Ekstradohet nga Gjermania Florind Shabani, vrasësi i ish-policit Roland Rexhepi në qytetin e Elbasanit në vitin 2009. Sipas njoftimit të Interpol Tirana, kapja e tij u bë në Gjermani, ndërsa sot është bërë i mundur ekstradimi i tij në vendin tonë.
Ndaj tij, Gjykata e Elbasanit kishte caktuar masën ‘Arrest me burg’ në shtator të vitit të kaluar, ndërsa Shabani akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Njoftimi i Interpol Tirana:
Specialistët e Interpol Tiranës bënë ekstradimin nga Gjermania drejt Shqipërisë, të shtetasit shqiptar F. Sh., 40 vjeç. Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Gjermani, falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve policore gjermane. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në shtator të vitit 2021, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Shtetasi F. Sh., në datën 22.07.2009, në lagjen “Vullnetari” Elbasan, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. R.
Atentati mafioz ndaj Roland Rexhepit u realizua më 23 korrik të vitit 2009, duke e lënë të vdekur në vend. Rexhepi u qëllua me breshëri plumbash dhe vrasja e tij u konsiderua një atentat i mirëorganizuar. Identifikimi i autorëve të ngjarjes u bë nëpërmjet krahasimit të provave të ADN-ve përkatëse të autorëve, të gjetura në vendngjarje, si bishta cigaresh, motor dhe kapuç.
Dy personat e tjerë të arrestuar për ngjarjen, Marjus Tafa dhe Armando Llakaj, momentalisht po vuajnë dënimin në Shqipëri për krimin e kryer. Tafa është dënuar me 23 vite burg, ndërsa Llakaj me 24 vite. Asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të bashkëpunojë me organet e drejtësisë.