Marrëzia e marrëzisë dhe tre personazhe në një histori

16 Tetor 2025, 10:32Blog Nga Luan Rama

Personazhet nuk janë të rastësishëm. As dosido apo të rëndomtë nuk janë. Edhe pse nuk vijnë nga të njejtat kushte apo rrethana, janë bërë pjesë e të njejtës histori.

PERSONAZHI I PARË është Akademiku Artan Fuga.

Nuk e kam zgjedhur ngase unë e lexoj gjithmonë me vëmendje dhe as sepse në më të shumtën e herëve, gjej në çfarë profesori shkruan; ide, mendime e vlerësime që i çmoj, mbi të gjitha për kurajon qytetare dhe intelektuale.

Por e kam zgjedhur sepse vetë profesori u përfshi në historinë për të cilën do t’ju shkruaj në vijim, me anë të një reagimi publik, (si gjithmonë në stilin e tij).

PERSONAZHI I DYTË është Erion Valiaj. Kryetarin e Bashkisë së Tiranës (ende në detyrë prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese), e kam zgjedhur sepse prej tij nis e merr udhë gjithë historia.

PERSONAZHI I TRETË është Bajram Begaj. Arsyeja se pse Presidenti i Republikës është në këtë treshe, lidhet me qëndrimin e tij jo aq të pakuptueshëm, edhe pse të pakuptimtë, ndaj historisë së shkarkimit nga detyra të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

HISTORIA është e njohur. Ka të bëjë me shkarkimin e kryetarit të arrestuar të bashkisë së Tiranës nga detyra, në të cilën e kanë zgjedhur shumica e qytetarëvë votues të kryeqytetit.

Shkarkimi u inicua prej një urdhëri politik. Erion Veliaj u ankua në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Kjo e fundit, me cilësinë e organit të vetëm epror që ka tagrin të intepretojë Kushtetutën (Neni 124 i Kushtetutës thotë:

1. Gjykata Kushtetuese zgjidh   mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.

2. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës), shpalli regjistrimin e çështjes për shqyrtim, për rrjedhojë edhe pezullimin e të gjithë praktikës së shkarkimit, formalizuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave.

Mirëpo, përkundër Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pra edhe në kundërshti me vetë Kushtetutën, hyn në lojë Presidenti i Republikës. Ai e quan të pranuar shkarkimin dhe shpall zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë së Tiranës, ende pa u shkarkuar kryetari i burgosur, pra ende pa u krijuar edhe ligjërisht vakanca.

Edhe pse shumë prej juristëve me emër dhe kurajo publike (përjashtuar vetëm njërin që Presidenti e ka marrë në punë dhe e paguan), ia bënë të qartë publikisht se është i detyruar të zbatojë Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ai bëri të kundërtën, shkeli Kushtetutën!

Gjykata Kushtetuese u detyrua të mblidhet sërish, e këtë herë, me unanimitetin e të gjithë anëtarëve të saj, e bëri të pavlerë duke e pezulluar atë pjesë të Dekretit të Presidentit që shpallte zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë së Tiranës.

Presidentit nuk i mbetej asnjë shteg tjetër, përpos t’i bindej vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Dhe sipas modelit të “gjinisë asnjanëse”, u detyrua të thotë përmes një zyre shtypi se “Presidenti i Republikës respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Mirëpo historia nuk mbaron këtu. Duke “harruar” se çfarë kishte deklaruar vetëm pak ditë më parë, pra duke “harruar” se kishte thënë që do të respektonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, “urdhëroi” Sekretaren e Përgjithshme, pikërisht atë që mbahet mend për “gjetjen” e çelësit të rritjes së efikasitetit duke larguar nga puna specialistët e kualifikuar, që t’i japë urdhër Gjykatës Kushtetuese që ajo, pra Gjykata Kushtetuese “Të deklarojë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 moskompetencën lidhur me dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;”.

Çfarë marrëzie!

Bajram Begaj është i lirë të bëjë çfarë të dojë me emrin e vet. Por, në lartësinë e Kryetarit të Shtetit, ai e ka për detyrë ta ndalë rendin e marrëzive që e ndragin Presidentin e Republikës. Të paktën kaq duhet ta bëjë; t’i lerë vend vetes që kur të mos jetë më në atë detyrë, të mos e tregojnë me gisht.

Dhe në fund një shpjegim.

Përse e nisa renditjen e personazheve me emrin e Profesor Artan Fugës?

Fare thjeshtë. Sepse ai është i barazlarguar nga dy personazhet e tjerë në konflikt. Dhe qasja e tij është prej një intelektuali të angazhuar.

Profesor Fuga ka publikuar një shkrim, nëpërmjet të cilit ai denoncon publikisht me forcën e kurajos së vet, letërurdhërin e Presidentit të Republikës drejtuar Gjykatës Kushtetuese”.

Sensi reaktiv, maturia intelektuale, por edhe nervi qytetar, gjuha sarkastike dhe shpotitë qesëndisëse të Artan Fugës thonë gjithçka duhet thënë mbi marrëzinë e urdhërimit absurd mbi Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkaq, Erion Veliaj, edhe prej kuvlisë ku e kanë ndryrë e mes hallit të madh ku gjendet, me betejën kushtetuese që ka nisur që prej kur u urdhërua shkarkimi i tij nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, po i bën një shërbim të madh më shumë se vetes së tij, autoritetit të Kushtetutës.

Duke vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, ai po i ofron asaj shansin që të dëshmojë autoritetin dhe integritetin e vet si organi i vetëm i Drejtësisë Kushtetuese dhe të vendosë mbi bazën e normës kushtetuese, standardin e ndarjes së pushteteve.

2 Komente

  1. P
    Poseidon

    O PALLE, ERJON VELIAJ U SHKARKUA PER MOSOARAQITJE NE PUNE MBI TRE MUAJ DHENE TE DREJTE U SHKARKUA EDHE NGA KESHILLI BASHKIAK DHE PER RRJEDHOJE KESHILLI I MINISTRA E,NE ZBATIM TE LIGJIT PER VAKANCEN E QUAJTI TE MIRQENE....PASTAJ PRESIDENTI PER VAKANCEN , QE NUK MER NE KONSIDERATE,GJYKATEN KUSHTETUESE,PERSA KOHE AJO NUK KA MARE VENDIM, CAKTOI DATEN E ZGJEDHJEVE ...........GJYKATA KUSHTETUESE , PA DYSHIM ORGANI ME I LARTE KUSHTETUES KA TE DREJTEN E SAJ QE TA PEZULLOJE CDO DELRET APO VENDIM EDHE PAS KRYERJES SE VEPRIMEVE .......PRA THENE KJO , EDHE SIKUR TE BEHESHIN ZGJEDHJET , ATO JANE TE PAVLEFSHME......PRANDAJ O PALLE DIBRE PRESIDENTI NUK ESHTE BUDALLE SI PUNA JOTE......AI KA KOMPETENCE DERI NE VENDIMIN PERFUNDIMTAR TE GJYKATES KUSHTETUESE....PASTAJ AI MUND TE ANULLOHET,,,,,,SIPAS GJASAVE DO NDODHE E KUNDERTA,QE GJYKATA DO TI JAPE OKEJ....SEPSE ESHTE BRENDA LIGJIT .....CIAO.....

    Përgjigjjuni
    1. D
      Daja

      Artikull shkruesi shkruan per nje dt 31.10.2025, kur ne sot jemi 17.10.2025 gabim shtypi apo lajthitje .

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje