TemA)