Fitorja e Veliajt në gjykatë thyen “Perandorinë" e Armand Dukës

10 Shkurt 2022, 19:14Sport TEMA
Fitorja e Veliajt në gjykatë thyen “Perandorinë" e

Vendimi i gjykatës së Tiranës për të njohur ligjërisht zgjedhjet në Shoqatën Rajonale të Futbollit, që nuk janë trukuar nga Armand Duka, është një zhvillim i rëndësishëm që kris fort “Perandorinë” 20 vjeçare të tij në FSHF.

Por ajo që është më e rëndësishmja, vendimi i gjykatës së Tiranës është një precedent, që mund të rikthejë zgjedhjet e lira në të gjithë organizimin kapilar të trupave zgjedhore të Federatës Shqiptare të Futbollit.

FSHF nuk është thjesht një OJF, por është një organizatë që është mjaft e lidhur me pjesën active të organizimit në vend që janë futbolli profesionist dhe ai amator.

Për shumë vite, futbolli profesionist, si pasojë e krizës së rëndë financiare e mungesës së tifozëve, është kthyer në strukturë klienteliste në varësi të “bamirësisë” së “sheikut”-president, ndërkohë organizimi i strukturave të futbollit amator është thjesht një fantazëm.

Kur ka entitete sportive serioze në fushë e klube që arrijnë vetë të mbahen, Duka i ka bllokuar, duke i vendosur në qoshe dhe nxjerrë peripeci.

Siç kemi parë në zgjedhjet e kryera në disa qarqe të ndryshme të vendit, si Durrës, Elbasan etj, janë kryer zgjedhje të trukuara dhe në krye të shoqatave, të cilat janë zgjedhës së Presidentit të FSHF-së, janë vendosur punonjës rrogtarë të Armand Dukës.

Ndërhyrja në debat e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ishte realisht një fuqi që e trembi menjëherë presidentin e FSHF-së.

Vetëm hapja e debatit, por edhe nisja e një beteje për të bërë zgjedhje të drejta për kreun e Federatës është një mundësi e mirë për të rrëzuar statukuonë e vjetër që vetë zgjedh, vetë vulos e vetë firmos.

Duka dhe mbështetësit e tij tentuan që ta politizonin menjëherë ndërhyrjen e Veliajt, duke u viktimizuar kreu i FSHF se po “persekutohej” nga pushteti e mazhoranca. Sulmi që agresiv e polarizuar, por që nuk e kompleksoi fare Veliajn, i cili realisht është pjesë aktive e strukturave që mbajnë dhe mbështesin futbollin në kryeqytet.

Bashkia Tiranë është aksionere e Klubit të Futbollit Tirana, ndërkohë që është financuese dhe mbështetëse e një rrjeti të gjerë të strukturave të futbollit amator e mjediseve sportive, ndaj edhe beteja e Veliajt për të pasur zgjedhje të drejta për kreun e FSHF-së dukej të shihej që në fillim si një zhvillim normal.

A nuk kemi parë raste të ngjashme me bashki të tjera në vend që janë pjesë e kluveve të futbollit kur ka pasur rezultate positive?

Të gjithë e mbajnë mend daljet e Voltana Ademit me skuadrën e Vllaznisë, duke përdorur natyrisht faktin se bashkia Shkodër është pronare dhe mbështetëse e klubit të Futbollit të Qytetit.

Madje kemi raste kur deputetë si Enkelejd Alibeaj, është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, si pjesë e klubit Bylis që e ka bashkia e Ballshit, por edhe bashki të tjera në vend. Kjo sipas të gjithta gjasave do të vazhdojë, derisa futbolli të kthehet si në Europë në një biznes rentabël.

Megjithatë, përveç zhurmës dhe tentativës për ta banalizuar betejën e Veliajt, Armando Duka, duket se u shqetësua realisht nga hyrja në lojë fort e kryebashkiakut të Tiranës.

E ajo që ka ndodhur sot pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, duket se ka pasur arsye që të shqetësohet. Vendimi që ligjëron zgjedhjet e lira në Shoqatën Rajonale të Futbollit të Tiranës, është një precedent për të rrëzuar çdo zgjedhje të trukuar që është zhvilluar deri tani në disa rajone.

Ndaj dhe “Perandoria” e Armando Dukës ka marrë një tronditje të madhe, dhe krisjen më serioze deri tani….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje