Dorëheqja e munguar në politikën shqiptare

17 Dhjetor 2025, 09:41Blog TEMA
Dorëheqja e munguar në politikën shqiptare

Nga Namir Lapardhaja 

Në Shqipëri, dorëheqja nuk i shkon askujt në mendje. Jo vetëm sot, por as dje. Janë me gishtat e njërës dorë rastet kur një politikan ka zgjedhur të largohet vullnetarisht nga pushteti për arsye përgjegjësie morale apo politike.

Kjo nuk vlen vetëm për ata që janë në qeveri. Këtu nuk dorëhiqet as ai që është në opozitë, nuk dorëhiqet as ai që humb zgjedhjet, madje shpesh as ai që mbetet kryetar pa parti, pa strukturë dhe pa asnjë anëtar real pas vetes.

Karrigia, edhe kur është simbolike, mbetet e shenjtë. Më lehtë vendi ka shkuar drejt përplasjeve civile sesa drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Politikanët tanë janë të lidhur ngushtë pas pushtetit. Jo thjesht të varur prej tij, por të robëruar. Marrëdhënia e tyre me pushtetin i ngjan asaj të robit me Zotin: absolute, pa kushte, pa alternativë. Ky raport i zhvesh përpara syve të publikut dhe e nxjerr në pah thelbin e problemit: pushteti nuk shihet si instrument shërbimi, por si mundësi përfitimi dhe abuzimi; si mburojë personale dhe burim privilegjesh të mëdha, shpesh të pamerituara. Jo si mekanizëm për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por si qëllim në vetvete, qoftë edhe kur ai pushtet ekziston vetëm në letër.

Një arsye tjetër, po aq thelbësore, lidhet me natyrën e pushtetit në Shqipëri: nëse je në pushtet, i fiton të gjitha; nëse je jashtë tij, humbet gjithçka. Politika jonë është politikë e Asit dhe e Dyshit, pa zona gri, pa të ndërmjetme. Edhe opozita, në vend që të funksionojë si alternativë dhe kontroll, sillet shpesh si pushtet në pritje, jo si institucion përgjegjësie. Kjo ndodh sepse pushteti ekzekutiv kontrollon, në praktikë, edhe pushtetet e tjera. Një realitet që i ngjan më shumë logjikës së komunizmit sesa një demokracie funksionale. Ndarja dhe balancimi i pushteteve mbeten më shumë parime të shkruara në letër sesa mekanizma realë kontrolli. Po të ndodhte ndryshe, nuk do të kishte këtë mbërthim me dhëmbë e me shpirt pas politikës dhe pushtetit, as këtë frikë patologjike nga largimi.

Në këtë kontekst, dorëheqja perceptohet si herezi, si shenjë dobësie, si frikë, si humbje. Jo vetëm për qeveritarin që rrezikon pushtetin, por edhe për opozitarin që rrezikon statusin e kryetarit të përhershëm. Ndërkohë që në shumë vende përreth nesh ajo është një akt normal, madje i domosdoshëm për të ruajtur integritetin e institucioneve dhe besimin publik.

 

2 Komente

  1. A
    Arlinda Ymeraj, ish Ministre e dorëhequr, vetëm pë

    Dorëheqja nuk ka munguar në politikën shqiptare. Ka raste. Edhe nga gratë. Pse gazetarët tanë nuk e dinë, nuk do të thotë se nuk ka ekzistuar. Por janë shumë pak, aq sa nuk arrijnë të shndërrohen në "model reference". Pyetja e saktë është: pse kaq pak? Sepse kjo është e gjitha një shoqëri dembelash, servilësh, hajdutësh, kolltukofagësh, qylaxhinjsh, që mezi presin të gjejnë një tënjohur me rëndësi që ti shkallmojnë derën dhe telefonin me kërkesa. Kjo është një shoqëri parazitësh. Ky është gruri, prandaj dhe kemi këtë bukë.

    Përgjigjjuni
    1. D
      Ditaepd

      O Lapordhaja ,po këtu është Shqipëri more dhe po të filloj puna me dorëheqje,dumdumanit ja ka dhënë dosjen e Ramiut,saliqeni dhe e mbanë gati për aksion!Këtu qëllimi dihet rënja e qeveris.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje