Në politikën shqiptare, akuzat për manipulim votash janë kthyer prej kohësh në refren të zgjedhjeve. Por kur këto akuza vijnë jo nga opozita kundrejt pushtetit, por nga brenda vetë opozitës, atëherë kriza merr një dimension tjetër: atë të mosbesimit dhe shkatërrimit të besueshmërisë së brendshme.
Rasti i fundit vjen nga qarku i Durrësit, ku kandidati i Partisë Demokratike në listën e hapur, Aulon Kalaja, ka hedhur akuza të rënda ndaj kolegëve të vet. Ai deklaroi në emisionin "Top Story" se disa kandidatë të tjerë të PD-së i kanë vjedhur vota dhe i kanë numëruar si të tyret, duke deformuar rezultatin e votimit.
Kalaja, një gazetar dhe aktivist i njohur, që u rendit i dyti në listën e hapur për nga numri i votave, tha se posedon fakte të qarta dhe do t’i çojë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Denoncimi i tij vjen në një moment kur lidershipi i PD-së, në krye me Sali Berishën, vazhdon të mbajë gjallë narrativën se zgjedhjet janë manipuluar nga Edi Rama dhe Partia Socialiste.
Por nëse kandidatët e opozitës kanë filluar të akuzojnë njëri-tjetrin për vjedhje votash brenda të njëjtës listë, kjo hedh në erë gjithë pretendimin se manipulimi ka ardhur vetëm nga jashtë.
Situata bëhet edhe më e ndërlikuar kur shikojmë se kandidati që u rendit i pari në Durrës është Arjan Ndoji – një ish-prokuror i shkarkuar nga Vetingu për pasuri të pajustifikuar dhe lidhje me botën e krimit.
Nëse dyshimet e Kalasë kanë të bëjnë me këtë figurë, atëherë nuk kemi të bëjmë thjesht me një konflikt banal brenda listës, por me një skenar që ka elementë të thellë korrupsioni dhe klientelizmi.
Deklaratat e Kalasë, nëse provohen, kanë mundësinë të shpërbëjnë çdo pretendim moral që PD ka ngritur përballë kundërshtarit të saj politik. Si mund të besojë qytetari shqiptar se kjo opozitë do të mbrojë votën, nëse ajo nuk është e aftë të mbrojë ndershmërinë e procesit brenda vetes?
Në fund të fundit, ajo që ndodh brenda PD-së duhet të shqetësojë çdo qytetar që beson në demokraci. Sepse nëse edhe brenda një subjekti politik nuk ekziston më rregulli, ndershmëria dhe gara e drejtë, si mund të presim që ky subjekt të sjellë ndryshimin që premton?
Berisha vazhdon të akuzojë Ramën, por ndoshta duhet të shohë më parë se çfarë po ndodh në oborrin e tij politik. Sepse, siç po duket, nuk po i vjedh më armiku, por miqtë.
Nese Bufi do thoshte qe i njohim zgjedhjet do ishte jo normale...... Bufi ka pjerdhur komplet