‘Cënon sigurinë kombëtare’; KPK bën padi për mbajtjen sekret të donatorit

4 Shkurt 2022, 22:10Kronika TEMA

Përmes një kërkesë-padie, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit këmbëngul të mbajë të fshehtë emrin e sponsorit privat të aktivitetit që zhvilloi në resortin luksoz “Marina Bay” në Vlorë me argumentin se bërja publike cenon sigurinë kombëtare, procesin e vetingut si dhe imazhin e KPK-së dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Nga Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pretendon se transparenca mbi emrin e sponsorit privat që financoi një aktivitet të zhvilluar në resortin luksoz “Marina Bay” në Vlorë në fund të shtatorit të vitit të kaluar do të cenonte ‘sigurinë kombëtare”, sipas një kërkese padie që KPK ka bërë ndaj Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Në kundërshtim të vendimit të Komisionerit për ta bërë publik emrin, KPK ka listuar gjithashtu si argumente cenimin e procesit të vetingut të magjistratëve, të marrëdhënieve ndërkombëtare si dhe të imazhit të vetë KPK-së dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në fund të shtatorit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pranoi donacione nga një sipërmarrje private për të zhvilluar një aktivitet të titulluar “Raport dhe Strategji” në resortin luksoz “Marina Bay” në qytetin e Vlorës.

Aktiviteti u zhvillua më 30 shtator, por dymbëdhjetë komisionerët e KPK-së dhe tre pjestarë të stafit administrativ u akomoduan në hotel për dy net fjetje dhe u kthyen në Tiranë më 1 tetor. Të pranishëm në aktivitet ishin edhe tre vëzhgues të ONM-së, por ndryshe nga Komisionerët ata nuk u akomoduan në resortin luksoz.

Prej tetorit 2021, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka refuzuar kërkesat për të drejtë informimi të BIRN për vënien në dispozicion të emrit të kompanisë private dhe aksionerëve të saj që financuan aktivitetin.

KPK refuzoi gjithashtu të zbatonte një vendim të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, i cili e urdhëroi KPK-në që të vendoste në  dispozicion të BIRN një kopje të plotë të marrëveshjes me kompaninë private që financoi aktivitetin.

Më 24 janar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ankimoi në Gjykatën Administrative të Tiranës vendimin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, KDI, duke këmbëngulur që ta mbajë sekret emrin e sponsorit privat.

Në kërkesë -padi nuk paraqiten argumente se pse bërja publike e subjektit që mbuloi shpenzimet e të gjithë aktivitetit do të sillte pasoja – por Komisioni rendit një sërë pretendimesh si justifikime lidhur me statusin e veçantë që gëzojnë komisionerët dhe përmbatjen e diskutimeve të tyre në mbledhje, për të cilat nuk është kërkuar informacion.

Gjithashtu, KPK pretendon se buxheti i shtetit nuk u mundëson mbulimin e shpenzimeve për aktivitete të tilla dhe se për këtë arsye, kanë të drejtë të përdorin financime të jashtme.

“Duke qenë në kushtet e një buxheti minimal dhe pamundësisë për të pasur një zë të posaçëm për organizim eventesh në ligjin vjetor të buxhetit, Komisioni siguroi donacion për zhvillimin e një aktiviteti,”, shkruhet në kërkesë-padi.

Komisioni e quan të mjaftueshme dhënien e kopjes së marrëveshjes pa emrin e sponsorit, duke pretenduar se në këtë rast prevalon interesi më i lartë “i sigurisë kombëtare”, nga e drejta e informimit.

“Ky vendim cenon sigurinë e mbledhjeve që mban KPK-ja, si dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, ato ndërmjet KPK-së dhe ONM-së, pasi në bazë të nenit 31 të Rregullores për veprimtarinë e KPK-së, diskutimet dhe mbledhjet e anëtarëve të Komisionit janë konfidenciale dhe në to nuk kanë akses as media dhe as publiku,” thotë KPK në kërkesë- padi, ndonëse BIRN nuk ka diskutimet mes anëtarëve të KPK në aktivitet.

Po ashtu, KPK vlerëson se KDI me vendimin e tij ka sjellë një pasojë të rëndë për imazhin e KPK-së dhe partnerëve ndërkombëtarë të vendit tonë në këtë proces, duke pretenduar se bazuar në këtë vendim, BIRN Albania mediatizoi aktivitetin dhe shpërndarja e këtij lajmi edhe nga mediat e tjera online, kanë sjellë cënim të imazhit të institucionit.

Në përfundim, KPK i kërkon gjykatës shfuqizimin e vendimit të Komisionerit, duke këmbëngulur që të mbajë të fshehtë sponsorin privat për aktivitetin në hotelin luksoz në bregdetin e Vlorës.

5 komente në “‘Cënon sigurinë kombëtare’; KPK bën padi për mbajtjen sekret të donatorit”

  1. Zyko says:

    Ju kam djallosur trasparencen, drejtesine dhe sigurine kombetare. Maskarenj e hajdute te gjithe.

  2. bimi says:

    pak i kane rrogat nga 5 mije euro… ju duhet edhe sponsor…hajde gallat madeinalbania hajde.

  3. hui says:

    Sigurine kombetare e cenon kjo qe e ka mbaruar juridikin me korrespodence dhe drejton KPK tani.

  4. Km says:

    Ashtu sic konsideroj te drejten tuaj per honorare e sponsorizime ,ashtu konsideroj edhe te drejten e publikuar per te mesuar autorin e ketyre sponsorizimeve.Ndryshe ,sic akuzuar me padrejtesi Sajmir Tahirin per shperdorim detyre,pa asnje fakt,mund te kem edhe une te drejten te them qe aktivitetin tuaj e ka sponsorizuar nje njeri i lidhur me krimin.Zgjedhja eshte juaja

  5. era says:

    per keto te mbahet sekrete po gjyqtareve dhe prokuroreve qe ju keni hyre edhe ne krevat dhe nuk keni lene gje pa bere ju mashtruesit e KPK DHE KPA keto nuk ka gje se ca lavere dhe ordinere jene te gjithe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje