Skandali i vërtetë që kalon në heshtje, teksa ne analistët dhe opozita merremi me allatet e Dukës

8 Shkurt 2022, 10:25Politika TEMA

Nga Blendi Kajsiu

Zhvendosja e vëmendjes nga dështimet e qeverisjes në pseudo-debate politike që janë të fituara nga pushteti që në pikënisje pra ajo që quhet përcaktimi i axhendës, është instrumenti kryesor që përdor çdo pushtet për t’u përballur me opozitarizmin politik dhe social. Sidomos në një demokraci si e jona, ku opozita është e përçarë dhe pushteti socialist i Ramës ka me vete shumicën dërrmuese të interesave ekonomike dhe servilizmin e mediave.

Këto të fundit, për arsye të strukturës së pronësisë edhe sikur të mos ishin kapur nga qeveria Rama, bëjnë shumë pak gazetari dhe aspak investigim. Media kufizohen te “pasqyrimi” i politikës duke u vënë mikrofonin para politikanëve dhe duke organizuar ndeshje boksi nëpër emisione mes të ashtuquajturve analistë politikë (ku bën pjesë edhe autori).

Ndaj, qeveria Rama hap beteja që janë të fituara që në pikënisje dhe tërheqin vëmendjen nga katastrofa, si kriza energjetike, degradimi në administratën publike, varfëria apo oligopolizimi i ekonomisë. Beteja e fundit me kreun e FSHF-së është shembulli më i qartë i këtij fenomeni. Politikisht beteja me Armand Dukën është e fituar për qeverinë Rama që në pikënisje, pavarësisht nëse arrijnë ta heqin apo jo. Korrupsioni i Dukës dhe kapja e FSHF-së prej tij është aq publike dhe e shëmtuar, saqë debati nëse Duka duhet të ikë apo të rri është pa sens.

Po kështu, përplasja mes shumicës socialiste dhe Presidentit Ilir Meta shërben më shumë për të fundosur opozitarizmin sesa për të forcuar institucionin e Presidencës. Që Meta ka abuzuar me funksionin e Presidencës duke u bërë palë në lojën politike, pranohet edhe nga ata që janë rreshtuar në krah të tij. Ndaj, debati politik mbi shkarkimin apo jo të Metës është fituar që në pikënisje nga pushteti, që është rreshtuar pro shkarkimit.

Kritika reale që i duhet bërë Ramës nuk është se përse po e shkarkon Ilir Metën sot dhe as përse e vuri President pasi e quajti “hajdut”. Përgjegjësia e tij në shkatërrimin e institucionit të Presidencës është shumë më e madhe se kaq. Ai është autor i ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës, që e shkatërruan politikisht rolin e Presidentit si një institución mbi palët.

Opozitarizmi i vërtetë duhet të merret me Presidentin e radhës dhe me Presidencën si institucion, jo me Ilir Metën që kostumin e Presidentit e ka zhveshur prej kohësh. Pra, debati i vërtetë sot nuk mund të jetë për fatin e Ilir Metës, por për fatin e Presidencës si institución. Sot duhen kërkuar ndryshime kushtetuese që na kthejnë te standardi i Kushtetutës së 2008-ës, ku Presidenti zgjidhej me një shumicë të cilësuar dhe jo me shumicë të thjeshtë. Ky do të ishte një debat që opozitarizmi do ta kish të fituar që në pikënisje, sepse refuzimi i standardit të Kushtetutës së 2008-ës, insistimi te zgjedhja e Presidentit me shumicë të thjeshtë, do të tregonte qartë vullnetin e ekzekutivit për të kontrolluar dhe politizuar Presidencën. Prandaj, debati që duhet të artikulojë opozitarizmi sot është mbi forcimin e Presidencës si institución, dhe jo nëse Meta duhet shkarkuar. Pseudo-debati mbi shkarkimin e Metës është një grackë e pushtetit për opozitarizmin që ndërtohet në bashkëpunim me mediat që i bëjnë fresk Ramës.

E njëjta gjë vlen edhe për debatin pa sens “Duka po apo jo”. Debati real mbi FSHFnë është si ka mundësi që degradoi kaq keq dhe për kaq shumë kohë? Duka ka 20 vjet në krye të FSHF-së, 8 prej tyre gjatë qeverisjes Rama. Përse pushteti dje dhe sot, qendror dhe vendor, pozita dhe opozita, mediat, politikanët dhe sportistët heshtën për kaq kohë përballë një kënete si FSHF, që qelbej nën hundën e të gjithëve? Ky është debati real që duhet zhvilluar mbi FSHF-në, në mënyrë që aty të mos mbijë Duka i radhës.

Gracka e pushtetit ndaj opozitarizmit nuk qëndron thjesht te pozicionimi i këtij të fundit përbri kauzave të humbura, si Duka, Meta, Berisha apo Basha. Akoma më e rrezikshme është tërheqja e vëmendjes nga probleme themelore me shoqërinë, ekonominë dhe shtetin në përgjithësi. Në një thatësirë të mendimit intelektual, ku mungon debati mbi modelin e zhvillimit socio-ekonomik, ku mediat nuk duan dhe nuk munden të bëjnë investigim ekonomik, pushteti e trullos publikun duke e ushqyer me cirkun politik Meta-Berisha-Duka.

Ndërkohë, në kulmin e krizës së energjisë kalon pothuajse në heshtje fakti skandaloz që ARMO (rafineria e përpunimit të naftës në Ballsh) po shitet për 9 milionë euro për skrap. Pra, qeveria Rama që ka hedhur rreth 400 milionë euro tek incerenatorët refuzon ta shtetëzojë dhe vërë në punë këtë uzinë edhe pse diçka e tillë, sipas disa analizave, do të kushtonte rreth 60 milionë euro. Dhe të mos harrojmë se edhe në momentet e saj të këqija, ARMO kur ishte pronë e shtetit, dilte me fitim dhe punësonte rreth 2000 veta.

Pra, ndërkohë që çmimi i naftës dhe i nënprodukteve të saj ka arritur kulmin dhe do të vazhdojë të rritet, Shqipëria një vend naftëprodhues shet për skrap rafinerinë më të madhe të naftës në vend, që nëse vihet në funksion, e ka të garantuar fitimin dhe siguron pavarësinë energjetike përballë luhatjes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Dhe kjo ndodh jo vetëm sepse Kryeministri ynë është një neoliberal i thekur, që më shumë se shtetin, përçmon administratën publike, por edhe sepse ka shumë interesa private të importimit të naftës dhe nënprodukteve të saj, që nuk e duan zhvillimin e industrisë kombëtare dhe aq më pak asaj shtetërore.

Ky është skandali i vërtetë që kalon në heshtje teksa ne analistët merremi me allatet e Dukës. Natyrisht që ka plot skandale të tjera që kalojnë në heshtje, që nga nivelet e varfërisë në Shqipëri që mbeten më të lartat në rajon (edhe më të larta se në Kosovë), aeroportet fantazmë, biznesi kriminal i kromit në Bulqizë, deri te degradimi i shtetit dhe administratës publike, që nuk garanton as ngrohjen e shkollave. Këto janë probleme që jo vetëm humbasin në cirkun politik, por që edhe kur ngrihen duken si dytësore, të vogla dhe veçanërisht të mërzitshme.

Pikërisht kjo është gracka më e madhe që pushteti i ka ngritur opozitarizmit në bashkëpunim me mediat. Është ideja se qeverisja Rama mundet në cirkun politik që kontrollohet nga vetë pushteti. Kështu opozitarizmi harxhon energji pa fund në beteja të humbura krah Metës apo Dukës, në vend që t’u tregojë qytetarëve realitetin që ekziston jashtë çadrës së cirkut dhe shtigjet për ta tejkaluar atë.

14 komente në “Skandali i vërtetë që kalon në heshtje, teksa ne analistët dhe opozita merremi me allatet e Dukës”

  1. shqip says:

    Më në fund një artikull me sens.. Njerëzit janë të lodhur me ringun e përditshëm të kazan politikës dhe kazan medias. Këto janë tema. Këto shqiptarët duhet ti kenë “në tavolinë” krahas bukës që hanë. Bravo gazetari !

    1. Myzegjeni says:

      Nga shkruan shoku, nga EKUADORI? Zor te jesh i virgjer ne ate vend lol.

  2. Sali Ilir Berisha says:

    Mire e ke ti mor zotni artikullshkrues dhe analist njekohesisht, por pyetja eshte:
    – Kush do ta beje OPOZITEN?
    – A behet OPOZITA me xhaketat e kthyera mbrapsht si te “rinjte” Sali Berisha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Dashamir Shehi e kompani?
    – OPZITAR quhen F Noka, F Mediu, N Ndoka, E Salianji, G Duma, Ç Gjata, apo me keq akoma F Balliu, A Bushati, Q Peka, A Bejtja,
    – Per mua OPOZITAR eshte ai njeri apo grupim politik, qe ka nje vizion permiresimi per jeten e qytetareve, dhe jo i njeri apo grupim politik qe ne thelb eshte me keq se ekipi aktual qeverises, por me te vetmin ndryshim se, ndersa ekipi qeverises rrokullis me mund ditet e qeverisjes ku me mire dhe ku me keq per jetesen e shtetasve, ata, “OPOZITARET” jane te çliruar nga keto “mundime” dhe si mjet pune kane vetem kova te mbushura me balte ose boje te zeze per te nxire gjitheçka, pavaresisht se edhe ata po te ishin ne qeverisje, ner rastin me te mire, njesoj do vepronin.
    – OPOZITE shterpe vetem me ambicje per te ardhur ne pushtet qe te permiresojne te ardhurat personale dhe jo te permiresojne jeten e miletit, me mire hiç se sa te tille, dhe kete opinionistet duhet te jene te paret qe ta theksojne, dhe jo te bejne militantin duke na thene qe Berisha mblodhi katerqindemilione “demokrate” ne kuvendin e foltores dhe Luli me pak se ai, duke harruar faktin ulurites se “demokratet” e Berishes jane nje tufe katundaresh maloke te zbritur nga shpellat e te vendosur ne Bathore, dhe jo personalitete me vizion qe i duhen me shume se kurre OPOZITARIZMIT.
    Kjo, mendoj une, eshte detyra paresore e te berit ANALISTIN, pa analiste si Andi Bushati, çdo shtetas i ketij vendi, e bene çdo mengjes, kur çohet nga gjumi.

    1. Pak says:

      Te mos kishe ate pseudonimin “Sali Ilir Berisha” jo vetem do te pershendetja perzemersisht per komentin qe s’ka çfare ti shtoshe me , por do te perqafoja. Shkurt dhe sakte, por eshte koment per njerezit, se mendja ka dhe miu dhe ariu dhe breshka dhe gjarperi, kane mendje dhe e kane njesoj si opozita apo Andi Bushati meqense ky i perfaqeson mire kur e mbronte Ilirin mbreme ne menyre te çmendur. Te faleminderit.

  3. Shaqo says:

    Kajsi e pa pjekur.. nuk ke per t’u pjekur kurre.

    1. Taulant says:

      Po pse o shaqo ku e pe ti papjekurine? Tek koka jote qe ma ke si kungull te mbi pjekur? Hahaha

  4. Shqiperia te ndihmoje Ukrainen me armatime says:

    Kajsi , qershi….dhe cirku shqiptar….
    =
    lol

  5. pjeshka says:

    Mos mendon se ju analistet jeni me te mire se allatet e Dukes?

  6. Golemi i Kavajes says:

    Nje BRAVO z. Kajsiu, por nje gje me cudit ne kete rast: Si eshte e mundur qe kete shkrim ua pranon ta publikoje gazeta Tema?
    Cfare ka ndodhur me redaksine e kesaj gazete, kur ajo vete duhet ta kishte kishte nxjerre nje artikull redaksional, lidhur me debatet shtetpe ne media dhe freskun vend e pa vend qe ka bere kesaj qeverie dhe vete z. Rama! Duke u marre me gogolin Berisha apo gogolin e ngordhur Meta, ka lene ne hije problemet themelore qe ju me te drejte ngrini ne kete shkrim. Faleminderit!

  7. Simpatizanti says:

    Do kesh qene duke ngrene plenca pule,te pa pastruar mire,kur e ke shkruar artikullin.
    Mundohu te tregohesh me modest!

  8. Haka Tekizoti says:

    Se çfarë duhet të kërkohet nga opozita dhe të tjerët për të kontrolluar qeverinë është e drejtë, por të thuhet që devijimet janë gracka të Ramës është njëlloj si të ngresh një grackë të re për ata që kanë rënë në “grackat e Ramës”. E bëtë Ramën perëndi të plotfuqishme ndërkohë që askënd s’e pengon kush të qortojë veprimtarinë e qeverisë dhe të mos i pranojë grackat e saj.

  9. katarakti says:

    Shkrim fenomenal. Që i vë pikat mbi “i”. Na çanë trapin këta analistat, duke filluar së pari nga Mero, qê 24 orë në ditë na merren me Metën, Ramën, Berishên dhe Bashën. Sikur të jenë mbretërit e Olimpit. Cic mice analistësh. Jo po çfarë tha Meta, jo po çfarë po bên Basha dhe budallalliqe të tjera me okë. Askush nga këta mytyberë nuk merret me problemet e vendit dhe hallet e popullit. Tê gjithë hedhin bomba tymi për të fshehur realitetin dhe çoroditur njerëzit. Na janê bërë Meta, Rama, Basha dhe Berisha si burri i nonës. Sikur na kanë ardhur nga ndonjë planet tjetër. Analistat kokëzbrazur shqiptarê nuk merren me strategjinë dhe platformat ekonomike, me projektet e zhvillimit të vendit, por me pordhët e “katërshes”. Dhe i pari në këtê drejtim ështê Mero Baze. Lexoni editorialet e tij. Prej vitesh rrotullohet dhe përdridhet me 4 emrat e sipërpërmendur. Kur në fund tê fundit janë të gjithë njëlloj. Sidomos përsa i takon politikave ekonomike. I paaftê të trajtojë tema të tjera me peshë dhe rëndësi themelore për të ardhmen e vendit. Blendit i lumtë për analizën.

  10. Ani says:

    Mos harro…Alabari I shiti aksionet…nuk dihet kush I bleu…lexoni Klodian Tomorrin

  11. Fred says:

    Shkrim shume i goditur. Si gjithmone, Blendi shkelqen me penen e tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje