Vendet “jomiqësore” të Rusisë duhet ta paguajnë gazin vetëm në rubla, thotë Putin

23 Mars 2022, 15:56Bota TEMA

Rusia do të refuzojë të pranojë pagesa për furnizimet e gazit natyror në monedha të ‘kompromentuara’, duke përfshirë dollarin dhe euron, dhe do të kalojë në pagesat me rubla. Lajmin e bëri të ditur vetë presidenti rus, Vladimir Putin, në një takim me kabinetin e tij.

“Kam marrë vendimin për të zbatuar brenda një kohe sa më të shkurtër paketën e masave për transferimin e pagesave – do të fillojmë me këtë – për gazin tonë natyror që u furnizohet të ashtuquajturave shtete ‘jomiqësore’ me rubla ruse”, tha presidenti.

Rusia do të vazhdojë furnizimin me gaz për vendet e tjera në përputhje me vëllimet dhe çmimet e përcaktuara në kontratat e lidhura më herët, vuri në dukje Putin.

“Unë do të doja të theksoja se Rusia patjetër do të vazhdojë furnizimin me gaz natyror në përputhje me vëllimet dhe çmimet e përcaktuara në kontratat e lidhura më herët”, shtoi kreu i shtetit.

Konsumatorët e huaj duhet të kenë mundësinë të bëjnë transaksionet e kërkuara pas konvertimit në rubla, tha udhëheqësi rus.

“I kërkoj qeverisë t’i japë një direktivë të përshtatshme Gazpromit për të bërë ndryshime në kontratat efektive. Në të njëjtën kohë, të gjithë konsumatorëve të huaj duhet t’u jepet mundësia për të kryer transaksionet e kërkuara”.

Vladimir Putin, më 7 mars, ka miratuar një listë të vendeve dhe territoreve që kryejnë veprime “jomiqësore” kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj.

Në listën e shpallur, renditen shtetet që vendosën ose iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë pas fillimit të pushtimit në Ukrainë. Mes tyre është edhe Shqipëria.

Përkatësisht, lista përfshin: Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Kanadanë, shtetet e BE-së, Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën, Malin e Zi, Zvicrën, Shqipërinë, Andorrën, Islandën, Lihtenshtajnin, Monakon, Norvegjinë, San Marinon, Maqedoninë e Veriut, gjithashtu dhe Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë, Zelandën e Re, Singaporin dhe Tajvanin.

“Qeveria vuri në dukje se, sipas këtij dekreti, qytetarët dhe kompanitë ruse, vetë shteti, rajonet dhe bashkitë e tij, që kanë detyrime valutore ndaj kreditorëve të huaj nga lista e vendeve jomiqësore, do të jenë në gjendje t’i paguajnë ato në rubla”, shkruan TASS, agjencia ruse e lajmeve.

Lista vjen pas një dekreti presidencial të nënshkruar më 5 mars, që lejon Qeverinë, kompanitë dhe qytetarët rusë të paguajnë borxhet në valutë të huaj, që u detyrohen kreditorëve të huaj nga “vendet jomiqësore” në rubla.

Për të bërë pagesa të tilla, Qeveria shpjegoi se debitorët duhet të hapin një lloj të veçantë llogarie rubla në një bankë ruse dhe të transferojnë në të ekuivalentin e rublës së shumës së monedhës së huaj – që i detyrohet – sipas kursit zyrtar të këmbimit të bankës qendrore në ditën e pagesës.

3 komente në “Vendet “jomiqësore” të Rusisë duhet ta paguajnë gazin vetëm në rubla, thotë Putin”

  1. aaaaa says:

    Nga sa me siper per Shqiperine nuk mbetet rruge tjeter vecse Qeveria ti rekomandoje popullates te ushqehet me sa me shume fasule per prodhimin e gazit natyrore dhe bio nga njerzit , duke zbutur pasojat e manovrave ruse.

  2. asd says:

    Per Shqiperine ka presidenti rubla sa te duash. I ka bere gati qe kur filloi reforma ne drejtesi.

  3. NjeQytetarOptimist says:

    Paguan Kina dhe Afrika ne rubla mos u shqeteso..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje