Italia shtrëngon masat kundër pandemisë, pasi infektimet me koronavirus prekën një rekord të ri ditën e enjte. Më shumë se 44 mijë raste dhe 168 vdekje u shënuan në 24 orët e fundit, një rritje prej 70 përqind në vetëm një javë.
Autoritetet njoftuan anulimin e të gjitha aktiviteteve festive për vitin e ri, ndalimin e koncerteve dhe eventeve të tjera në ambient të hapur deri në 31 janar e po ashtu mbylljen e diskotekave dhe klubeve të natës.
Ministri i Shëndetësisë Robverto Speranca tha se maskat do të bëheshin sërish të detyrueshme edhe jashtë, dhe se në ambiente publike të tilla si teatro, kinema apo mjete të transportit publik, do të kërkoheshin vetëm maska me mbrojtje të lartë ffp2.
Gjithashtu Franca raportoi një numër rekord prej më shumë se 91 mijë rastesh 179 vdekje ndërsa Omicron vijon të përhapet vrullshëm në vend. Por ndërsa transmetueshmëria e lartë e variantit po gjeneron shifra alarmante anekënd botës, më shumë të dhëna provojnë faktin se ai është më pak agresiv se paraardhësit.