Teuta e ka përfunduar me sukses misionin e saj në Korçën e ftohtë përballë vendasve të Skënderbeut. Në një fushë të mbuluar nga bardhësia e dëborës, durrsakët triumfuan në ndeshjen e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë me rezultatin 0-1 falë një goli të Rubin Hebajt. Në fakt, takimi u vendos në dyshim nëse do të fillonte duke qenë se temperaturat e ulëta kishin ngrirë tubacionet e ujit dhe në këtë formë në dhomat e zhveshjes mungonte uji.
Megjithatë, problemi u zgjidh dhe sfida filloi me rreth 40 minuta me vonesë. Minutat e para ishin të vakëta ndërsa lojtarëve iu desh të ambientoheshin me terrenin e fushës, teksa rasti i parë vjen nga një këndore e Marës, por Qaqi largon rrezikun. Nga ana tjetër, Teuta kundërpërgjigjet me E.Vilën, i cili me një goditje brenda zonës shpërdoron një rast të mirë për të kaluar në avantazh. Ndërkaq, në fraksionin e dytë, Teuta shfaqet më kërkuese dhe rastet e Aleksit apo Dajës, konkretizohen në vazhdim nga ana e Hebajt.
Në minutën e 61, shkodrani koordinohet bukur nga distanca dhe mposht portierin Ruçi. Sakaq, në minutën e 74, Acquah shënon edhe golin e dytë, por aksioni bëhet i pavlefshëm për shkak të një pozicioni të parregullt. Vendasit provojnë të rrezikojnë me anë të Meksit, por devijimi i mbrojtësit përfundon ngjitur me kuadratin e mbrojtur nga portieri Qirko.
Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim të rezultatit dhe kështu Teuta hedh një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, ndërsa mbetet për t’u luajtur edhe ndeshja e kthimit më datë nëntë shkurt. Sakaq, vlen të theksohet se durrsakët lejnë pas humbjet radhazi dhe tashmë në debutimin për herë të dytë të trajnerit Renato Arapi, rikthehen pas një muaji te fitoret .