Politika i ka shndërruar gazetarët në gladiatorë

11 Shkurt 2022, 14:12Blog TEMA

Nga Denis Dyrnjaja

Politika ka arritur një sukses unik në Shqipëri. Ajo që ndodh këtu, besoj se nuk ndodh në asnjë vend të botës demokratike, asaj që promovojmë dhe aderojmë prej 30 vitesh se duam të shkojmë. Raportet e politikës me llogaridhënien publike janë në pikën e tyre më të ulët, madje janë shuar thuajse fare.

Në media mungon debati dhe ballafaqimi i tezave, ideve, projekteve, koncepteve dhe filozofive që kanë krahët e politikës. Në 10 vjeçarin e parë të demokracisë 1990 – 2000 në Shqipëri mungonte habitati i nevojshëm bashkë me kulturën mediatike për të zhvilluar këto debate. Media plurale dhe gazetaria në tërësi ishte në hapat e parë të konsolidimit të saj dhe përshtatjes me mendësinë e re që prodhoi sistemi demokratik.

Në 10 vjeçarin e dytë bumi mediatik kryesisht televiziv u shoqërua me një bum debatesh ebpërballjesh të politikës edhe pse larg kulturës tezë-antitezë perëndimore. Në një farë soji ky debat ekzistonte, për të mbërritur në dekadën e tretë 2010-2020 kur ky debat u zhduk me lindjen dhe zgjerimin gati në ekspansion të medias online që në zhargonin ditor njihet dhe e quajmë portal. Rreth 800 të tillë tanimë në qarkullim, kanë nevojë për ushqim mediatik dhe ushqimi më i mirë është ai që cilësohet si lajm skup.

Por të tillë lajme zor se gjen sepse gazetaria profesionale dhe reale me standarde thuajse është në zhdukje. Përtej kësaj media online zëvendësoi mundësinë për debat dhe përballje mes politikanëve. Tani vendin e tyre e kanë zënë gazetarët që zihen sherrosen e fyhen mes njëri tjetrit për llogari të politikës. Mjafton të shohësh çfarë ndodh në orët prime time në mbrëmje dhe kjo është lehtësisht e kuptueshme dhe e dallueshme. Degradim total profesional. Mbijetesa dhe nevoja për vëmendje lajm dhe interes në kushtet e reja i ka shndërruar mediat dhe gazetarët në “gladiatorë publikë” që përleshen netëve nëpër studio në mënyrën më të ashpër, ku nuk mungojnë fyerje, goditjet poshtë dhe lart brezit, anatemimet dhe denigrimet.

Në mes orëve pa limit në debate, lajm nuk përbëjnë më idetë dhe opinionet apo analizat realiste, por sharjet, gjuha banale dhe fyerjet. Media është shpërfytyruar dhe kërkon gjithnjë e më shumë ushqimin e gabuar, duke u investuar gabim në një produkt publik pa asnjë interes për shoqërinë. Politika thuajse është tërhequr plotësisht, duke i shndërruar gazetarët në ushtarë të vullnetshëm ose të pavullnetshëm të saj.

Ky është suksesi më i madh që ka arritur në fakt duke iu shmangur ballafaqimit me realitetin dhe produktin që vetë politika prodhon. Ndërsa gazetarët e shndërruar në mercenarë tani ndjehen zotër të vëmendjes publike që përpiqen ta mbajnë me çdo kusht duke shkelur çdo skrupull dhe vijë etike këtë arenë që tani iu është lënë atyre nga politika. Përmbysja e madhe ka ndodhur.

Politika kundron njerëzit e medias dhe mercenarët e saj sesi “kacafyten” netëve ekran më ekran e program më program për famë e protagonizëm. Ndërsa për vete ka rezervuar kohën parlamentare ku luan live çdo javë një seancë teatrore ku bëjnë sikur po bëjnë dhe në fund asgjë nuk bëjnë në emër të idealeve të majta apo të djathta të cilat as nuk i njohin e as nuk duan t’i njohin.

Për ta funksion më së miri parimi “thuaj atë që njerëzit duan, e bëj atë që të intereson”. Një lojë që i nxjerr të gjithë të fituar, përveç popullit. Ai humbet gjithnjë, edhe kur mendon se zbavitet me sherret banale që ndjek plot etje në ekrane televizive e media elektronike portative. Shfaqje falas për kënaqësi momentale, por me kosto shumë të madhe për jetën reale.

9 komente në “Politika i ka shndërruar gazetarët në gladiatorë”

  1. 1 says:

    Llafe,llafe,shume teorik shkrimi.Gazetari ilustron me shembuj.Meqe ti nuk pate deshire te permendesh emra ,une po te them se emisioni open nuk shihet.Te njejtet personazhe qe fyejne,xhindosen e duken sikur u ke vrare babane jane ne cdo puntate Me i zellshmi Bushati ,sic duket ai paguhet direkt mbas emisionit dhe sa me llazoren ben aq me e mire performanca dhe pagesa.Ky nuk eshte analist po anal-ist

  2. IB says:

    Kur do te vi ajo dite qe gazetaret te tregojne pavaresi nga politika, te largohen nga politizimi i shoqerise, te tregojne dashuri e miresi nga profesionalizmi i tyre.

    1. Hasoni says:

      I nderuar .z Dyrnjaja
      Në vendin tonë prodhohet kjo industri “mediatike” se është perfekte për ne si popull llafazan mistrec në DNA
      Vetëm në nje vend si Shqipëria, psh një showman trash si Çani që ka një program llumi që edhe Howard Stern në radio nuk i afrohet për nga banaliteti.
      Na del 2 here në Jave sikur është Andrew Neil apo John pilger si analist gjeopolitike

  3. Erion says:

    Verejtje shume e sakte Denis, vecse po ngurron te shprehesh shkakun (Denis e di shume mire) se pse keta gazetare kacafyten me njeri tjetrin dhe kane zene vendetet e gladiatoreve politikane… Nje arsye shume te thjeshte, jane te shitur, apo te blere (quaje si te duash).
    Tashme ne beteje dalin mercenaret… Dhe paga e tyre e mire duket ne faktin se pse keta gazetare nuk e mjaftojne luften e tyre thjesht me shkrimin e artikujve, apo dhenien e opinioneve, por tashme edhe me duele te mirefillta neper kafazet televizive, te cilat duket se jane bere edhe te perditshme…
    Kjo eshte e frikshme…

  4. Polici says:

    Nuk jane gazetare. Jane njerez qe punojne per partite politike ne shqiperi. Paguhen dhe ushqehen me kete pune. Nuk e ka fajin politika , thjesht kane degraduar si njerez dhe nuk kane ndikim me ne popull. Kjo i terbon dhe rrihen me njeri tjetrin.

  5. Neutrino says:

    Në Albanistan nuk ka gazetarë, por gazetaxhinj.

  6. korieri says:

    Une ndaj te njejtin arsyetim me Penis Dyrnjane!

  7. Beni says:

    Debatet ne emisionet televizive jane bere bajate dhe jane pasnje vlere. Kam shume kohe qe nuk i ndjek me . Mos i shikoni me ato emisione dhe do te jeni rehat

  8. Likja says:

    Saliu i Pari,Floriri i dyti dhe Luli i treti therresin kapeni hajdutin kur jane vete hajdutet me te medhenj! Deri kur? PD e Lulit eshte bere edhe denoncuese e te tjereve kur vete eshte deri ne gryke me korrupsion! Perdoren budallacka njelloj si Enveri apo Saliu dhe Likja,qe i zgjedh te reja ne moshe!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje