Historia e rrugës së Bogdanëve!

23 Tetor 2022, 10:31Blog Nga Ben Blushi

Historia e rrugës së Bogdanëve!

Para se të them dicka më shumë për Rrugën e Bogdanëve, do tregoj shkurt historinë e saj.

Bogdanët që i kanë dhënë këtë emër rrugës, kanë ardhur në Tiranë ndoshta 120 vjet më parë. Në historitë entuziaste të Tiranës, të hedhura në internet, mund të lexosh se fisi i Bogdanëve ka ardhur në Tiranë para 500 vjetësh, cka nuk mund të jetë e vërtetë dhe ja pse.

Nga viti 1614 deri në fund të viteve 1800, pra për afro 150 vjet, Tirana ishte e përqëndruar në pjesën lindore pra në anën e sipërme të Xhamisë, Sahatit dhe Bashkisë së sotme.


Qyteti ishte i mbledhur përreth dy xhamive, asaj të Sulejman Pashë Bargjinit, ku është sot Ushtari i Panjohur dhe asaj të Ethem Beut që është në qendër. Kjo është edhe arsyeja pse Sahati i Tiranës, nëse e shikon nga sheshi Skënderbej, pra nga perëndimi, është pjesërisht i mbuluar nga Xhamia. Ky pozicion e ka një arsye dhe urbanistët e kohës nuk kanë bërë gabim, sic mendohet sot. Sahati u ndërtua për tu parë nga pjesa lindore e Tiranës, pasi në atë anë ishin shumica e shtëpive.

Sheshi Skënderbej dhe gjithë zona e rrugës së Kavajës dhe rrugës së Durrësit, pothuajse ishte bosh. Në këtë zonë deri në vitet 1900 ka patur një fushë që zgjatej deri në Laprakë, diku një varrezë dhe asnjë shtëpi. Në atë kohë qyteti i ngjantë një lagje me formë rombi ose bakllavaje që kishte këta kufinj.

Nëse kthehemi me fytyrë nga Mali i Dajtit, në krahun e djathtë, pra në Jug, Tirana mbaronte te Lumi i Lanës aty ku ndodhet Pallati i Pionierëve, Parlamenti, Pedonalja, Kalaja e Tiranës dhe Ura e Tabakëve. Në krahun e majtë,në Veri, Tirana shkonte deri te Rruga e Barrikadave,te Pesëmbëdhjetëkatëshi, afër shkollës Sami Frashëri, ku ka qenë teqja e Dervish Hatixhesë së famshme. Në Lindje, në drejtim të Dajtit, Tirana nuk e kalonte sheshin Avni Rustemi dhe Pazarin e Ri, ndërsa në Perëndim nuk shkonte më tutje se Banka e Shqipërisë dhe zona përreth Muzeut Kombëtar.

Kjo lagje përbënte Tiranën e fillimit të viteve 1900.

Rrugët e Kavajës dhe të Durrësit u ndërtuan pasi Tirana u bë kryeqytet në vitin 1920. Kjo do të thotë se edhe rruga e Bogdanëve, një rrugicë mes këtyre dy rrugëve është populluar pak a shumë 100 vjet më parë. Nëse Bogdanët do kishin ardhur në Tiranë para 500 viteve ata do ti kishin ndërtuar shtëpitë e tyre aty ku sot është Pallati i Kulturës dhe praktikisht, nuk do kishin më as shtëpi dhe as rrugë. Nuk them dot se nuk kanë patur fat.

Bogdanët, të cilët merreshin me qeleshe, pra ishin qeleshëpunues thuhet se kanë ardhur nga Bosnja dhe mbiemri i tyre sllav, ndoshta e provon këtë fakt. Bogdan është bashkimi i dy fjalëve sllave Bog,dmth Zot dhe Dan, dmth Ditë. Pra Bogdan ishte një njeri që ia kishte kushtuar ditën e vet, Zotit.

Këta u vendosën në rrugën e Bogdanëve e cila në kohën e komunizmit kishte një emër tjetër. Quhej Andon Zako Cajupi. Më vonë rruga u quajt Rruga Bogdani, por këmbëngulja e fiseve Bogdani, ndoshta për të mos u identifikuar me Pjetër Bogdanin, një prift katolik që u bë shkrimtar, si dhe nevoja për ta ndarë emrin e rrugës mes degëve të shumta të fisit, mesa duket bëri që rruga të emërtohet me shumësin e mbiemrit të vet, ose sic njihet sot, Rruga e Bogdanëve.

Bogdanët donin ti thonin Tiranës se nuk janë një, por janë shumë.

40 vjet më parë kjo rrugicë e mbushur me familje tiransish ishte shumë më e qetë dhe vilat në të dy anët e saj kishin shumë limonj, shegë e portokalle dhe pemë të tjera, frutat e të cilave binin në trotuar. E vetmja ndërhyrje që komunizmi bëri në rrugicën e Bogdanëve ishte shkolla, të cilës i vuri emrin Avni Rustemi.

Bogdanët njihen si zanatcinj të urtë dhe të painteresuar për politikën dhe nuk dihet cfarë marrëdhënie kanë patur me Ahmet Zogun dhe dajën e tij Esat Toptanin që Avni Rustemi e vrau në Paris dhe normalisht emri i kësaj shkolle që ka mbirë në rrugën e tyre, ka lidhje me faktin se Avni Rustemi u vra në Tiranë, gati 5 minuta larg Rrugës së Bogdanëve diku te Lidhja e Shkrimtarëve, ku kanë qene dhe varrezat e Tiranës, afër Hotel Interkontinental.

Sot Rruga e Bogdanëve, që ështe e vetmja rrugë që lidh me trafik Rrugën e Kavajës me Rrugën e Durrësit, është kthyer në një qytezë të vogël. Nëse ndonjë ditë Tirana bllokohet, ose disa pjesë të saj shpallin pavarësinë, Rruga e Bogdanëve mund t’ia arrijë të jetojë në mënyrë autonome, pa patur nevojë të importojë shumë mallra. Ajo mund të jetë e vetëmjaftueshme dhe të vëtëqeveriset, meqë ka edhe një minibashki në qendër të saj.

Në Rrugën e Bogdanëve ka gjithshka, që nga berberi, tek një qendër estetike për gra,një agjensi udhëtimi, fizioterapi, artikuj mjekësorë, trajtime lëkure, një restorant peshku, një kazan plerash, ndoshta me i bukuri në Tiranë sepse është i mbuluar dhe i dekoruar më lule, një shkollë fëmijësh, një dyqan që furnizon me pajisje shtëpije si cekicë, goxhdë,tuba,fleksibël, pinca, bojëra, furca, kova, fshesa,etj, të paktën tre supermarket, një qendër masazhi, një palestër, një restorant me guzhinë italiane dhe me muzikë cdo mbrëmje, disa kafene të vogla për banorët e lagjes që jetojnë me qiratë e të ardhurve,një outlet me rroba second hand, një ëmbëltore me cadra të bardha që bën bukë franceze dhe pa dyshim, akulloret më të mira në Tiranë, një dyqan lulesh të freskëta, një farmaci, një dyqan që shet verëra, një kompani security, kurse gjuhe për fëmijë, dy hotele, një avokat, një youth hostel ku mund te kalosh një natë me 10 euro, një fondacion turk që boton libra të cuditshëm, një dyqan që shët dyshekë dhe carcafë në të gjitha përmasat dhe ngjyrat, një autoshkollë, një bilardo që përdoret dhe si kazino pasmesnate, disa garazhe nëntokësore, një stacion taksish, cepin e njohur që të gjithë e quajnë Te Samsungu, si dhe të paktën dy rrobaqepësi.

Cfarë i duhet më shumë një rruge për të qenë e pavarur nga pjesa tjetër e qytetit?

Megjithatë duke renditur menunë e shërbimeve të Rrugës se Bogdanëve nuk i kam thënë të gjitha.

Rruga e Bogdanëve ka një zgjerim anësor, që dikur të conte te Rruga e Ambasadave.

Këto dy rrugica kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën, ndoshta 60 vjet më parë dhe mesa duket konkurronin kush kishte vilat më të bukura. Konkursin e fitoi Rruga e Ambasadave, e cila për këtë shkak iu dha ambasadave, që u vendosën aty. Meqë, gjatë komunizmit, shqiptarët dhe të huajt ishin të ndarë me kufi të pakalueshëm, kështu duhet të jetonin të ndarë edhe në mes të Tiranës.

Kur iu dha të huajve, Rruga e Ambasadave u mbyll me mur dhe u nda nga motra e vet Rruga e Bogdanëve. Në vitin 1990 ky mur u rrëzua në tokë nga një kamion dhe mijëra njërëz kaluan atje për tu futur nëpër ambasada. Megjithëse Shqipëria u hap, muri u ngrit. Ai mur është akoma aty, si një kufi, me gjithë kërkesën e banorëve për ti bashkuar dy rrugët me një kalim të thjeshtë këmbësorësh.

Por nëse Rruga e Ambasadave frekuentohet vetëm nga shqiptarë, që shkojnë për të marrë viza, Rruga e Bogdanavë është mbushur me të huaj që vijnë për të rregulluar dhëmbët.

Në rrugën tonë atyre nuk u kërkohet asnjë vizë. Ata janë kthyer në banorë të rregullt që i shef në ashensor, që zënë rradhën te berberi, që bërtasin sa herë fiton Milani dhe që i japin shumë pak bakshish kamarierëve të lagjes. Në përgjithësi janë pleq pa dhëmbë, që flenë herët,që vishen në mënyrë modeste dhe që hanë shumë pak, por shumë shpesh.

Njeriu që i ka kthyer Bogdanët në një destinacion ndërkombëtar, është Dritan Gremi, një emigrant që është kthyer nga Italia dhe ka ndërtuar klinikën Gremi, e cila i bën evropianët e plakur me dhëmbë të rinj, të montuar në Shqipëri. Gremi, që harxhon pjesën më të madhe të kohës dhe të pasurisë për të sjellë gazetarë të huaj që të shkruajnë për Shqipërinë,ka marrë me qira më shumë se gjysmën e kateve të para të Rrugës së Bogdanëve. Aty ushqen të huaj dhe shqiptarë me pica dhe makarona, heq dhe vendos dhëmbë, e bën akullore dhe bukë franceze të cilësisë së parë.

Gremi i ka dhënë rrugës së Bogdanëve një dimension të ri. E ka kthyer në një rrugë më internacionale se vetë Rruga e Ambasadave.

Ai ka bërë realitet një shprehje që diplomatëve të huaj ua thoshin në vitet e komunizmit kur i caktonin për të shërbyer në Shqipëri. Do shkosh në Shqipëri të lesh dhëmbët.

Nëse do e kishte bërë këtë gjë gjatë rregjimit komunist, të cilin Gremi e urrren, me siguri do ishte dekoruar si një njeri që u shkul dhëmbë e dhëmballë imperialistëve dhe revizionistëve të huaj. Por Gremi është një kapitalist i kulturuar, që ëndërron të bëjë një muze kundër diktaturës si dhe një prive ku pihet konjak në dimër.

Ditët e fundit ai shkoi edhe më larg në aventurën e tij, për të krijuar një rrugë internacionale në mes të Tiranës. Ai e mbuloi gjithë qendrën e Rrugës së Bogdanëve me Flamujt e Evropës. Tani njerëzit kalojnë dhe bëjnë selfie me balonat flamur në sfond dhe shumë pak janë ata që ankohen se aty mungon flamuri i ndonjë vendi. Nuk mungon asnjë përfshi edhe flamurin turk.

Mbi shtyllat e ndricimit të rrugës, Gremi vendosi së fundi disa drita të blera në Kinë, të cilat projektojnë mbi asfalt shprehje nga evropianë të mëdhenj.

Prandaj nuk është cudi ajo që më ndodhi mua një natë, kur përballë koshit të plerave,një armik ky që Gremi s’po e mund dot dhe prandaj e zbukuron, mbi asfalt u shfaq e projektuar një shprehje e ish presidentit të Italisë Sandro Pertini.

Sandro Pertini ishte një partizan italian,pastaj një socialist që u bë President dhe që kujtohet për mënyrën si festoi kur Italia doli kampione e Botës në Spanjë në vitin 1982 dhe sidomos për stilin me të cilin tallej në tribunë me Kancelarin e Gjermanisë që atë ndeshje u mund. Megjithëse ishte shumë i shkurtër, për shkak të humorit, e dominoi plotësisht pjesën politike të Finales.

Megjithatë nuk ëshë humori, por realizimi i tij, arsyeja që mbi asfaltin e Rrugës së Bogdanëve, shndrit cdo natë kjo shprehje e Sandro Pertinit: Demokracia më e keqe,është më e mirë se cdo Diktaturë.

Unë jam dakort me Sandro Pertinin.

Rruga e Bogdanëve ka ndryshuar.

Nëse ka ndryshuar për keq, prapë është më mirë se kur ishte keq

12 Komente

  1. P
    Parruca

    Sikur te shkruaje ne shqipen letrare do ishte akoma dhe me mire, o « guzhinier » qe « shef » rrugen e Bogdaneve sikur ke pare Champs-Élysées.

    Përgjigjjuni
    1. B
      Bureto

      Ben mund te dish te shkruash, personalisht te pelqej, por para se ta besh kete, mire do te ishte te konsultoheshe me pare edhe me fakte historike te deshmuara. E para: Avni Rustemi eshte qelluar per hakmarrje, pas nje ferre nga Isuf Reçi, mullixhi i Esadit dhe besnik i tij, aty ku sot eshte Prokuroria e Pergjithshme. Avniu, i shoqeruar nga nje miku i vet, ka ecur i plagosur me kembet e veta, derisa u rrezua, po i gjalle, aty ku sot ka bustin, pra te sheshi , qe pikerisht per kete arsye mban emrin e tij. Mbas dy oreve vdiq ne spitalin, i cili aso kohe, ishte aty afer Sahatit, te ajo qe dhe sot, quhet shtepia e Kaceleve. E dyta: Esad Toptani nuk ka qene daja i Zogut. Kjo eshte nje perralle e sajuar keq, po me qellim diabolik, por edhe politik nga kundershtaret e tij, per t'ia ngarkuar atij atentatin ndaj Avniut, i cili u ngarkua ta kryente ate atentat ndaj Toptanit, pikerisht nga keta kundershtare. (lexo Ben, lexo histori se ka plot libra per kete, si ai i Ilir Ikonomit, At Zef Pllumit, Tahir Kolgjinit etj). Le te vijme tani tek gabimi: Esad Toptani ishte kusheri i trete i Sadije Toptanit, qe ishte nena e Zogut. Sipas teje, meqe ne daje i themi vellait te nenes, si qenka Esadi daja i Zogut, ku eshte ketu e verteta?! Kaq, por shkurt, per keto dy pohime te gabuara nga ana jote, por qe ndoshta u hyne ne pune, atyre qe do kene rast te lexojne si shkrimin tend, ashtu dhe komentin tim..

      Përgjigjjuni
      1. V
        V.k

        Ke te drejte per cdo gje por une jam mga ajo krahine qe vinte Avni Rustemi. Ne familjen tim nje pjestar i saj ne ato kohe ka qene ne nje tryez me Avni Rustemin dhe te tjere kur eshte hedhur short se kush do e vriste Esat pashen. Pra Esat Pasha eshte vrare teresisht per motive patriotike se nga rinia e kohes shihej si mine me sahat ne themelet e shtetit te ri. Nqs i referohesh Iliri Ikonomit qe nuk eshte as historian por nj gazetar modes ben gabim . Pasi I. Ikonomi e nxjer Esatin ne menyre paradoksale si patriot kur aktiviteti i tij antishqiptar mareveshjet me Serbet dhe Greket per dhenien e Veriut dhe jugut me premtimin perbeshtetjen e tyre te krijimit ne Shqiperine e mesme nje Kalifati islamik me kryetar Esat jane te dokumentuara dhe publikuara tashme. Po ashtu dhe aktiviteti i tij ne minimonne autoritetit te Vidit dhe krijimin dhe nxitjen e aktivitetit antishqiptar te Hazhi Qamilit. Pra Avniu nuk shkoi si i derguar i dikujt ne Paris por si thirje patriotike e grupeve te caktuara rinore. Natyrisht qe qeveria e re e Lishnjes ndoshta mund te kishte dieni dhe i interesonte por duhet kuptuar qe Avniu nuk ishte nje anonim.por nje i ri aktiv ne aktivitet patriotik. Tradhetiabe Esatit ne ato kohe njihej nga te gjithe per kete arsye Avniu pati mbeshtetje mbarepopullore edhe gjate gjyqit te tij po ashtu edhe pas kthimit ne Atdhe. Kjo tradheti edhe ne Kosove ishte mese e ditur nga ku Avniu doli edhe deputet. Isuf Reci ishte njeriu i Osman Balit kones se Esatit por bashke me te aty u pane dhe njerez te Zogut diten e vrasjes. Nuk eshte aq e thjesht per ta perjashtuar Zogun nga antentatit. Digitalb ka ne youtube nje kronike shume profesionale te vrasjes te Avniut te dokumentaret " Vrasjet e shekullit " . Te sugjerojnta shikosh

        Përgjigjjuni
        1. P
          Po po

          Zogu ishte i perfshire nenvrasjen e Avniut pasi Avni kishte shtyre Beqir Valterin te kryente atentatin kunder Zogut ne parlament. Kete e pohoj Sejfi Vllamasi minister i Zogut.

          Përgjigjjuni
          1. B
            Bureto

            I nderuar patriot V.K! Une nuk jam nga nje krahine, por siç mund ta kuptosh edhe nga nick-name i im jam mëhalleli me familjen e Avniut. Gjithsesi e respektoj mendimin tend, edhe pse, në shume ato qe shkruan, gjithmone sipas meje, je gabim. Kete nuk ta them të ndërrosh mendim, perkundrazi, por se referencat i ke hamendesime nga ato që të kane mesuar në shkolle per historine e shkruar nga ata që ajo histori u ka interesuar. Se si ato që thua ti, më tha ai, e më tha ky, une mund te rendis dhjetra, por historia nuk behet me ato. Nuk kam qellim ketu te mbroj askend nga referncat dhe autoret qe citoj me lart, por te gjithe ata jane profesioniste te respektuar. nese nuk i ke lexuar sigurisht qe keto qe them une nuk do te mund t'i kuptosh. Po deshe, perveç tyre te shtoj edhe Sejfi Vllamasin, bashkekohesin e Avniut, apo Eqerem bej Vloren, nje nga eruditet e pakte te asaj kohe, gjithashtu protagonist dhe deshmitar i kohes. Libri i At Zef Pllumbit, ku flet edhe per vrasjen e Toptanit, ka nje titull shume interesant: "Histori kurre e tregueme". Pse kurre tregueme?! Ë! Çfare ka fshehur historia dhe historianet nga e verteta e ngjarjes per te cilen po flasim? Lexo dhe nje shprehje kuptimplote te filozofit Maks Veber, që: “Vetëm disa politikanë rrojnë për politikë, shumica rrojnë prej politikës”. E pra Avniu, kur vrau Esadin ishte vetem 25 vjeç. Mbas atentatit, ashtu siç ndodh edhe sot, per kontribute të "vecanta" të politikes, i futin disa, sidomos te rinj e te reja, në politike Me mbeshttetjen maksimale te H.Prishtines, e bene dhe Avniun deputet te krahines se Bicajt në Kukes. Por dhe si deputet Avniu, sigurisht me porosi, me anen e Beqir Valterit, nje adoleshent 17 vjeçar (mos valle dhe ky na qe nje i ri patriot qe i ziente gjaku?!), organizoi vrasjen e Ahmet Zogut, aso kohe kryeminister, mu brenda ne Parlament! e pra mik te gjitha keto quhen "vrasje polirike". Ashtu si ti dhe nje njeriu im, mjek, i afert, bashkefshatar dhe mentor i Avniut ka treguar, se Avniu ishte i ndergjegjshem se çfare kishte bere dhe i dinte pasojat. Në nje bisede me Avniun, ku ai para se te nisej nga Vlora per Tirane, ku dhe e vrane, e porosiste te ruhej, dhe ai i ishte shprehur se, e di doktor, por 'po vrave edhe mund të të të vrasin!'. Tani per keto i nderuar duhen dite te tera per t'i ballafaquar, por sot, nuk eshte rasti. Po të kesh deshire dhe kersheri, per të mesuar më shume rreth historise dhe të verteta e saj, bibliotekat aty janë. Respekte!

            Përgjigjjuni
            1. V
              V.k

              Historia qe te tregoj me siper ne lidhje me presonin qe u gjend ne nje tryeze me Avniun dhe te tjere nuk eshte " me the te thashe" por dicka e vertete e pohuar nga vete personi. Nqs nje deshmimtar prezent ne nje ngjarje nuk mund te meret si reference atehere kush!!! As une nuk kerkoj te te mbush mendjen per ato qe them une. Librin me kujtime te Eqerem bej Vlores e kam lexuar dhe kam vrenjtur nje antipati te natyrshme te justifikauar prej tij per shkak te origjines familjare ndaj levizjeve demokratike borgjeze te pas kongresit te Lushnjes 1920. Po te kemi parasysh ketu dhe lidhjen familjare te tij me Esatin nga nena ( ai i thoshte daje ) atehere opinionet e tij jane te kuptueshme. Sa per I. Konomin as e kam lexuar librin e tij dhe as e lexoj se me mjaftoi ta degjoj ne nje interviste te tij ku e citonte Esatin te damkosur padrejtesisht nga sistemi komunist!!! Ky pretendim eshte absurd kur aktiviteti antishqiptar i Esatit qysh me vrasjen e Riza Pashes ne rrethimin e Shkodres per ta shitur me pas qytetin malazezeve, ( eshte e dokumentuar dhe shuma ne lira qe i eshte paguar ) pengesat qe i krijoi Ismail Qemalit dhe helmimi i tij me 1919 ne Itali nga Osman Bali , nxitja e levizjes destruktive te Haxhi Qamilit dhe Hoxhes se Tiranes, marreveshja Pasic - Esat dhe zaptimi i Durresit me mercenares serbe derisa austro hungarezet e hodhen ne det bashke me serbet dhe u strehua ne Selanik ku u prit me te gjitha nderimet , imponimi per te shkuar ne koferencen e paqes nepermjet forces deri ne vrasjen patriotike te tij nga i riu Rustemi dhe varrosja e tij ne varrezat Serbe ne Paris , nuk jane histori komuniste por realitete historike. At Zef Pellumbi i perket atyre shkruesve antikomuniste qe pas viteve 90 kane dashur te glorifikojne gjithcka qe ai sistem e ka njollosur. Atit mund ti lexoj poezite por jo historite.Pra autoret qe me referon qofte I.Konomi i pakualifikuar per te shkruar histori si nje gazetar modest po ashtu dhe nje klerik antikomunist nuk jane pena te besueshme ( sipas meje kuptohet ). Esatin nqs e ke vene re pervec familjareve te tij pas 90 jane perpjekur ta pastroje ato ryma politike qe kane nje historik zogist, kolaboracionist me pushtuesin dhe antikomunist. ( Ne qe mendojme ndryshe natyrisht kjo nuk na ben komunist ). Qe ta mbyllim se u zgjatem Avniu ishte pjese e asaj elite politike qe edhe nqs i sherbente vetvetes Shqiperia pati fatin qe interesi i tyre perputhej me te miren e Shqiperise ne ato momente delikate. E kam fjalen per L. Gurakuqin , H Prishtine, B Curin, I Elezin e shume patriote te kohes ne te njejten linje me te cilet ishte dhe i riu Avni. Mos mendo se ne sot dime me shume nga per situatat dhe ngjarjet e kohes se cdinte populli kur e priti kthimin e Avniut si hero. Dhe meqe e mbyll me bibliotekat , miqesisht zgjidhi autoret kopetent per fushen qe te intereson. Respekt dhe per ti.

              Përgjigjjuni
        2. B
          Bobi

          Bog Dan është dhurate e Zotit, Bog -Zot dhe dan-dhuratë .

          Përgjigjjuni
          1. T
            Tredhëmbelçkë

            Sa keq që nuk lexova të kishte një këpucar nga ata ...me porosi . Lëmsh o ç'punë . Sa për ëmatologjinë nip a mbesë midis tyre ne i quajmë motra nga të dyja anët e një gjaku dhe vëllezër ( punë kurre e kuorë ) dhe ndaj i quajmë ungjilia o nëse dai ose axhë . Lëmsh kjo punë , punët e n'dore masha , veç vatra pastë zjarën'dez .

            Përgjigjjuni
            1. P
              Piloti i bilushit nga kucova

              Beni. Lexo dhe turqisht se meson me shume. Beni, nje fjalor fare i thjeshte turqisht-shqip do te te mesonte se fjala Bog-dan ……nga turqishtja ne shqip perkthehet,,- prej mutit.

              Përgjigjjuni
              1. X
                Xxx

                Turqve mire qe ua beri alfabetin Sami Frasheri se do ishin duke fol me gishta sot ose do shkruanin si beduinet arabe qe shqiptari Mehmet Ali i Egjyptit i quante " kafshe te egra"

                Përgjigjjuni
                1. D
                  Diaëm Ambletohë

                  Haeh ...Brojkë bërëzoikë dhoëidzanë

                  Përgjigjjuni
                2. T
                  TURIEMIGR

                  BEN : ATY ESHTE LUAJTUR DHE FILMI SHUME I DASHUR "LULKUQE MBI MUR"

                  Përgjigjjuni

                  Lini një Përgjigje