Kur ekrani shpërblen injorancën dhe shoqëria e pranon atë si spektakël

16 Mars 2026, 18:10Blog Nga Luan Rama

Reflektim mbi çfarë shohim në Big Brother VIP Albania

Kur George Orwell i dha botës romanin e tij të famshëm “1984” (botuar më 1949), ai përshkroi një shoqëri totalitare ku çdo lëvizje e qytetarëve monitorohej nga shteti. Sigurisht, Orwell-i nuk e kishte imagjinuar që, gati tetëdhjetë vjet më vonë, kjo ide do t’i shërbente John de Mol, producentit holandez që krijoi reality show-n e parë me fokus vëzhgimin e njerëzve në jetën e tyre të përditshme: Big Brother.

Ky format, që tani transmetohet edhe në Shqipëri si Big Brother VIP Albania, është një nga spektaklet televizive më të ndjekura. Ai ofron një shembull të qartë se si televizioni në shoqëritë moderne nuk është thjesht një mjet argëtimi: ai është një aktor i rëndësishëm që formëson perceptimet, sjelljet dhe vlerat e individëve dhe të grupeve shoqërore.

Televizioni në shoqëritë moderne është bërë një aktor i rëndësishëm që ndikon në mënyrën se si e kuptojmë dhe interpretojmë botën rreth nesh.

Në ekran nuk shfaqet vetëm realiteti, por një version i tij i përzgjedhur dhe i paketuar për konsum publik. Ajo që shoqëria sheh vazhdimisht, me kalimin e kohës fillon dhe konsiderohet normale. 

Spektakle si Big Brother VIP Albani, janë ndoshta shembulli më i qartë i këtij mekanizmi. 

Në sipërfaqe ato paraqiten si programe argëtimi, si eksperimente sociale apo si formate televizive që zbulojnë karakterin njerëzor në kushte izolimi. Por në thelb ato funksionojnë sipas një logjike shumë më të thjeshtë: prodhimin e spektaklit përmes konfliktit, tensionit dhe reagimit impulsiv.

Ideja e “VIP-it”, në kuptimin e saj fillestar, lidhej me njerëz që kishin arritur diçka të veçantë në jetën publike. Artistë, sportistë, intelektualë apo figura që kishin kontribuar në kulturë, në mendim apo në shoqëri. Por me kalimin e kohës ky koncept është zbrazur nga përmbajtja e tij. Në shumë raste, titulli “VIP” nuk lidhet më me meritën, por me dukshmërinë. Mjafton të jesh i pranishëm në ekran, të prodhosh zhurmë, të krijosh konflikt dhe fama vjen si pasojë e vetvetishme.

Në këtë pikë lind një paradoks i thellë kulturor: televizioni që duhej të promovonte modele frymëzuese, gjithnjë e më shpesh prodhon modele të banalitetit. 

Kamera nuk qëndron gjatë te reflektimi, te mendimi apo te dialogu i matur. Ajo që tërheq vëmendjen është zënka, sherri, provokimi, ofendimi, momenti kur debati bie në nivelin më të ulët të mundshëm.

Kjo nuk është rastësi. Industria televizive funksionon mbi ekonominë e vëmendjes. Në një botë ku publiku bombardohet nga informacioni, programet duhet të garojnë për sekonda vëmendjeje. Dhe në këtë garë, emocionet e forta dhe konfliktet e drejtpërdrejta janë më të lehta për t’u konsumuar sesa mendimi i thellë.

Argumenti kërkon përqendrim.

Reflektimi kërkon kohë. Debati kërkon kulturë.

Ndërsa konflikti banal kërkon vetëm një kamerë dhe disa individë të vendosura në të njëjtën hapësirë.

Në këtë kuptim, reality show-t nuk janë vetëm programe televizive. Ato janë eksperimente sociale mbi kufijtë e durimit kulturor të publikut. Ato testojnë se sa larg mund të shkojë spektakli para se publiku të lodhet prej tij. Dhe shpesh rezultati i këtij eksperimenti është i qartë: kufijtë janë shumë më të ulët nga sa mund të imagjinonim.

Një moment që e bëri këtë realitet edhe më të dukshëm ishte një test i thjeshtë pyetjesh që iu bë banorëve të Big Brother VIP Albania. Pyetje elementare të kulturës së përgjithshme, të cilat në çdo sistem normal arsimor as do të konsideroheshin pjesë minimale e formimit intelektual, mjaftuan të shpërfaqnin më shumë se sa injorancën e banorëve, një realitet të trishtë e të dhimbshëm të nivelit të formimit kulturor të një pjese të shoqërisë tonë.

Ky episod nuk është thjesht një moment televiziv që prodhon habi apo të qeshura. Ai është një simptomë shumë më e thellë. Ai na detyron të pyesim veten se çfarë ka ndodhur me sistemin tonë arsimor dhe me vetë idenë e formimit intelektual. Kur njerëz që mbajnë diploma universitare nuk arrijnë të përgjigjen në pyetje kaq elementare të kulturës kombëtare ( si përshembull të mos dish se sa vite ka një shekull ose se Ismail Kadare është autori i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” apo se “Lahuta e Malësisë” është vepër e At Gjergj Fishtës!), problemi nuk është më individual; ai bëhet institucional. Në shumë raste, sistemi ynë arsimor duket se prodhon më shumë diploma për idiotë sesa njerëz që mësojnë dije dhe kulturë. 

Në këtë mënyrë krijohet një paradoks i rrezikshëm: njerëz që formalisht janë të arsimuar, por që në praktikë kanë një horizont kulturor të varfër.

Por ndoshta problemi më shqetësuese nuk është pse këta njerëz nuk dinë të përgjigjen në pyetje kaq elementare. Problemi i vërtetë është pse ata nuk ndjejnë asnjë grimë turp për këtë. 

Dikur, injoranca ishte një gjendje që njeriu përpiqej ta kapërcente; sot, në shumë raste, ajo ekspozohet pa asnjë ndrojtje. Kjo ndodh sepse turpi është një produkt i kulturës: ai ekziston vetëm aty ku dija vlerësohet. Kur një shoqëri fillon të admirojë famën më shumë se dijen dhe dukshmërinë më shumë se përmbajtjen, atëherë edhe turpi fillon të zhduket. Në një botë ku kamera shpërblen zhurmën dhe jo mendimin, injoranca nuk ndihet më e kërcënuar; përkundrazi, ajo shpesh gjen hapësirë për t’u shndërruar në spektakël.

Subjekti i vërtetë i këtij fenomeni nuk janë vetëm personazhet që shfaqen në ekran. Ata janë thjesht pjesëmarrësit e një skene. Subjekti i vërtetë është publiku.

Sepse pyetja më e rëndësishme nuk është pse disa njerëz sillen në mënyrë të caktuar para kamerave. Pyetja është pse miliona njerëz ndalen për t’i parë. Çfarë na tërheq në këtë spektakël? A është thjesht kurioziteti për jetën e të tjerëve, apo është edhe një formë e fshehtë ngushëllimi kolektiv - ideja se dobësitë tona duken më të vogla kur i shohim të ekspozuara në ekran?

Filozofi francez Guy Debord në veprën e tij Shoqëria e Spaktaklit ( The Society of the Spectacle), paralajmëronte pikërisht këtë fenomen: në shoqëritë moderne, realiteti gjithnjë e më shumë zëvendësohet nga spektakli. Ajo që dikur ishte përjetim i drejtpërdrejtë i jetës, kthehet në një seri imazhesh që konsumohen në distancë.

Në një shoqëri të tillë, gjithçka mund të bëhet spektakël, madje edhe vetë rënia e standardeve kulturore.

Dhe këtu qëndron ironia më e madhe e epokës sonë mediatike. Injoranca që dikur do të ishte arsye për turp, sot mund të shndërrohet në kapital publik. Sa më impulsiv të jesh, sa më konfliktual të shfaqesh, aq më shumë kamera të ndjekin. Dhe sa më shumë kamera të ndjekin, aq më shumë rritet iluzioni i rëndësisë.

Por rëndësia dhe dukshmëria nuk janë e njëjta gjë.

Një shoqëri që fillon t’i ngatërrojë këto dy gjëra rrezikon të hyjë në një fazë ku fama bëhet zëvendësim për meritën dhe spektakli për mendimin. Në këtë pikë, televizioni nuk është më vetëm një medium argëtimi; ai bëhet një fabrikë që prodhon modele sjelljeje për publikun.

Nëse këto modele janë agresiviteti, banaliteti dhe arroganca, atëherë nuk duhet të habitemi kur ato fillojnë të shfaqen edhe jashtë ekranit.

Në fund të fundit, problemi nuk është vetëm te ata që hyjnë në shtëpinë e spektaklit. Ata janë thjesht personazhe të një skene të ndërtuar për të prodhuar zhurmë. Problemi i vërtetë fillon kur një shoqëri fillon ta konsumojë këtë zhurmë si kulturë dhe ta pranojë banalitetin si formë normale argëtimi.

Sepse nëse televizioni është një pasqyrë e shoqërisë, atëherë ajo që shfaqet në ekran nuk është vetëm shfaqja e disa personazheve të izoluar për disa javë. Është një portret kolektiv i një kulture që, ndonjëherë pa e kuptuar, fillon të duartrokasë pikërisht atë që dikur do ta kishte refuzuar.

Dhe ndoshta pyetja më e pakëndshme që duhet t’i bëjmë vetes është kjo:

a po e shikojmë këtë spektakël sepse na argëton, apo sepse në mënyrë të pavetëdijshme po shohim një reflektim të vetvetes?

Sepse nëse ekrani është një pasqyrë, atëherë ajo që na shqetëson në të mund të mos jetë vetëm shfaqja. Mund të jetë edhe reflektimi ynë brenda saj.

Kur ekrani shpërblen injorancën dhe shoqëria e pranon atë si spektakël, atëherë turpi nuk zhduket vetëm tek individët, ai zhduket tek ne të gjithë.

10 Komente

  1. P
    Pensionisti

    Analize e sakte per nje shfaqje banaliteti dhe injorance ,qe tregon se shoqeria me teper i ve rendesi britmave,perdredhjeve dhe artificialitetit te personave qe perfshihen ne kete gjoja spektakel VIP.Qe u del "kallaji"edhe me pyetjet me te lehta ,qe dikur i dinte edhe nje nxenes i fillores.Ka ardhur koha e cedukimit .

    Përgjigjjuni
    1. L
      Lina

      Luan shumë mirë e qartë ke shkruar por ata që i organizojnë dhe ata që i shikojnë këto të ashtuquajtura spektakle janë të të njëjtit nivel

      Përgjigjjuni
      1. B
        Ben

        Shumë i saktë shkrimi juaj. Duke pasur një tastierë në dorë, injoranti mendon se mund të jetë i barabartë me një intelektual dhe, si pasojë, shkon dhe blen një diplomë. Por nuk arrin të kuptojë se nuk të bën veshja të mençur, por njohuritë që ke përthithur gjatë jetës përmes leximit. Sa i përket leximit kritik, ai nuk kërkon vetëm përqendrim, por edhe një mendim të formësuar nga leximi që ke kryer gjatë viteve. PS: Analfabetët të mos komentojnë.

        Përgjigjjuni
        1. i
          inxhinjeri

          Zoti Rama e ka trajtuar me shume vemendje kete teme. Problemi nuk qendron vetem tek televizioni qe suksesin nuk e mat me nivelin e transmetimeve, por me numrin e shikuesve, prandaj per pronaret e televizioneve nuk ka rendesi niveli i programeve, por se sa para fitojne prej tyre. Personalisht kam shume vite qe nuk shoh televizion me spektakle apo emisione me komentatore pa nivel. Ketu hyjne sidomos debatet politike qe paraqesin individe qe me teper zihen duke i nderprere fjalen njeri tjetrit se sa percojne ide apo koncepte per te cilat ja vlen qe ti shikosh. Televizionin e shoh eskluzivisht per ndeshjet sportive apo per dokumentare historike apo shkencore. Nga ana tjeter, mediokriteti ka pushtuar cdo qelize te shoqerise sone duke filluar nga rrugaceria parlamentare e disa individeve qe na turperojne te gjithe me veprimet e tyre ne nje institucion qe presupozohet te jete nga me seriozet, pasi nga serioziteti i parlamentit shikohet edhe niveli i produktit qe ky organ i rendesishem duhet te prodhoje per te mire e vendit dhe popullit tone. Mediokriteti vazhdon me zyrat e shtetit, ku shumica ka zene karrike jo se jane te afte per punen qe pretendone se bejne, por si rezultat i qokave politike me individe te cilet kane lidhje qofte familjare, qofte partiake. Aspekti tjeter i mediokritetit ne vendin jane shkollat e cdo niveli. Shpesh me ze frika se cfare do ndodhe me vendin tone kur brezi me i vjeter qe akoma eshte aktiv, i edukuar ne kohen e komunizmit nuk do jete me. Kur shikon se si eshte bastarduar gjuha shqipe e rinise se sotme e cila pervec celularit ka zero njohuri ne shkencat ekzakte qe jane baza e zhvillimit intelektual dhe te rritjes se IQ-se se cdo individi. E fundit eshte largimi nga vendi i atij pak truri qe ka mbetur ne vend. Ne fizike eshte nje koncept qe quhet "Parimi i eneve komunikuese" qe ne vetvete paraqitet me dy ene te mbushura me leng te lidhura me njera tjetren. Po te largosh nje sasi lengu nga njera ene niveli i mbetur bosh do kompensohet nga ena tjeter. Une besoj se ky koncept vepron edhe ne shoqerine njerezore. Nese mendojme se ne njeren ene kemi mediokritetin dhe ne enen e dyte inteligjencen, nese merr nga kjo e dyta individe me nivel te larte, vendi bosh do mbushet nga mediokriteti qe vjen nga ena e pare. Kjo ka ndodbur edhe ne shoqerine tone ku ne 30-35 vitet e fundit kemi humbur pjesen me te madhe te intelignences kombetare dhe vendin e tyre e kane zene idjotet, prandaj keta i gjejme kudo, ne parlament, zyrat shteterore, shkolla, media, art etc.

          Përgjigjjuni
          1. A
            Albina

            Zoti Luan! Po kapem tek fjalia mbyllëse. --- Kur ekrani shpërblen injorancën dhe shoqëria e pranon atë si spektakël..... . Pjesa e parë e shprehjes është e saktë..... . Ekranet sot, me përjashtime të rralla janë të mbushur me injorantë. Sigurisht që do reflektojnë injorancë............. . Por nuk është e vërtetë që shoqëria e pranon atë si spektakël........ . Shoqërisë nuk I ofrohet diçka tjetër më me nivel, që ajo të ketë mundësi të zgjedhë. Të ndërrojë kanal....... . Në fund të fundit, çfarë na ofrojnë kanalet e tjerë, që të jenë mbi nivelin e injorancës të Big Brother....... Të martën. - Programacione politike në nivelin e Qim Pekës dhe Nul Mokës! Atëherë, më mirë Big Brother. Të shtunën, 23 kanale televizive. Të gjithë pushim. Vendosin kasetën me filma turq, të njëjtat lajme çdo një orë dhe kaq. Ose ritransmetime të dhëna me dhjetëra herë......... . Kështuqë këtë show, shoqëria nuk është se e pranon..... Asaj I injektohet dhunshëm ky spektakël. Mere ose mere. Nuk ke tjetër. Në daç rri në daç ik, kët ke, dimër behar, thotë çami. Ose fik televizorin dhe shko fli gjumë........ . Dhe banalitete, jeta e shthurur, hyjnë në familjet tona...... . Edukimi jo me punën me djersitur që të përmirëson jetën ngadalë...... . Edukimi me ato aktivitete që të pasurojnë shpejt..... . Këtyre ju bëhet reklamë....... . Sepse kurvërisë nuk I thonë më kurvëri. Por profesion si eskortë...... . Bile, nuk e di a e mban mend në PËRPUTHEN, një degjenerim tjetër ky, kur një vajzë deklaroi se ishte e virgjër!?........ . O ç'i punuan asaj të shkretës...... . Ajo kishte mbaruar studimet në Rumani me sakrifica, pjesëmarrësit, drejtuesja dhe opinionistët e "zhvirgjëruan" me termat me të cilat e sulmuan...... . Femër pa shije, jashtë kohe, pa eksperienca, ku shkon ti kështu, femër e pacivilizuar, e ngurtë, .... .. . Pra femra moderne, e kohës, ishte një që kishte sa më shumë eksperienca..... . Ec e shihe me vajzën 15, 16 apo 20 vjeçare një emision të tillë....... . Po ç'të shohësh....!!!???

            Përgjigjjuni
            1. P
              Pipi

              Gjithë ky muhabet i gjatë për një përfundim të shkurtër e logjik: të tilla emisione "VIP- ash", këtej e andej kufirit, duhen zhdukur nga ekranet tona. Po marrin në qafë të ardhmen e kombit tonë...

              Përgjigjjuni
              1. N
                Nandi

                Ke bërë një shkrim shumë të bukur me shumë vlerë,uroj t'a lexojnë sa më shumë njerëz që të mos ndjekin antivlerat dhe injorantët nëpër spektakle. Ka vite shumë që kësaj shoqërie i seriviren këto lloj programesh që reklamojnë injorancën dhe analfabetët funksionale si "vipa" dhe një shoqëri që bëhet tifoze e këtyre injorantëve dhe këtyre spektakleve,një shoqëri që nuk di më të vlerësoj dijen,formimin,edukimin, injoranca nuk e njeh turpin. Ato që nuk dinë sa vite ka një shekull duhet t'i kthejnë të bëjnë klasën e katërt nga e para,që nuk dinë emrin e nënë Terezës,turp për ato pedagogë që i kanë dhënë diplomë universitare,kur këto njerëz duhet të mbarojnë prapë filloren. Është e dukshme që ato diploma i kanë të blera dhe jo në bazë të dijes,janë dhe të paskrupullt kur thonë që kanë lexuar shumë libra,njerëz që nuk dinë tabelën e shumëzimit,nuk e bëri top Chanel këtë test se do shikonit çfarë tmerri janë në të vërtet. Turp dhe njëherë për këtë nivel arsimor që paraqet Shqipëria sot.

                Përgjigjjuni
                1. "
                  "BOHOTINA"

                  Kete "spektakel VIP" e keni 2 here ne vit. Shkak eshte se injoranca qe ndjek injorantet dergojne mesazhe. Mesazhet me shumice jane leke. Kete e ka kuptuar TV Topi. E kuptoi ne rastin e Luizit dhe tani e kini peshqesh rendom. Program turpi e mediokriteti. Nuk e kuptoj pse jane VIPA keta. Ky program e Perputhen etj... jane turpi i TV Top Çenell. Nuk eshte turpi i shoqerise se shendoshe qe eshte shumica...

                  Përgjigjjuni
                  1. S
                    Shkrim që reflekton një plagë kombëtare

                    Një pasqyrë tragjike e Shqipërisë sot. Demokracia u kuptua dhe u vu në jetë përsëmbrapshti në Shqipëri. Bravo Luan Ramës për temën e kapur dhe trajtuar me mjeshtëri dhe dorë gazetari pothuajse veteran.

                    Përgjigjjuni
                    1. E
                      E vërtetë

                      Luan Rama është treguar vërtet i zgjuar me këtë shkrim. Pa u marrë fare me politikë, pa e përmendur fare fjalën demokraci, Luani u thotë shqiptarëve: "E shikoni sa poshtë kemi rënë. Në çfarë sistemi jetojmë?! Ju që kërkuat liri - demokraci! Ja pra liria dhe demokracia juaj"! Vërtet e zgjuar. Dhe e vërtetë. Nuk ka qenë më kot gazetar i llastuar i "Zërit të Popullit"!

                      Përgjigjjuni

                      Lini një Përgjigje