21 Janari, atë ditë dhe pas: Protesta që vrau protestën

21 Janar 2026, 09:06Blog TEMA
21 Janari, atë ditë dhe pas: Protesta që vrau protestën

Nga Adrian Thano

Çfarë bëri Sali Berisha më 21 Janar?

Përballë një proteste civile, e trajtoi shtetin si kullën e fshatit. E mbylli, e blindoi, e përdori si armë. Qytetarin e vendit të tij e shpalli armik.

Por nuk hoqi nga kjo jetë vetëm katër të pafajshëm. Ky është një krim shokues, por më e rënda e 21 janarit është tjetërkund.

Atë ditë u vra besimi se pas ’90-s, protesta ishte një e drejtë e pacënueshme që mbrohej nga shteti. Këtë besim e vrau pikërisht ai që kërkon nga historia medaljen e “kryedhjetoristit”.

Plumbat e 21 janarit përgjakën idenë se ndryshimi mund të vijë “nga poshtë”, nga qytetari i zakonshëm, pa frikë se do ndëshkohet. Kjo është zemra e demokracisë.

Mbi këtë zemër qëlloi doktori i zemrës, që i thotë vetes “kryedemokrat”.

E bëri pikërisht aty, ku sot shkon vetë të protestojë. Ku qahet për turmën që mungon. Ku kërkon mbështetje kundër narkoshtetit nga i njëjti popull të cilit i foli me armë. Shkon e shkel mbi pllakat, ku dhanë shpirt katër të pafajshëm.

Nëse kjo quhet politikë, ky vend kurrë mos pastë politikanë.

Sepse në të vërtetë është një pacipëri morale që të ngjeth. Është përdhosje e dhimbjes, mungesë minimale e respektit për jetën. Kur vjen nga një mjek, është edhe përmbysje e pashembullt e çdo etike njerëzore.

Prandaj sheshi sot nuk të përgjigjet.

Jo sepse nuk ka zemërim. Jo sepse jemi gënjyer nga narko-propaganda. Sheshi nuk të përgjigjet sepse ti, me plumba dhe më pas me gënjeshtrat pa fund, e shndërrove idenë e protestës në një traumë kombëtare. Nuk të përgjigjet sepse ka kujtesën e gjakut.

Çfarë bëri Edi Rama pas 21 Janarit?

Më 21 Janar, Edi Rama ishte në anën e protestës. Ishte zëri politik i saj. Në atë moment, ai përfaqësonte shpresën se korrupsioni i videos së Metës do të ndëshkohej dhe se shteti do të detyrohej të mbante përgjegjësi.

Por çfarë ndodhi më pas? Ai që ndërtoi një pjesë të pushtetit të tij mbi 21 Janarin, zgjodhi të qeverisë pikërisht me Ilir Metën. Me figurën që simbolikisht dhe politikisht lidhej me shkakun e asaj proteste. Videoja që ndezi zemërimin qytetar u kthye në monedhë pazari politik.

Kështu, protesta humbi edhe mbështetjen e fundit morale që kishte. Berisha e vrau, Rama e zbrazi nga kuptimi.

Kjo ishte thyerja e parë e besimit. Nuk u ndal aty. Me kalimin e viteve zhgënjimi u thellua, u bë sistemik. Korrupsioni nuk u ndëshkua, u zgjerua, u institucionalizua. Erdhëm në pikën që 700 mijë eurot e videos së 21 janarit sot janë më pak se shishet e verës në kantinën e shoqit.

Ish-kryeopozitari sot kryeministër kërkon “durim” dmth mandate të tjerë nga i njëjti popull shpresë-vjedhur të cilin ish-kryeministri sot kryeopozitar e kërkon në shesh.

Kur nuk marrin përgjigjet që presin e quajnë popullin apatik apo harbut.

Mund të vazhdojnë të rrinë në një sistem që e kanë monopolizuar dhe ndërtuar vetë mbi gjak dhe korruptim. Por Shqipërinë e besimit e kanë humbur. Edhe atë të mendimit kritik.

Kjo Shqipëri voton sot “me valixhe”. Pikat kufitare, portet, aeroportet, janë sheshet e saj të revoltës. Ikja! Ikja masive është protesta e saj. Kjo protestë është më e fortë se fjalimet dhe tribunat. Nuk është apati. Harbutëri, jo e jo.

Është mungesë e plotë shprese dhe besimi. Është refuzim i qartë nga një popull që më 21 Janar e vranë dhe pas 21 Janarit e tradhtuan.

Ky popull po flet me gjuhën e fundit civile që i ka mbetur. Dita

6 Komente

  1. L
    Ladi

    Mos kerko te barazosh Ramen me Berishen, ndryshimi ndemjet tyre eshte galaktik, ne te gjitha aspektet. Kur ti kerkon ti besh te ngjashem - humb vlerat e tua, nga nje gazetar me vlera - çfaqesh vetem si nje gazetaruc sahanlepires. Jepi Çezarit ate qe eshte e Çezarit. Vetem keshtu mund te fitosh besimin e publikut jo partiak...

    Përgjigjjuni
    1. P
      Plusi

      Nuk ke qetësi dhe kthjellësi pa sharë Edi Ramën. Kjo është deviza jote. Gjynah se një njeri me intelekt, por të kanë pushtuar të tjera interesa.

      Përgjigjjuni
      1. E
        E Vërteta!

        Ha, Ha, Haaaa! Ardian Thano dy Motrat Siameze dhe të gjithë vëllezërit siamezë, padrejtësisht i konsideron "Arrmike të Njëra Tjetrës dhe Arrmiq të njëri tjetërit", kur në fakt ishin dhe janë bashkë, si shkak i mendimit dhe sigurisë së tyre, se "perandoria" e soros me shokë do ishte e përjetëshme dhe për të bërë "rrotacionin" u duk hapur se u duhej një "sebep" dhe prandaj njëri kasap çoi "delet", te kasapi tjetër që deklaroi se i "dhimbej shteti" dhe, jo nje e dy, por mund të therte, vriste edhe mbi 300 "dele", pasi strategjia nuk ishte "mbrojtja e shtetit" të Cilin qëllimisht dhe me dashje nuk e ndërtuan as njëri dhe as tjetëri, ku qëllimi i tyre ishte dhe është, që turmës ti fusnin Frikën në Palcë se "pushteti i tyre" mbrohet me pushkë, kur përveç ish kryeministrit sot gjoja në "opozitë" me zë e figurë e ka thënë edhe ish ministri i punëve të brendëshme të ish diktaturës!

        Përgjigjjuni
        1. M
          Mesuesi

          Adrian Thano ! Djale trim qe flet me zemren dhe mendjen e tij . E verteta , por dhe kjo "Fotogrsfia " qe u ke bere ti , more bir , deshmojne acik se ata , Berish , Ram dhe Met , Jane e njejta gje . 21 Janarin e menduan si teatrin e rradhes , Po ai u doli nga kontrolli ( e thot edhe Rama SOT ) , ai u pergjak . SPAK duhet te beje drejtesi . ( SPAK , per mua si dhe per shumicen e shqiptareve , eshte e vetmja gje qe I Besoj ) Ata Jane e njejta gje , ata Jane dhunuesit me te eger te ketij vendi , sepse I Kane vjedhur gjithcka , materials dhe shpirterore ... Mbase theksimi I se tilles , ne ate veshtrimin kurajoz , perben nje mangesi te Vogel .

          Përgjigjjuni
          1. V
            Vlora 97

            Kjo nuk eshte analize Eshte nje simfoni e dhimbjes ne versionin me te paster dhe me te forte te gjuhes shqipe Ekselent Vetem se per mua gjuha e fundit me te cilin populli duhet tu flas ktyre eshte PLUMBI

            Përgjigjjuni
            1. C
              Cc

              Ok me Vlora 97

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje