Nga Fitim ZEKTHI
Pavarësisht gjendjes ekonomike, varfërisë dhe pamundësive për të shpenzuar, thuajse të gjithë rendin të festojnë, të blejnë diçka për dhuratë, të shtrojnë një darkë sa më të bollshme, të urojnë “Gëzuar Vitin e Ri” etj. Në fakt, kjo festë është si një pus i thatë. Gjithkush e kujton ndjesinë e të qenit bosh, i zbrazët, të nesërmen e festës, teksa jeta i kthehet rutinës së përditshme. Dritat, pemët, topthat e zbukurimit, lodrat e gjithçka tjetër mblidhen, futen në qese apo thasë dhe presin vitin tjetër. Shumë gjëra të tjera hidhen.
Ekzistenca e përditshme e njerëzve do të rrinte gjithnjë në zgrip apo në thep të së panjohurës dhe, në qoftë se nuk do të ekzistonin mite, narrativa të mëdha me të cilat ne lidhim veten tonë, atëherë nuk do të mund të mbijetonim. Është pikërisht tradita ajo që e bën këtë lidhje me mitet apo narrativa të tilla të mëdha. Tradita na shtyn në aktivitete që përfshijnë trupin tonë, jo vetëm mendjen, dhe na kujton neve, trupit dhe mendjes, se çfarë është e rëndësishme. Festat fetare (Krishtlindja, Pashka, Bajrami etj.) e kanë përmbushur përgjatë gjithë historisë këtë nevojë: lidhjen e njeriut me shoqërinë dhe shtetin, si edhe përmbushjen shpirtërore.
Sot, teksa shoqëria vrapon drejt një drejtimi që nuk i ka fare të rëndësishme aspektet shpirtërore, festa si Viti i Ri, por edhe festat fetare të sekularizuara, sidomos Krishtlindja, nuk kanë asnjë shans ta ndihmojnë njeriun të shpëtojë nga kurthi i madh material i botës. Besimtarët përpiqen që të mos i jetojnë festat fetare – Krishtlindjen, Pashkën, Bajramin – si ndodhi sekulare që kërkojnë të sublimojnë realitetin, por si gjëra të shenjta që kërkojnë ta shpëtojnë realitetin.
Në kimi, sublimimi është procesi i pastrimit të një gjëje duke e avulluar atë me qëllim largimin e papastërtive dhe më pas ftohjen e saj. I përdorur herët në alkimi, ky proces synonte të kthente hekurin në ar, gjë që është e pamundur. Por sublimimi nuk ka mundësi të ndryshojë natyrën e gjërave; ai vetëm pastron atë që ekziston. Kur bota po hynte dhunshëm në një periudhë të re, Jean-Jacques Rousseau e shihte sublimimin si gjënë e vetme që mund t’i bënte njerëzit të jetonin dhe t’u jepnin kuptim gjërave. Ai e përdori atë gjerësisht në teoritë e tij mbi edukimin dhe shoqërinë. Ai përdori termin “rafinim” (pastrim, purifikim), me anë të të cilit u atribuohej kuptim universal përvojave njerëzore, duke i bërë ato të vlefshme. Për të, shoqëritë duhet të sublimonin disa përvoja në mënyrë që të mbijetonin, sepse përndryshe nuk ekzistonte asnjë mënyrë tjetër për të gjetur shpjegim me kuptim për jetën tonë të përditshme.
Festimi i Vitit të Ri me kaq pasion, shndërrimi i natës së ndërrimit të viteve në një natë me domethënie të madhe, në një natë ku nis një periudhë e re, një fat i ri, ku hahet dhe pihet rëndshëm, është në të vërtetë një përpjekje për të lidhur jetën me një narrativë të madhe, për t’i dhënë kuptim universal dhe për ta bërë të vlefshme një përvojë njerëzore. Nga ana tjetër, kjo festë e Vitit të Ri, kjo përpjekje për të sublimuar një realitet, në një masë dërrmuese, në mos plotësisht, i drejtohet vetëm trupit dhe ka në qendër vetëm trupin.
Kjo festë, ky lloj festimi, kjo ngarendje e çuditshme për të blerë gjelin, për të mbushur tryezën, për të gëzuar dhe për të pritur Vitin e Ri me zhurmë, shumë pak ka në qendër të saj shpirtin; shumë pak na tregon se çfarë është në të vërtetë e rëndësishme, ose na tregon se e rëndësishme është harbimi, ngrënia, të pirët, shpërthimi i fishekzjarrëve etj. Vetëm kështu njeriu nuk ka mundësi të kuptojë nëse jeta ka një qëllim dhe cili është ky qëllim. Vetëm kështu një festë nuk shërben për ta lidhur atë me shoqërinë dhe shtetin dhe për ta përmbushur shpirtërisht.
Në fakt, Viti i Ri nuk ka mundësi të luajë rolin e një feste që përfshin trupin dhe mendjen dhe që na tregon neve, trupit dhe mendjes, se çfarë është e rëndësishme. Sublimimi nuk ka mundësi ta kthejë hekurin në ar, pavarësisht luftës së alkimistëve. Viti i Ri është thjesht një idiotësi që i shtyn njerëzit edhe më tej në idiotësinë që ai përfaqëson.
Sa i takon festimit që bëjnë politikanët, qeveritarët, ministrat, të cilët shfaqen duke kërcyer dhe duke ndarë dhurata për fëmijët në nevojë apo për të moshuarit dhe të varfrit, duhet thënë se ata jo vetëm që për element bazë të qenies së tyre mendojnë trupin, por edhe sillen në mënyrë krejtësisht hipokrite. A mund të kujdesen për të varfrit dhe të dobëtit qeveritarët, familjarët e të cilëve bëjnë blerje rrobash apo gjërash luksi me vlera miliona lekë (siç e ka zbuluar edhe hetimi i SPAK këto kohë)? Po qeveritarët që nuk kanë lënë tender apo koncesion pa vjedhur? Po ata qeveritarë dhe ish-qeveritarë që kanë vila pa qenë biznesmenë asnjë ditë? Po ata qeveritarë dhe ish-qeveritarë që nuk lënë gur pa lëvizur, njeri pa sharë, prokuror apo gjyqtar pa kërcënuar kur preken vetë?
Viti i Ri ndoshta vlen vetëm për të parë se çfarë politikanësh kemi dhe çfarë jemi ne sot si shoqëri, për të parë thjesht këtë kontrast./mapo.al
Shqipëria nuk ka asgjë per te festuar.
Fitim Zekthi e nis shkrimin e tij me një vëzhgim që, në pamje të parë, tingëllon realist: pas festës njerëzit shpesh ndjejnë boshllëk, dritat mblidhen në thasë dhe rutina kthehet. Por nga ky fakt banal ai bën një kapërcim të pasigurt, pothuajse dogmatik: sikur një festë, për të qenë e ligjshme, duhet patjetër të ngjitet te “mitet e mëdha”, të prodhojë domethënie metafizike dhe të “shpëtojë realitetin”. Kjo është një tezë asketike e veshur me termin “sublimim”, e cila e kthen jetën e përditshme në faj, kurse gëzimin në turp. Njeriu nuk e përballon jetën vetëm duke e përkthyer çdo emocion në narrativë madhore; ai e përballon edhe duke e bërë të jetueshme ditën e thjeshtë. Festat, edhe kur janë modeste, janë rituale të trupit dhe të bashkësisë: një mekanizëm social i ripërtëritjes së lidhjeve, i kujtesës së miqësisë, i rikthimit të shpresës - jo domosdoshmërisht një liturgji. Zekthi e trajton trupin si kundërshtar të shpirtit, sikur kënaqësia të jetë automatikisht “harbim” dhe jo një dimension i natyrshëm i një jete të mirë. Por edhe traditat fetare që ai i sjell si model kanë gjithmonë trup: tryeza, dhurata, vizita, shtrëngime duarsh, këngë. Nuk ka shpirt pa trup, as kuptim pa një formë konkrete gëzimi. Problemi real, nëse do ta kishim seriozisht, nuk është që njerëzit festojnë, por që jo të gjithë kanë mundësi të festojnë njësoj: pabarazia e kthen estetikën dhe argëtimin në privilegj, turizmin në status dhe dritat në fasadë. Kur kjo ndodh, kritika duhet të godasë strukturat e pabarazisë dhe hipokrizinë e pushtetit - jo të përçmojë nevojën e njerëzve për një natë pak më të ndritshme. Ta quash Vitin e Ri “idiotësi” është më shumë se arrogancë: është një mënyrë për të zëvendësuar analizën me fyerjen. Dhe fyerja, sado e zhurmshme, nuk është filozofi.
Je shume i sakte Viktor. Kete sikur e ka shkruar Grinchi dora vete