Pas kërkesës së Mulit që edhe opozita të ketë Diellën e vet, plasën “memet” që kishin veshur Mulin si Diellën.
Kjo gjë e tronditi në fillim dhe iu duk fyerje e rëndë, por pak nga pak filloi t’i pëlqejë ideja.
– Ç’duhet të bëj me këto memet për mua? – tha Muli. – Se që kur shpreha tek Antena idenë që duhet të kemi edhe ne Diellën tonë, më kanë bërë mua si Diella e PD-së.
– Mendoj se është ide e mirë, – tha Lelo. – Opozita po akuzohet se ka nepotizëm, klientelizëm dhe shumë defekte të tjera, sidomos korrupsion në zgjedhje. Atëherë, duke krijuar “Diellën tonë”, qoftë dhe me fytyrën tënde për të ruajtur rëndësinë e saj, ne do kemi mundësi të themi që, ashtu siç po lufton Edi Rama korrupsionin, po luftojmë dhe ne defektet tona. Nuk na akuzojnë dot më pastaj që nuk po reformohemi.
– Të drejtë ke, – tha Muli. – Si ide nuk është e keqe. Puna është kush i bën programet. Duhet të gjejmë një program që t’ia fusim Diellës sonë, që të përputhet dhe me kriteret e Doktorit.
– Mendoj se Diella është inteligjente dhe e krijon vetë vizionin për PD-në duke lexuar Doktorin, – tha Lelo. – Nuk ka nevojë për program.
Fjala vjen, do t’i themi që do zgjedhim Kryetaren e Gruas. Ajo do kërkojë të dhëna: kush është kryetare e gruas, si është zgjedhur, sa herë bëhen zgjedhjet, e të tjera. Do zbulojë që zgjedhjet e fundit janë bërë para 13 vitesh, më 2012, dhe që atëherë kryetare është Albana Vokshi. Atëherë përgjigjja do të jetë: zgjedhjet e reja për këtë 13-vjeçare duhet të bëhen sa më shpejt, me qëllim që kryetarja e Gruas së PD-së të mos jetë gjyshe. Dhe fillon konkurrimi, ku përjashtohet Albana.
Po kështu edhe zgjedhjet për nënkryetar partie apo poste të tjera në parti.
– Po zgjedhjet për kryetar?! – tha Muli i alarmuar.
– Diella analizon kur është themeluar PD dhe kush është kryetar. Ajo del në përfundim që kryetar i PD-së prej 35 vitesh është Doktori. Atëherë jep udhëzimin që zgjedhjet e reja në PD duhet të bëhen me një afat të ri: 40-vjeçar. Pasi Doktori të mbushë 40 vjet në krye të PD-së, që i bie në vitin 2031, duhet të zgjedhim kryetarin e ri për 40 vitet e ardhshme. Këtu duhet të zgjedhim një 40-vjeçar që të ketë mundësi të shkojë 80 vjeç në mandatin e fundit, – tha Lelo.
– Po të jetë kështu, s’qenka keq, – tha Muli. – Jam dakord që Diella e opozites te kete fytyren time
Lini një Përgjigje