Nuk dua ta shkruaj si in memoriam, sepse Artur Zheji nuk hynte në ritualet e mbylljeve te mia.
Ai ishte njeri që hapte gjithnjë dritare dhe rrëfime, edhe kur ato nuk ecnin në një vijë të drejtë, por merrnin kthesa të çuditshme. Ishte i vecante ne nacionalizmin e tij.
E kam njohur për herë të parë në Romë, në vitin 1992, në kongresin e Partisë Radikale.
Kishim dy vjet që komunikonim me telefon dhe me atë internetin e lodhur të kohës, por aty u pamë sy më sy.
Delegacioni nga Kosova kërkonte një rezolutë për pavarësinë, në një kohë kur askush nuk e shqiptonte dot hapur këtë fjalë.
Zheji dhe Edi Rama e shkruan tekstin në italisht, dhe me ndihmën e Marco Panellës, rezoluta u bë dokument zyrtar.
Ishte hera e parë që fjala “pavarësi e Kosovës” u vulos në një kongres ndërkombëtar.
Zheji e kishte me pasion këtë çështje, si një borxh shpirtëror që i vinte prej nënës së tij, Besës, dhe prej Petro Zhejit që në Kosovë ishin emra të njohur.
Në vitet e luftës kaluam orë e ditë të tëra në Maqedoni, në takime me drejtuesit e UÇK-së, me Arbër Xhaferin e Menduh Thaçin.
Ai nuk e shihte luftën si kronist, por si pjesëmarrës. Shkruante me pasionin e një luftëtari.
Pas hyrjes së trupave të NATO-s, hyri bashkë me mua në Kosovë, qëndroi me javë dhe hodhi në letër çdo shenjë të djegur, çdo plagë që kishte lënë Serbia.
Aty e pashë më qartë se kush ishte: një gazetar që nuk gjente qetësi, sepse bënte të vetën dramën e një populli.
Në Shqipëri kishte një miqësi të ngrohtë me Fatos Nanon dhe e mbante Ramën mik, pa hyrë kurrë në politikë.
Ka provuar drejtimin e televizionit publik, emisionet, analizën. Shumë gjëra i ka bërë me ngulm, por asnjëherë nuk e gjeti qetësinë e gjatë.
Ishte i mbërthyer nga pasioni për shkrimin, për bisedën, për debatin dhe më shumë se ç’duhej, për ushqimin.
Ishte një dëshirë që i shtohej si ritëm i brendshëm, ndoshta për ta mbajtur gjallë pasionin e jetës.
Por trupi nuk ia mbajti dot ritmin. E shpërfilli shëndetin, nuk iu përkul kurrë rregullit të diabetit, dhe kështu, në fund, kaloi në boren tjetër.
Artur Zheji ishte mik me hidhërime dhe pajtime, por kurrë me mllef. Ai mbeti gjithmonë një portë që më njohu me Shqipërinë e tij, një rrëfimtar i Kosovës së besës që ia kishte mësuar nëna, dhe një shok që nuk e ndau dot pasionin nga jeta.
Sot, kur e kujtoj, nuk më del as in memoriam, as përshëndetje e fundit. Thjesht më del si një histori që nuk mbyllet. Sepse Zheji nuk e pranoi kurrë mbylljen.
Bukur, Baton!
Bukur, mendime te sinqerta te thurrura me fjale zemre!
Zheji tani iku dhe ngushellime familjes, por Arben Imami pret ngushellime ?
Ngushellime familjes Dhe gjithe Shqiperise. Zhej Intelektual, jo nga keta qe zbukurohen me titull Dhe brenda bish jane Baton- mendoj se ti shkruan me bukur se sa Kur flet . Nje shkrim Ngushellime deri ne rrenqethje, pasion melankolike per humbjen e shokut, fjale deshperuese deri ne pafuqi. Respect Baton- thjeshte, paster.
Arthur Zheji gazetar jooooo asnjehere Njeri i kultivuar poooo Arthur Zheji ka mbaruar artet e bukura per regjizure ..... Nipi kosove ku familja e tije gjeti strehe ne Shqiperi nga persekucuoni , asnjehere nuk thoshe qe 50% e ADN e kishte nga ajo krahine Mos ta glorifikojme por mos te gezohemi me vdekjen e tjetrit. Dheu i lehte Arthur Zheji
Nje shkrim plot vleresime te drejta atdhetare. Arturi Zhej e paste dheun e lehte. Do te mbahet mend per cfare beri mire ne jeten e tij aktive.
Më kujtohet vitet 1998~1999 kur trupat ushtarake e policore serbe filluan ofensivën duke djegur Kosovën me zjarr e hekur,kur qindra mijra popullsi civile u përzunë me forcë drejt Shqipërisë dhe Maqedinisë.Në vitin 1998 Turi përcillte luftën e UÇK-s nga Italia duke pasqyruar në faqet e shtypit perëndimor masakrat e ushtarëve dhe policëve sërb kundër popullsisë së pambrojtur shqiptare.Turi u bë një zëdhënës i luftës në Kosovës që po vuante mbi shpinë genocidin millosheviçian.Ai atë kohë punonte si reporter i një radioje në Itali që sot nuk më kujtohet emri.Nëpërmjet asaj radioje Arturi si një djalë patriot e atdhetar kontribuoji në shkundje e politikës botërore për të marrë masa për t’i ndakur dorën gjakatare kriminelit Millosheviç.Ai ishte një gazetar ,analist e intelektual i shquar që ka kontibuar për një gazetari profesionale,të nderëshme duke thënë gjithmonë të vërtetën me fakte e dokumenta.Ti do të mbetesh i paharruar në kujtimet e miqëve,kolegëve dhe shokëve të tu.Të qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë i dashur djal patriot.Ngushëllime familjes së tij të dashur.