Agjencia franceze e lajmeve “Agence France Presse”, i ka dedikuar një artikull zhdukjes së bunkerëve të epokës komuniste në Shqipëri.
Bunkerët, shkruan AFP-ja, ishin ngritur për t’i bërë ballë një sulmi bërthamor.
Sipas saj, dekadat që pasuan zbuluan se ato po gllabërohen nga deti ndërsa vija bregdetare është goditur nga erozioni.
“Brigjet e Shqipërisë janë ndër më të prekurat në Evropë nga erozioni, sipas ekspertëve, të cilët fajësojnë ndryshimet klimatike dhe urbanizimin e pakontrolluar për fatkeqësinë”, vijon AFP-ja në artikullin e saj.
Përgjatë brigjeve të Semanit, shumë prej bunkerëve janë të zhytur nën ujë.
“Në plazhe trungjet e pemëve janë shqyer, ndërsa çatitë e shembura dëshmojnë për pafuqinë e popullsisë përballë detit që përparon gjithnjë”, përshkruan media franceze.
Ilir Zani, 80 vjeç, rrëfen për AFP-në se “bunkerët duhej t’i rezistonin çdo gjëje, por dështuan në betejën e tyre të vetme”.
Sipas vendasve, Adriatiku ka përparuar me 800 metra vetëm në tre dekadat e fundit.
Një tjetër banor, Izmir Mernica, 47 vjeç, ka frikë se kafeneja e tij mund të pësojë të njëjtin fat.
“Ne jemi të shqetësuar, deti po gëlltit gjithçka”, tregon Mernica.
Në vitin 2009, autoritetet tërhoqën shtatë bunkerë të zhytur nga deti.
Këta të fundit, krijonin vorbulla rrymash që morën jetën e shumë pushuesve.
Më shumë se një dekadë më vonë, bunkerët janë zhytur sërish nën ujë.
Sipas ekspertëve të ndryshimeve klimatike që punojnë për Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), më shumë se një e treta e vijës bregdetare të Shqipërisë prej 427 kilometrash ndikohet nga erozioni.
AFP-ja sjell në vëmendje figurën e një 64-vjeçari, i cili jeton në Qerret.
“Vlash Moci ruan ende bunkerin e tij, i cili dikur strehonte armë kundërajrore dhe tani është një lokal që tërheq turistë të huaj”, ravijëzon agjencia franceze.
Moci, sipas AFP-së, është i shqetësuar se një ditë dallgët e mëdha do të përpijnë gjithçka.
Deti duket të jetë i papërmbajtshëm në parashikimet e së ardhmes.
Për shkak të ndryshimeve klimatike, ekspertët parashikojnë se niveli i detit në Shqipëri do të rritet me 40 deri në 105 centimetra.
Ky parashikim përllogaritet deri në vitin 2100. Kjo, krahasuar me ndryshimet e regjistruara midis viteve 1986 dhe 2005.
“Problemi është se njerëzit kanë prerë pothuajse të gjithë bredhat për të ndërtuar banesa, duke dëmtuar sistemet e natyrës”, thotë 66-vjeçari, Besnik Zara, për AFP-në.
Në malet e Shupalit pranë Tiranës, vëren Agence France Presse, është e lehtë të shihen efektet e erozionit.
Shumica e dëmtimeve janë shkaktuar nga shpyllëzimi dhe lumenjtë që ushqejnë një rezervuar aty pranë.
Ky liqen, i cili furnizon kryeqytetin me ujë të pijshëm, “konsiderohet tashmë një vatër erozioni”, nënvizon Diku për AFP-në.
Për të përballuar këtë situatë, autoritetet ndaluan prerjen e pemëve nga pyjet e zonës në vitin 2016.
Ata janë zotuar gjithashtu të zbatojnë premtimet e bëra në konferencat e OKB-së për klimën në Paris dhe Glasgow dhe kanë filluar miratimin e legjislacionit të ri.
“Krimi mjedisor do të trajtohet nga kodi penal si krim kundër jetës, pronës ose në të njëjtin nivel me krimet e organizuara”, paralajmëroi ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.