Zv. kryeministri britanik: Mund të duhen vite që Putin të mposhtet

6 Mars 2022, 13:45Bota TEMA

Zv.kryeministri britanik, Dominic Raab u shpreh se mund të duhen vite që Vladimir Putin të mposhtet në pushtimin e Ukrainës. Kjo deklaratë ka ardhur pas akuzave të hedhura nga laburistët se qeveria britanike po lëvizte shumë ngadaltë lidhur me sanksionet ruse.

Raab tha se njerëzit që mendojnë se kriza mund të zgjidhet brenda disa ditësh thjesht po “mashtrojnë veten”. Ai shtoi se NATO-s do t’i duhej të “tregonte njëfarë qëndrueshmërie strategjike” në përpjekjen e saj për të detyruar ushtrinë ruse të tërhiqej nga Ukraina.

“Asnjë nga qytetet kryesore nuk ka rënë ende në Ukrainë. Unë mendoj se nuk duhet të kemi asnjë dyshim se misioni ynë dhe i aleatëve për të siguruar dështimin e Putinit në Ukrainë  do të marrë kohë.

Ne po flasim për muaj, nëse jo vite, dhe për këtë arsye do të duhet të tregojmë një qëndrueshmëri strategjike sepse kjo nuk do të përfundojë brenda disa ditësh”.

Ai shtoi se presidenti rus Putin po përdorte taktika gjithnjë e më brutale për të zmbrapsur ukrainasit dhe për të avancuar me planin e tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje