Sapo mori vesh se këshilltarit të Orbanit ia hoqën “non gratën”, Muli thirri me urgjencë Lelon në kafe për t’i shpjeguar situatën.
– Filloi, i tha.
– Filloi, tha Lelo, por ka nis pak ters.
Ka nis me këtë listën e Ylli Ndroqit dhe Tom Doshit, jo me tonën.
Kam frikë se kjo do t’i bëjë më shumë punë Tomës sesa ne.
– Po pse, i tha Muli?
– Po se ky qe “non grata” nga Thesari, jo nga Departamenti i Shtetit.
Ata kanë krime konkrete dhe kanë të drejtë apelimi.
Ishallah nuk e merr vesh ky Toma, se hajde mbaje në fushatë.
Do thotë: “Kam paguar një avokat të mirë dhe e hoqa ‘non gratën’.”
– Sa ta marrin vesh shqiptarët, ne mbarojmë punë, tha Muli.
Themi filloi heqja. Ne e shtyjmë tonën pas 11 Majit.
Do themi që do fitojmë dhe ditën që fitojmë, na ikën “non grata”.
– Puna është të merrnim ndonjë votë, tha Lelo, se pas zgjedhjeve nuk i hyn në punë fatit.
– Po çfarë ndryshimi ka Thesari me Departamentin e Shtetit, i tha Muli?
– Është diferenca sikur të të dënojë ky Malaj që është ministër Financash, ose Edi Rama, i tha Lelo.
Ne e kemi me Ed Ramën e Amerikës.
– Ai është “non grata” për vete, tha Muli.
Vetëm nga inati i tij do ta heqë Trumpi.
– E vërtetë, tha Lelo. Dhe unë ashtu shpresoj.
Por tani puna është se ka më shumë “non grata” Rama se ne, dhe ata janë të gjithë nga Thesari.
Do fillojnë fushatën e do thonë: “Tani jemi sanksionuar kot.”
– Të bëjnë ç’të duan, tha Muli, por ta shikoj dhe njëherë Doktorin në Amerikë, pastaj të vdes.
Zenin e pashë të shqetësuar sot.
Më tha: “Mos më kërko lekë për fushatë, se na duhen për SHBA.”
Hallall sikur t’ia heqin me gjithë ato lekë, por kam frikë mos na ikin lekët dëm dhe as fushatë, as “non grata” në fund.
– Duhet provuar, tha Lelo.
Më mirë të humbasim e të hiqet “non grata” sesa të fitojmë e të mbetet.
Se ashtu kemi shanse zgjedhjet e tjera me Zenin pastaj, se i hiqet dhe atij.
Lini një Përgjigje