Ekspertët e UEFA-s vijojnë punën për monitorimin e zgjedhjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit pas manipulimeve dhe falsifikimeve që janë kryer nga institucioni i futbollit shqiptar në Shoqatat Rajonale.
Delegacioni i përbërë nga Luca Nicola (Shef i qeverisjes së federatave anëtare në UEFA), Luka Zajc (Shefi i Çështjeve Korporative) dhe Yann Hafner (Ekspert i çështjeve statutore dhe rregulloreve) po njihet me zhvillimet e fundit, problematikat dhe incidentet e shkaktuara.
Luca Nicola, shefi i qeverisjes së federatave anëtare të UEFA dhe një prej anëtarëve të delegacionit ka shpjeguar edhe objektivin e këtij misioni, teksa thekson se pasi të njihen me të gjitha problematikat dhe dokumentacionin e procesit zgjedhor, misioni i UEFA -s do të përgatisë një raport të detajuar që do të t’i paraqitet Presidentit të UEFA-s, Alexander Ceferin.
“Së pari, për të shpjeguar kontekstin e misionit tonë, ne kemi ardhur në vijim të vizitës së fundit të Presidentit të UEFA-s në Shqipëri, ku ai u takua me Kryeministrin e Shqipërisë si dhe me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Ne mbërritëm të hënën dhe objektivi i misionit tonë është të vlerësojë procesin zgjedhor të FSHF-së si edhe Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të planifikuar për t’u zhvilluar më 2 mars 2022.
Sapo misioni ynë të përmbyllë vizitën, do të përgatisim një raport për drejtuesit e UEFA-s dhe bazuar në këto gjetje ne do t’i komunikojmë FSHF-së qëndrimin e UEFA-s”, – deklaroi Luca Nicola në prononcimin e tij.
Gjykata e Tiranës ka rrëzuar zgjedhjet e organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit për Shoqatën Rajonale të Tiranës duke i cilësuar ato të manipuluara.
Gjykata ka njohur asamblenë e thërritur nga kryebashkiaku Veliaj dhe ka regjistruar Eduard Prodranin si drejtues të Shoqatës Rajonale të Tiranës.
Në vendimin e saj, Gjykata i ka dhënë të drejtë kryebashkiakut Veliaj duke njohur manipulimet e organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit.